Tetovarja e “Google” që nderoi USHT-në

Babai i saj kishte lënë Kërçovën dhe kishte ardhur në Tetovë për të qenë më afër kryeqytetit ku ndodhej i vetmi universitet. Sot, Merita Kasa, do ta lë për disa javë edhe këtë qytet për të aterruar në Cyrih, ku do të ndjek nga afër punën e kompanisë prestigjioze “Google”. Kthimi i saj nga Cyrih në Tetovë mbetet i pasigurt, pasi ka “rrezik” të kalojë me sukses sfidën për të zënë një vend pune aty

Tetovë – Deri dje ishte vetëm një e-mail adresë që e lidhte atë me kompaninë prestigjioze botërore “Google”, që njëherësh është edhe një ëndërr për shumë studentë të informatikës. Pas tre viteve studim në këtë lëmi dhe hulumtimeve shkencore në po të njëjtën fushë, 22-vjeçarja Merita Kasa, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, Informatikë profesionale në Universitetin Shtetëror të Tetovës, bëhet studentja e parë nga Maqedonia që përveç se “grabiti” bursën në vlerë prej 7000 mijë euro nga kompania “Google”, ajo këtë muaj do të ngjitet shkallëve të kësaj kompanie për të avancuar në praktikë aftësitë e saj në lëmin e informatikës, ndërsa në të njëjtën kohë, ajo do të jetë edhe shumë afër mundësisë që në një të ardhme të afërt, të bëhet edhe pjesë e kësaj kompanie. Në një konkurrencë të madhe nga universitetet e tre kontinenteve: Evropës, Azisë së Mesme dhe Afrikës, studentja e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Merita Kasa, ishte studentja e vetme nga Maqedonia që u shpall njëra ndër 40 fitueset e bursës studentore të ofruar nga Google, dhe njëherësh të jetë e vetmja përfaqësuese nga rajoni që do të udhëtojë për në Cyrih të Zvicrës më 17 qershor, me qëllim të pjesëmarrjes në punëtoritë dhe ndarjen e mirënjohjeve dhe medaljes nga Google. Nga të gjitha shtetet e Ballkanit, përveç studentes tetovare, këtë bursë kanë fituar edhe një kolege e saj nga Kroacia dhe një tjetër nga Bosnja dhe Hercegovina. Kompania e mirënjohur dhe lidere e teknologjisë Informative në botë, GOOGLE Inc. në kuadër të programit “Google Anita Borg Scholarship”, bën përzgjedhjen e studentëve me të arritura më të larta në lëmin e Shkencave Kompjuterike, me qëllim të stimulimit të vajzave që të studiojnë në lëmi të Informatikës. Studente të universiteteve të tre kontinenteve, kanë pasur mundësinë që të garojnë për 40 bursa që ofron kjo kompani, duke vlerësuar projektet dhe punimet shkencore, esetë, mesataren dhe përgjigjet e formularëve nga kjo kompani e rangut botëror. Gjatë përzgjedhjes së aplikuesve, Merita Kasa ka arritur të “grabisë” bursën nga Google, falë suksesit të lartë të dëshmuar gjatë arsimimit të saj në përgjithësi dhe suksesit të treguar gjatë tre viteve të studimit, me notë mesatare mesataren 9.9, ndërsa një argument shtesë për këtë bursë meritore kanë qenë edhe hulumtimet e saj në lëmin e informatikës të publikuara në revista shkencore. Me ndihmën e asistentit në katedrën e Informatikës në USHT, Festim Halili, Merita mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare të sistemeve të informacionit dhe teknologjive në Tiranë, në qershor të vitit 2011, ku prezantoi temën “Analizat dhe krahasimet e stileve arkitekturore të ueb shërbimeve, si dhe dobitë nga përdorimi i tyre”, një punim shkencor që sjell prurje të reja në lëmin e shkencave kompjuterike me qëllim të shmangies së barrierave për komunikim mes pajisjeve të ndryshme kompjuterike. Dy punime shkencore të saj u botuan në zhurnalin profesional ndërkombëtar të titulluar “International journal of science, innovation and neë technology”, njëra me temë “Drejt dizajnit UML të ueb shërbimeve” dhe “Definimi i ueb shërbimeve dhe të dhënave me anë të shprehjeve matematikore në gjuhën Z”. Në ndërkohë, Merita bashkë me asistentin Festim Halili, është në përpilim të një punimi të ri shkencor që do të prezantohet në konferencën e organizuar nga ALB-SHKENCA e që ka të bëjë me sigurinë në SOA (Arkitektura e Orientuar në Servise). Ajo ka fituar dhe dy certifikata nga Agjencia amerikane për zhvillim “USAID” në lëmit “Aftësimi komunikimi dhe etikë në punë” dhe “Përpilimi i CV-së letër motivimi dhe intervistës”. Aktualisht, Merita ndjek kurs të informatikës organizuar nga Ministria e Shoqërisë Informative e Maqedonisë.
“Ky çmim, për mua është jo vetëm një nder i madh, por edhe një stimul për të vazhduar edhe më denjësisht me studimet akademike, por edhe me hulumtimet shkencore jashtë orarit të ligjëratave. Google është një kompani prestigjioze dhe lidere në botë, që të jem e sinqertë vetëm e kam ëndërruar, ndërsa tani më mundësohet që të njihem për së afërmi me sukseset dhe teknologjitë që përdor kjo kompani. Ky fakt më inspiron edhe më tepër që të sintetizohem me profesionin, duke shpresuar që një ditë, të ngjitem në shkallët më të larta të kësaj kompanie. Këtë gëzim dhe sukses dua që ta ndajë së bashku me familjarët, profesorët dhe kolegët e mi, por edhe me gjithë bashkëkombësit e mi”, thotë e emocionuar Merita.
Procesi i aplikimit ka qenë jo dhe aq i lehtë. Është dashur një muaj kohë dhe ndihmë e pakursyeshme e profesorit të saj, Festim Halili, për të plotësuar formularin profesional dhe për të përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të arritur deri te kjo bursë. “Procesi i aplikimit ishte mjaft i vështirë dhe i komplikuar, por ishte edhe provokim kohe. Përveç dëshmive të suksesit dhe punimeve shkencore, kërkoheshin edhe rekomandime nga studiues dhe profesor universitar në shkencat e informatikës. Njëkohësisht, kërkoheshin detalet për ndonjë projekt, në të cilin unë kam qenë liderë dhe që profesori e ka vlerësuar lartë, ku vlen të përmendet projekti në inxhinierinë softuerike dedikuar qytetit të Tetovës dhe rritjes së kapaciteteve turistike duke e promovuar në ueb”, shpjegon Kasa. Asistenti i Katedrës së Informatikës në USHT, Festim Halili, i cili është edhe kandidat për doktoraturë në Shkencat kompjuterike në Fakultetin e Inxhinierisë dhe shkencave Kompjuterike në Shkup, rastësisht hasi në njoftimin për konkursin e shpallur nga Google në ueb faqen e po të njëjtit fakultet, i cili ishte edhe partner institucional i kompanisë GOOGLE për Maqedoni. Mirëpo, edhe përkundër këtij fakti, studentja e USHT-së arriti që të jetë e vetmja fituese nga Maqedonia dhe shtetet fqinje. Asistenti i saj thotë se arritja e këtij suksesi të studentes Merita Kasa nuk ka qenë një rrugë e lehtë. “Përveç ligjëratave të zakonshme, shumë aktivitete plotësuese kemi bërë me qëllim të rritjes së kapaciteteve dhe njohurive në lëmine e shkencave kompjuterike duke hulumtuar në fusha koherente dhe inovative dhe duke konkurruar me hulumtues nga Evropa dhe më gjerë. Kryesisht jemi koncentruar në analizat dhe hulumtimet në Inxhinierinë Softuerike dhe Ueb Shërbimeve të orkestruara dhe të lidhura me Baza të dhënash si dhe në Inteligjencë Artificiale. Pjesëmarrja në këtë eveniment është mjaft e rëndësishme për prestigjin e universitetit tonë, si dhe për përvojën që do të fitojë studentja jonë dhe që do ta ndajë me studentët e tjerë të USHT-së”, thotë Halili. Gjatë qëndrimit në Google, studentja në fjalë dhe mentori i saj duhet të bëjnë prezantimin dhe projektin e tyre në lëmin e Inxhinierisë Softuerike dhe të Shërbimeve në Ueb. “Punimin të cilin do ta prezantojmë në GOOGLE është ambicioz dhe shumë hulumtues nga GOOGLE kanë shprehur interesim që ta përvetësojnë dhe implementojnë për nevojat e tyre. Unë shpresoj se ky është një rast i mirë që Katedra e Informatikës pranë USHT-së të thellojë bashkëpunimin me këtë kompani botërore dhe të iniciojë që studentë nga Katedra jonë të marrin pjesë në intershipe që ofron kjo kompani, me qëllim të përfitimit të eksperiencës dhe qëndrimit në hap me të rejat në shkencat kompjuterike”, shpjegon asistenti Festim Halili.
Historiati i ÇMIMIT
Duke nderuar një ndër hulumtueset më të shquara të kompanisë GOOGLE, Dr.Anita Borg, kjo kompani vendosi që të lansojë programin e saj për ndarjen e bursave për vajzat, të cilat studiojnë në shkencat kompjuterike në studimet deridiplomike, master dhe doktoraturë, me qëllim të stimulimit të tyre, duke bërë përzgjedhjen e studentëve me kapacitete të larta nga tre kontinentet: Evropë, Azi e mesme dhe Afrikë. Fondacioni memorial “Anita Borg” i mbështetur nga Google është themeluar në vitin 2004 dhe që atëherë asnjë student nga rajoni nuk ka arritur të fitojë këtë çmim, ndërsa këtë vit studentja Merita Kasa “theu akullin” duke nderuar kështu edhe USHT-në, ku ajo këtë verë përmbylli vitin e tretë akademik. Për pasur një pasqyrë më të qartë se për çfarë çmimi bëhet fjalë, duhet theksuar se kjo bursë, përveç Meritës, ka shkuar edhe në duart e 39 studenteve nga universitetet më prestigjioze në botë si: Universiteti i Oksfordit dhe Universiteti i Kembrixhit nga Anglia, Universiteti i Arhusit të Danimarkës, Universiteti Negav i Israelit, Universiteti i Kajros së Egjiptit, Instituti i Teknologjisë së Lozanës së Federatës Zvicerane, Universiteti Mellon i Katarit, Universiteti i Tuluzit të Francës dhe universitete të tjera nga Evropa, Azia dhe Afrika.
Ëndrra e babait iu bë realitet
Merita Kasa, njëra nga katër fëmijët e një familje më origjinë kërçovare që shumë vite më parë ishin zhvendosur në Tetovë me të njëjtën arsye, të jenë sa më afër arsimit. Përpara se Merita të kishte lindur dhe përpara se Universiteti i Tetovës të bëhej realitet, babi i saj bashkë me vëllezërit kishin ardhur në Tetovë për t’iu afruar sa më pranë kryeqytetit ku ndodhej i vetmi universitet. Pasi kishte përfunduar shkollën e lartë të inxhinierisë së tekstilit dhe rreth 15 vite punë në fabrikën e tekstilit në Tetovë, tranzicioni në Maqedoni do të detyronte Ismet Kasën, babain e Meritës të merrte rrugën e mërgimit drejt Kroacisë ku me një punë sezonale për vetëm 4 muaj, ai do të siguronte ekzistencën për familjen e tij dhe katër fëmijët për të cilët kishte vetëm një ëndërr – “arsimin dhe shkenca”. Edhe këtë verë, ai ndodhej në Pullë të Kroacisë ku dhe mori lajmin e parë për realizimin e ëndrrës së tij. Bursa nga kompania “Google” për vajzën e tij Meritën, ishte shpërblimi më i madh për të, edhe pse do ti duhen edhe disa muaj për të pritur që këtë gëzim ta festojnë bashkë./Arben ZEQIRI/KOHA

Vlerëso tekstin

Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni