Thaçi gati për dialog politik me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës është i gatshëm t’u përgjigjet pozitivisht thirrjeve edhe të SHBA-së, edhe të BE-së, për negociata të reja me Serbinë.

Në një intervistë për “Kosova Sot”, ai ka thënë se aksioni i 25 korrikut i ka shuar ëndrrat serbe për Kosovën, ndërsa mohon se do të bëjë kompromise të dëmshme për vendin.

“Kosova dhe institucionet e saj nuk i kanë problem emrat apo regjimet ideologjike në Serbi. Kosova ka qenë e pushtuar nga shteti serb deri në vitin 1999, por, pavarësisht kësaj, përpjekjet shekullore kulmuan suksesshëm me fitoren tonë dhe ngadhënjimin e forcave demokratike për lirinë dhe demokracinë e Kosovës, për parimet e perspektivës euro-atlantike. Është realitet i Serbisë që në pushtet e kemi ish zëdhënësin e Slobodan Milosevicit, Ivica Dacic, dhe zëvendësin e kriminelit Sesejl, Nikolic. Por, ajo që dua të them është se ajo se as ne nuk jemi ata që i zgjedhim liderët e Serbisë, e as Serbia nuk është ajo që i zgjedh liderët e shtetit të Kosovës, prandaj ne do të sillemi konform standardeve demokratike…”, tha Thaçi.

Kryeministri ka theksuar se duhet të ndodhë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e pastaj të vazhdohet me çështjet e mbetura.

“Por, duke shikuar perspektivën integruese të Kosovës dhe domosdoshmërinë e një relacioni normal ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë, këto takime të niveleve të larta mund t’i shërbejnë këtij procesi në relacionet ndërmjet shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Në këtë drejtim është një mbështetje shumë e fuqishme prej ndërkombëtarëve, prej SHBA-së dhe prej të gjitha vendeve të BE-së, të cilat e kanë qëllimin dhe vizionin e njëjtë për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe të gjithë rajonit”, tha kreu i ekzekutivit të Kosovës.

Duke folur për proceset e brendshme të shtetit, gjegjësisht punën e kabinetit qeveritar, Thaçi tha se është jashtëzakonisht i kënaqur me ata njerëz që kanë përvojë në qeverisje, e i kënaqur u shpreh të jetë edhe me ata që po e japin kontributin e tyre fillestar.

“Në të njëjtën kohë, është një ekip prej më mirëve në qeverisjen që Kosova e ka pasur ndonjëherë”, tha Thaçi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni