Kryeministri Thaçi: Përderisa dje sfidë kryesore ishe mbijetesa, çlirimi dhe pavarësia, sot sfidat e së ardhmes sonë janë zhvillimi dhe integrimi.

E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga,

I nderuari kryeparlamentar, z. Krasniqi,

Të nderuar deputetë,

Kabinet qeveritarë,

Të nderuar ambasadorë,

Të nderuar mysafirë,

Qytetarë të Kosovës,

Sot Kosova po shënon ditën e cila është rrënjosur thellë në kujtesën e të gjithë prej nesh në këtë sallë, por edhe në kujtesën tonë kolektive si popull, si komb, si qytetërim.

Sot po shënojmë në mënyrë solemne katër vjetorin e kurorëzimit të rrugëtimit tonë shekullor, shpalljen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Katër vite më parë, ne të zgjedhurit e popullit të Kosovës në Parlamentin e Kosovës, shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane.

17 shkurti i vitit 2008, është ngjarja më kulmore historike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Ëndrrën bashkërisht e bëmë realitet. Për të mbërritur deri festa e madhe e pavarësisë së Kosovës, të gjithë ne së bashku punuam dhe sakrifikuam shumë. Sot kujtojmë presidentin Rugova, komandantin Adem Jashari, gjithë komandantët, ushtarët, luftëtarët dhe heronjtë e Lirisë së Kosovës.

Vizionin tonë të përbashkët dhe universal për liri, dhe demokraci të atdheut tonë, e realizuam bashkërisht, me unitet të qëndrueshëm politik dhe qytetarë.

Republika e Kosovës është një tregim i suksesshëm me të cilin krenohemi të gjithë, por edhe miqtë tanë.

Në vitin e katërt të pavarësisë, Kosova ka shënuar suksese të njëpasnjëshme në rrafshin politik, diplomatik, dhe atë të zhvillimit ekonomik.

Në katër vjetorin e shënimit të Ditës së Pavarësisë, Kosova është shtet edhe më i konsoliduar, me institucione stabile dhe efektive me qeverisje të mirë, sundim të rendit dhe ligjit, si dhe respektim afirmativ të komuniteteve.

Republika e Kosovës është e njohur nga 87 shtete të botës, dhe ka hapur procesin e dialogut për liberalizimin e vizave, duke bërë hapa konkret në perspektivën e integrimeve evropiane.

Zonja dhe zotërinj

Ne të gjithë së bashku, ndihemi krenar, ashtu si e arritëm pavarësinë e vendit tonë, bashkërisht po punojmë edhe sot çdo ditë për zhvillimin dhe integrimin e Republikës sonë në institucionet euro-atlantike.

Bashkimi Evropian nuk është vetëm mekanizëm politik, por mbi të gjitha është bashkim i sistemit të vlerave, dhe ne si shoqëri dhe si shtet synojmë po ato vlera, po atë vizion, ndërtimin e Kosovës Evropiane.

Secili qytetar i Kosovës duhet të ndihet mirë dhe krenar për kontributin e tij, në realizimin e këtij vizioni.

Viti 2012 është vit i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, si shenjë e rritjes së standardeve demokratike. Prandaj, falënderoj edhe përfaqësuesin e ICO-së, z.Piter Faith, për mbështetjen në zotimin e institucioneve të Kosovës për përmbylljen e këtij procesi suksesshëm.

Institucionet ndërkombëtare që janë të pranishme në Kosovë kanë mbështetur fuqishëm agjendën që çon drejt kësaj përmbylljeje.

Prandaj sot, shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar për bashkëpunim dhe kontributin e tyre në forcimin e shtetit të Kosovës. Falënderojmë shtetet anëtare të Grupit Ndërkombëtare Drejtues, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, NATO-n dhe të gjitha institucionet tjera që e mbështesin vendin tonë.

Zonja dhe zotërinj

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Me përkushtimin tonë të vazhdueshëm institucional, me filozofinë e qeverisjes së mirë dhe të përgjegjshme, brenda katër vjetësh ne e zhvilluam edhe më shumë vendin tonë.

Krijuam më shumë vende të reja të punës, e përmirësuam infrastrukturën e përgjithshme kudo në Kosovë. Një pjesë e autostradës moderne Vërmicë-Merdar, duke përmbushur kriteret më të larta, u përfundua në afat rekord.

U ngritën pagat substancialisht për të gjitha kategoritë sociale, në arsim, shëndetësi, polici, familje të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, për pjesëtarë të FSK-së, pensionistë, shërbyesit civilë, dhe për të gjithë bartësit e institucioneve vitale të shoqërisë.

Përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, vazhdon të jetë preukopim dhe objektiv i yni themelor.

Të nderuar deputetë

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Në ditën e shënimit të pavarësisë së Kosovës, ne kujtojmë të kaluarën e ndritur të vendit tonë.

Kujtojmë përpjekjet një shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Përvjetori i katërt i pavarësisë së Kosovës, përkon edhe me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje madhore kjo për kombin shqiptarë në shekullin e kaluar.

Në ditën si kjo, nderojmë dëshmorët tanë, ata që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e vendit tonë.

Poashtu, shprehim nderimin dhe respektin e lartë për heronjtë e gjallë të këtij vendi: punëtorët, fermerët, veteranët, invalidët, mësuesit, mjekët, artistët, ushtarët, policët, pensionistët, të rinjtë dhe të rejat, pleqtë dhe fëmijët, që në çdo orë dhe në çdo kohë e pasurojnë dhe e begatojnë jetën tonë dhe shtetin tonë të ri.

Kosova është shtet i ri por është shtet i mundësive të mëdha , është shtet i mundësive të jashtëzakonshme .

Të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim kontribuuan për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Një mirënjohje dhe falënderim i veçantë për diasporën kosovare kudo që gjendet , në Evropë, SHBA dhe vendet tjera .

Të nderuar deputet,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që të festojnë me dinjitet dhe krenari, sepse ashtu edhe e meritojnë. Kosova është atdheu i gjithë qytetarëve të saj .

Kjo është festë që na jep energji të re, festë që na bashkon dhe forcon të gjithëve .

Përderisa dje sfidë kryesore ishe mbijetesa, çlirimi dhe pavarësia, sfidat e së ardhmes sonë janë zhvillimi dhe integrimi.

Ne nuk do të ndalemi së punuari për realizimin e projektit madhor që qytetarët tanë të jenë të barabartë me ata të Bashkimit Evropian . Pra shteti i Kosovës të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe BE.

Faleminderit dhe urime të gjithëve 4 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës.

SHPËRNDAJE