Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi në një dalje para simpatizantëve dhe mbështetësve të tij të mbledhur në sheshin “21” rreth orës 23:30, shpalli fitoren e partisë së tij, fitore që e cilësoi si fitorja e Kosovës europiane e euro-atlantike.

 

Prishtine, 13 dhjetor (AIK Presheva Jonë / TCH)

“Urime fitorja! Kosova nuk duhet të humbasë kohë, me votën e tyre për PDK, qytetarët folën zëshëm e qartë mbi çdo interes tjetër, mbi çdo parti, se së pari është Kosova. Urime fitorja! Ju falenderoj që na dhatë mundësinë që ëndërrat tuaja t’i bëjmë realitet, rruga drejt së ardhmes nuk ka përfunduar. Kemi bërë shumë në këto 3 vjet, por nuk do të mjaftohemi, kemi për të bërë edhe më shumë”, tha Thaçi.

Kur ende nuk ka dalë asnjë rezultat paraprak i KQZ-së dhe kur disa parti kanë vërejtje përsa i përket votimit në Skënderaj dhe Drenas, Thaçi tha se demokratët e Kosovës i votuan për Europën e për anëtarësimin e Kosovës në organizatat euro-atlantike.

Gjithësesi, përballë entuziazmit të mbështetësve, Thaçi nuk dha ndonjë përqindje, se sa ndodhej në avantazh partia e tij. Më herët përfaqësuesja e kësaj partie, Vlora Citaku foli për një diferencë nga 7-10 përqind nga partia e dytë.

SHPËRNDAJE