Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar ligjvënësit në seancën e Kuvendit të Kosovës për veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës me vendimin e Qeverisë dy ditë më parë, përderisa ka shprehur këmbënguljen për vënien e rendit dhe ligjit në pikat 1 dhe 31 në veri të Kosovës. Thaçi ka thënë se pika 1 është djegur dhe dëmtuar tejmase, por Qeveria e Kosovës është e gatshme qysh sot të punojë për rregullimin e logjistikës së nevojshme në këtë pikë.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka vënë në dukje se në pikën 31 janë zhvilluar ballafaqime të ashpra nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës me bandat serbe.

“Fatkeqësisht dje pasdite një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga liderët e strukturave paralele ka sulmuar pikën 1 e më pas atë 31. Pika 1 është djegur dhe dëmtuar në masë të madhe, ndërsa pika 31 është mbrojtur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës. Në pikën 31 j anë zhvilluar ballafaqime të ashpra prej KFOR-it dhe Policisë së Kosovës me bandat serbe. Kjo pikë është në kontroll të plotë të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it. Mund të them se Policia e Kosovës po qëndron heroikisht në këto pika”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri i vendit ka thënë me këtë rast se Kosova po i afrohet përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe misioni i pamundur deri tani për vënien e rendit dhe ligjit në veri, po bëhet i mundur dhe realitet nga institucionet e shtetit të Kosovës.

Thaçi ka thënë Kosova gjendet para një ballafaqimi të ri, i cili nuk është i lehtë, mirëpo ka thënë se ka besim të plotë si kurrë ndonjëherë më parë në këto 12 vjet, andaj ka kërkuar mbështetje edhe tek forcat tjera politike si dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës.

“Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim. Institucionet e Kosovës do të shfrytëzojnë të gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe për t’u përballur me të gjithë njerëzit e mosrespektimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Thaçi para ligjvënësve.

Kryeministri Thaçi ka siguruar ligjvënësit se Qeveria është e vendosur dhe për asnjë çmim nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e para katër ditësh.

“Në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para katër ditësh. Nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e ‘status quos’, nuk do të ketë rikthim në gjendjen e mëhershme. Qeveria e Kosovës është e konsultuar dhe e koordinuar me të gjithë faktorët që punojnë për rend, ligj, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë më tej se masat e reciprocitetit me Serbinë do të zbatohen në të gjitha pikat kufitare me Serbinë dhe kjo do të zgjas derisa Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Thaçi ka shprehur gatishmërinë për dialog për çështje praktike, por ka përjashtuar çfarëdo dialogu për rregullimin e brendshëm, duke thënë se për çështjet e brendshme nuk do të bisedohet asnjëherë në asnjë rrethanë dhe me askënd.

Thaçi ka ftuar qytetarët për qetësi, solidaritet, mirëkuptim dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe tek KFOR-i, duke garantuar se në veri të Kosovës do të kthehet rendi dhe ligji.

SHPËRNDAJE