Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën zyrtare në Japoni.
Në ditën e parë të vizitës, kryeministri Thaçi u takua me z. Hiroyuki Ishige, Kryetar i Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme, (Japan External Trade Organization).

Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dy shteteve dhe mundësitë e investimeve që ofron Republika e Kosovës për investitorët e huaj.

Me këtë rast Kryeministri Thaçi e njoftoi z. Ishige për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Republikës së Kosovës në krijimin e ambientit të favorshëm për nxitjen e investimeve ndërkombëtare në Kosovë, si dhe u bëri thirrje bizneseve japoneze që të investojnë në Kosovë.

Nga ana e tij, Z. Ishige shprehu gatishmërinë e tij dhe të organizatës që ai drejton për të punuar ngushtë me Qeverinë e Republikës së Kosovës për të informuar bizneset japoneze për mundësitë që i ofron Kosova.

Gjatë qëndrimit në Japoni, Kryeministri Thaçi do të takohet edhe me Lartmadhërinë e tij, Princin Trashëgimtar Naruhito. Po ashtu, do të ketë takim me kryeministrin e Japonisë, Yoshihiko Noda, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Koichiro Gemba, si dhe Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yukio Edano.

SHPËRNDAJE