Tetovë-policia, masa kundër të shtënave nëpër dasma

Dy të plagosur rëndë, tre të tjerë më lehtë, si dhe një numër i madh veturash të dëmtuara. Ky është bilanci i të shtënave me armë zjarri nëpër dasma, në rajonin e Pollogut. Ky fenomen nuk ka të ndalur megjithë apelet e shumta të policisë. Së fundi, sektori për punë të brendshme në Tetovë ka vendosur të marrë masa akoma më radikale ndaj dasmorëve që përdorin armët.
“Do përballen me masa shumë të ashpra ligjore, madje jo vetëm ata që përdorin armët por edhe të zotët e dasmës. Të gjithë do përballen me kundërvajtje apo padi penale. Vetëm dy javët e kaluara në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit u regjistruan disa plagosje nga plumba qorr të shkrepur nëpër ahengje familjare, si dhe dëmtime automjetesh dhe objektesh të tjera”, deklaroi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.
Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje, Policia parashikon masa të ndryshme, përfshi edhe ndalimin e dasmës, kolonës së dasmorëve si dhe bastisjet e tyre apo shtëpive ku organizohet dasma. Policia është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie.
“SPB e Tetovës edhe njëherë u bën apel qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi i armëve, sepse në të kundërtën, pa përjashtime do përballen me masa të rënda ligjore”, tha Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë.
Fenomeni, traditë e vjetësh shqiptare, është shpeshtuar akoma më shumë gjatë muajve të verës, sidomos me kthimin e emigrantëve në vendlindjet e tyre. Vetëm pak ditë më parë, në vajzë 28 vjeçare u godit me plumb në qafë, nga breshëritë që lëshoheshin në ajër nga një dasmë në fshatin Kamjan.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni