Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur konkluzionet e samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE), duke thënë se mesazhet e dhëna për Kosovën janë shumë të qarta.

Ai në një konferencë për media të shtunën ka thënë se samiti i djeshëm konfirmoi konkluzionet e Ministrave të Jashtëm, që për Kosovën parasheh hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).

“Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës të përshëndes konkluzionet e Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE). Dhe, mesazhet e dhëna janë shumë të qarta. Procesi i integrimit në strukturat evropiane varet kryekëput nga përmbushja e kritereve përbrenda, dhe qasja evropiane ndaj fqinjësisë të secilit shtet veç e veç. Për herë të parë, perspektiva e përsëritur evropiane për Kosovën është përkthyer në një ofertë konkrete, në mënyrë unike nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian.
Samiti i djeshëm konfirmoi konkluzionet e Ministrave të Jashtëm, që për Kosovën parasheh shumë qartë: hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave, hapjen e negociatave për marrëdhënie tregtare, qasjen e Kosovës në programet e Komunitetit dhe anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD).
Duke pasur 1/3 e qytetarëve në diasporë, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian (BE), për familjet tona, procesi i liberalizimit të vizave është mbase më i rëndësishmi. Por, si kryeministër, vlerësoj se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me BE-në përmes marrëveshjes tregtare dhe qasjes në programet e komunitetit shënon një kapitull të ri historik për relacionin në mes shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

“Si kryeministër i vendit, jam i vetëdijshëm që na presin edhe shumë punë deri në sendërtimin e plotë të vlerave dhe standardeve evropiane në Kosovë. Jam shumë i vetëdijshëm për sfidat që kemi, sidomos në fushën e rendit dhe ligjit, luftimin e korrupcionit dhe reformën e administratës publike. Unë sot zotohem para jush, që të gjitha detyrat që dalin nga ky proces do t’i përmbushim në një afat rekord. Ju siguroj që do ta mbikëqyr personalisht realizimin e agjendës për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve tregtare. Dje, po ashtu u konfirmua fakti që qasja konstruktive dhe e përgjegjshme evropiane, të cilën e kemi dëshmuar në procesin e dialogut me Serbinë, ka shkuar në dobi të Kosovës dhe askujt tjetër. Shpeshherë, padrejtësisht dhe në mënyre naive jemi akuzuar se po ia përshpejtojmë rrugën Serbisë për BE, përmes dialogut që ndodhte në Bruksel”, tha mes tjerash kryeministri Thaçi.

“Në fakt, ndodhi ajo që pritej të ndodhte, e kundërta pra: për herë të parë, edhe zyrtarisht, rruga e Serbisë për në BE kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Kosovës. Nga Brukseli prapakthim në këtë standard evropian nuk do të këtë. Kosova është e zotuar për fqinjësi të mirë, dhe unë edhe sot e konfirmoj që ne duam dhe punojmë për evropianizimin e rajonit dhe ndërtimin e raporteve të shëndosha në mes nesh, me të gjithë fqinjët, edhe me Serbinë. Më lejoni po ashtu të falënderoj partitë opozitare, të cilat qoftë përmes kontributit në Parlament, qoftë përmes ideve konkrete kanë ndihmuar agjendën evropiane. Posaçërisht dua të falënderoj kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, pa përjashtim, secilin prej tyre, për angazhimin në përmbushjen e detyrimeve për procesin e liberalizimit të vizave. Pa përkushtimin e tyre, dialogu për liberalizimin e vizave nuk do të mund të ecte përpara. Para vetes kemi një agjendë shumë ambicioze, të cilën mund ta realizojmë vetëm duke punuar bashkërisht. Të bashkuar rreth vizionit, për Kosovën demokratike, mirëqeverisëse, të sundimit të ligjit, të reformave demokratike, mund dhe do ta bëjmë Kosovën Evropiane. Kosovën do ta anëtarësojmë në NATO dhe në BE në mënyrë meritore”, tha në fund të fjalës së tij kryeministri Thaçi.

SHPËRNDAJE