(AIK-Presheva Jonë)/Bota Sot

 

Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi sot paradite qytetin e Shkodrës ku u takua me familje të zonave të përmbytura: të zonave të Livadeve, Ahmet Haxhia, Bahçallëk, Liria, Dajç e Guri i Zi, të vendosur në dy prej konvikteve të qytetit, konviktin e shkollës Industriale dhe konviktin e shkollës së Muzikës. E shoqëruar nga drejtori i politikave të kujdesit shëndetësor në Ministrinë e shëndetësisë Pëllumb Pipero, Drejtoresha e Shëndetit Publik të Shkodrës, Irena Shestani, Nënkryetari i Bashkisë Shkodër, Ridvan Troshani e përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal të rrethit, të shtabit të emergjencës, drejtorët e konvikteve që strehojnë banorë të përmbytur. Zonja e Parë u takua me banorë të zonave të përmbytura dhe u interesua për kushtet, nevojat e shëndetin e tyre. Gjatë bashkëbisedimit me ekipin mjekësor dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, zonja Topi i përgëzoi bluzat e bardha për punën e tyre të përkushtuar në shërbim të banorëve të strehuar në këto konvikte dhe u dhuroi një sasi të konsiderueshme medikamentesh për sëmundjet kronike, hipertenisvë, antidiabetikë, antibiotikë etj., shumë të nevojshme për personat që kurohen në vazhdimësi me to.

Zonja Topi iu përgjigj interesimit të medias duke apeluar solidaritet kombëtar për banorët e zonave të përmbytura. “Prania ime sot në Shkodër lidhet me detyrimin njerëzor si grua, nënë, motër e bashkëshorte për t’iu gjendur pranë qytetarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. E kam ndjekur me vëmendje e shqetësim situatën e krijuar nga përmbytjet dhe ecurinë e saj, vuajtjet dhe përpjekjet e qytetarëve për tu përballur me të, por edhe angazhimin e të gjitha strukturave e institucioneve në këtë sfidë të vështirë. Është momenti për t’i falënderuar të gjithë për përkushtimin, veçanërisht miqtë e vendeve të tjera por edhe qytetarët e thjeshtë në mbarë vendin që janë solidarizuar me banorët e prekur nga përmbytja”, tha zonja Topi.

Duke u ndalur tek puna që bëjnë ekipet e kujdesit shëndetësor dhe mënyrën se si ato po e menaxhojnë këtë situatë, Zonja e Parë tha: “Sot pashë gatishmërinë e përkushtimin e ekipeve mjekësore për të asistuar këta banorë në nevojat e tyre shëndetësore, e veçanërisht studentët e infermierisë të impenjuar për të dhënë ndihmesën e tyre vullnetarisht. Ia vlen të përshëndeten, pasi mendoj se solidariteti është virtyti me i rëndësishëm që po evidentohet, e duhet të vazhdojë të inkurajohet, për të ndihmuar këta banorë që po kalojnë momente të vështira në jetën e familjet e tyre.”

Një vlerësim të veçantë Zonja Topi bëri për mediat të cilat e kanë përcjellë hap pas hapi situatën dhe ecurinë e saj në mënyrë sistematike: “Përfitoj nga ky rast për të falënderuar mediet, puna e të cilave ka qenë e jashtëzakonshme, jo vetëm në pasqyrimin e kësaj situate, por edhe në sensibilizimin e mbarë opinionit për t’iu gjendur pranë bashkëqytetarëve në vështirësi. Ndihma më e madhe që mund t’u jepet këtyre familjeve është natyrisht ndihma materiale, por edhe ndihma psikologjike që ne u japim atyre, është padyshim e rëndësishme, sepse kjo situatë sigurisht që i ka goditur edhe emocionalisht. Prandaj kujdesi, humanizmi, mirësia e solidariteti mbarëkombëtar do i ndihmojnë që ta kapërcejnë sa më lehtë këtë traumë psikologjike përveçse materiale”, përfundoi zonja Topi komunikimin e saj me mediet.

Në emër të bluzave të bardha, Drejtori i politikave të kujdesit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero dhe Drejtoresha e Shëndetit Publik Shkodër Irena Shestani, që morën në dorëzim medikamentet, e falënderuan zonjën Topi për ndihmën e çmuar në medikamente për sëmundjet kronike, të cilat sipas tyre i nevojiten shumë ekipeve mjekësore, pasi banorët e zonave të përmbytura vuajnë edhe nga sëmundje kronike, të cilat kërkojnë trajtim të vazhdueshëm me medikamentet specifike.

SHPËRNDAJE