Eshton: Marrëveshje do të ketë vetëm kur të dyja palët të merren vesh

Shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi paraqet mënyrën praktike për të siguruar përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe se marrëveshje do të ketë vetëm kur të dyja palët do të merren vesh, ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se e ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt.

Ata këto komente i bënë të premten në një konferencë të përbashkët në Prizren.

Kryeministri Thaçi ka thënë se ardhmja evropiane varet nga bashkëpunimi ndërfqinjësor, ndërsa ka vlerësuar të mirë raportet me vendet e rajonit.

“E ardhmja evropiane e Kosovës është e sigurt”, ka thënë ai, duke shtuar se Kosova po punon në implementimin e të gjitha kritereve për të përshpejtuar procesin e integrimeve evropiane të Kosovës.

Për më tepër, ai ka shprehur besimin se Kosova dhe Serbia si dy shtete fqinje kanë të ardhmen e sigurt në Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm dhe kreativ, në mënyrë që çështjet që ende janë për t’u zgjidhur të zgjidhen sa më shpejt, prandaj bashkëpunimi ynë do të jetë shumë i ngushtë dhe unë falënderoj edhe një herë në emrin tim personal, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës baroneshën Eshton për vizitën e saj në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Nga ana e saj, kryediplomatja evropiane ka thënë se në takimin me kryeministrin Thaçi kanë pasur diskutime shumë të zellshme për t’iu adresuar të ardhmes kyçe për Kosovën si pjesë e ardhshme evropiane. “Ne kemi diskutuar gjithashtu të gjitha çështjet me interes për ju, siç është liberalizimi i vizave, roli i EULEX-it, një mbështetje e rëndësishme për ta dhe ne kemi marrë parasysh mënyrat se si mund të ecim përpara, për të arritur sa më shumë që mundemi bashkërisht”, ka thënë Eshton.

Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, Eshton ka shprehur bindjen se ky proces do të lehtësojë jetën e qytetarëve, ndërsa sa i përket marrëveshjeve eventuale kryediplomatja evropiane tha se mund të ketë marrëveshje vetëm atëherë kur të dyja palët do të merren vesh. “Ky dialog është mënyra praktike për të siguruar se ne do t’iu përmirësojmë jetën e njerëzve dhe do t’i lehtësojmë kushtet e njerëzve. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të punojmë me të dyja palët që të kryhen punët e nevojshme për të arritur një marrëveshje për çështje pragmatike, dhe unë shpresoj se këto marrëveshje do të arrihet shpejt”, ka thënë Eshton.

E pyetur se a janë këto bisedime parakusht për anëtarësim në BE dhe nëse Serbia mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën, Eshton ka përsëritur se rrugëtimi për në BE nënkupton shumë gjëra të tjera.

“Kjo nënkupton punë të zellshme në gjërat teknike që duhet adresuar, edhe ashtu një përparim në aspektin politik”, ka thënë Eshton.

SHPËRNDAJE