Kryeministri i Republikës Kosovës, Hashim Thaçi u është përgjigjur zërave që vijnë nga Beogradi për ndarje të Kosovës, apo ndryshime kufijsh, duke thënë se për asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe nuk do të ketë autonomi në veri, por do të ketë integrim territorial e gjithetnik.

Ai ka ftuar edhe Beogradin zyrtar që ta pranojë këtë realitet dhe t’u thotë troç serbëve të veriut, se edhe kjo pjesë është e Kosovës.

“Në emër të Qeverisë se Kosovës, të institucioneve dhe popullit të Kosovës, jemi të obliguar dhe detyruar që përsëri të ritheksojmë fuqishëm se në asnjë rrethanë, me asnjë çmim nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëmbim territoresh, nuk do të ketë autonomi në veri, por integrim territorial dhe gjithetnik, nuk do të ketë ndryshim kufijsh. Definitivisht Beogradi duhet, dhe e ftoj në emër të Qeverisë së Kosovës që t’u thotë troç serbëve në veri, se edhe ajo pjesë është Kosovë, dhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kryeqytet i tyre është Prishtina. Kjo është ndihmesa më e madhe që Beogradi mund t’u bëjë serbëve në veri”, ka thënë Thaçi.

Me këtë rast, kreu i ekzekutivit të vendit, nuk ka hezituar të aludojë edhe në kërkesa më të mëdha të shqiptarëve, siç është bashkimi kombëtarë, duke i ka bërë të qartë Serbisë se Kosova me pavarësinë e saj ka fituar minimumin e kërkesave të saj.

“Tek e fundit, sot me lejoni që t’iu përgjigjem në emër të Qeverisë Republikës së Kosovës, gjithë ithtarëve të këtyre ideve antihistorike mund të them dhe të anti-perspektivës perëndimore të rajonit, se pavarësia e Kosovës është minimumi i së drejtës historike të shqiptarëve dhe nëse pretendohet të hapen tema çfarë po ngritën së diskutuari medialisht, Prishtina në momentin që do të hap tema, Beogradi nuk do të mund t’i mbyllë kurrë. Por ne jemi të përcaktuar për paqe stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës demokratike dhe multietnike është në NATO dhe Bashkim Evropian, dhe Kosova është e përcaktuar qartë për vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e problemeve teknike në të mirën e dy vendeve dhe popujve.

Deklaratat e kryeministrit Thaçi kanë ardhur pas deklaratave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, përkatësisht zëvendëskryeministrit Ivica Daçiq, i cili në deklaratën më të fundit, ka thënë se Serbia dhe Shqipëria do duhej ta ndanin Kosovën.

SHPËRNDAJE