Thaçi: 2010, vit i sukseseve të Kosovës

(AIK-Presheva Jone)

 

 

Me rastin e festës së Vitit të Ri, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar qytetarët e vendit me dëshirën që 2011-ta të jetë vit i fillimit të realizimit të agjendës së integrimeve evropiane për shtetin e Kosovës, rritjes së mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Viti 2010 ishte vit i sukseseve të Kosovës si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ishte vit historik i ngritjes ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies sociale për të gjitha kategoritë shoqërore në Kosovë, vit i vazhdimit dhe fillimit të projekteve madhore në infrastrukturë dhe investime kapitale.

Viti që po lëmë pas ishte vit i konsolidimit dhe afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në urim.

Duke përkujtuar se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për drejtësinë e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe sovran ishte e arritura më e madhe e vitit që po lëmë pas, kryeministri në largim i vendit ka thënë se konsolidimi dhe afirmimi i shtetit demokratik të Kosovës do të vazhdojë edhe më tej me njohje të reja dhe forcim të pozicionit të tij në institucionet ndërkombëtare.

“Viti i Ri 2011 do të jetë vit i krijimit të institucioneve që dolin nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare nga shpallja e Pavarësisë.

Viti i Ri do të jetë vit i thellimit të besimit në vlerat e demokracisë, lirisë, përparimit, dinjitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në urim.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni