Kosova ka vetëm një destinacion dhe ai është Bashkimi Evropian, ka thënë të martën kryeministri Hashim Thaçi, në takimin e gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, me ç’rast ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave.

Thaçi ka theksuar se në këtë drejtim, Qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm, ndërkaq nën koordinimin e Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, korniza legjislative është kompletuar, politikat implementuese janë vendosur dhe janë ndarë mjetet e nevojshme financiare.

Ai ka thënë se perspektiva evropiane e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është konfirmuar në të gjitha nivelet, mirëpo ky konfirmim nuk është në nivelin e mjaftueshëm, andaj ka nevojë për koordinata të sakta të këtij qëllimi.

“Përkundër partneritetit të marrëdhënieve të ngushta me Bashkimin Evropian, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, por ne kemi besim të plotë se gjatë këtij viti edhe kjo do të realizohet. Dëshiroj të jem shumë i qartë se partneri ynë më i ngushtë dhe më i sinqertë në procesin e integrimit mbetet Komisioni Evropian. Ne do të vazhdojmë zbatimin e agjendës evropiane, pa lëvizur një milimetër prapa në reformimin dhe avansimin e shtetit të Kosovës me një qëllim të vetëm; arritjen e standardeve evropiane në të gjitha fushat e qeverisjes dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se puna për plotësimin e kritereve për integrim evropian nuk varet nga një individ apo nga një ministri, por është detyrë e secilit institucion të Kosovës.

Andaj në këtë drejtim, ai ka thënë se gjatë muajve të mbetur, Ministria e Integrimit Evropian do të ketë mandat dhe përkrahje të plotë në monitorimin dhe raportimin e zbatimit e obligimeve të secilit institucion.

“E ardhmja evropiane e Kosovës nuk varet vetëm nga një individ, nga një ministri përkatëse, apo nga autoritetet lokale, por vetëm nga një koordinim i plotë i gjithë institucioneve shtetërore të Kosovës, nga një punë ekipore. E ardhmja evropiane është vullneti i qytetarëve të Kosovës, është vizioni ynë dhe ne jemi të bindur dhe të sigurt në të ardhmen shumë të qartë evropiane të Republikës së Kosovës. Presim në të ardhmen fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve tregtare dhe marrëdhënieve kontraktuale”, është shprehur Thaçi.

Republika e Kosovës, sipas Thaçit, është duke bërë reforma të thella, si në politikë, ekonomi apo legjislacion, ndërkaq ka një qeverisje të mirë dhe reformatore me mentalitet evropian, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.

Ai ka falënderuar edhe partitë opozitare, shoqërinë civile dhe mediat për përkrahjen e agjendën e përbashkët evropiane, për konsolidimin e shtetit dhe integrimin në Bashkimin Evropian, duke përmendur si kusht edhe normalizimin e marrëdhënieve shtetërore me vendet fqinje, në këtë rast edhe me Serbinë.

SHPËRNDAJE