Anders Behring Breivik në shkrimet e tij ka menduar me detaje të gjitha lëvizjet për dëbimin e muslimanëve nga Europa dhe se çfarë do të bëhet më pas me territoret e lëna bosh. Në një prej paragrafëve me titull: “Krijimi i përkohshëm i zonave të sigurta tranziti në Anadollin perëndimor, Liban dhe Shqipëri”, ai propozon kthimin e këtyre zonave në shtëpi të përhershme të pakicave të ndryshme të krishtera. “Kur popullata muslimane të jetë dëbuar nga Europa, do të kemi zona të mëdha të papopulluara në Shqipëri, në Anadollin perëndimor dhe Liban me kapacitet për të ofruar një shtëpi të përhershme, pakicave të ndryshme të krishtera. Do të jenë zona të gjera në Shqipëri, të cilat ndoshta mund të jenë shtëpia e përkohshme e disa prej këtyre minoriteteve në varësi të aneksimeve të territoreve të Lindjes së Mesme” – shkruan Breivik. 32- vjeçari nga Norvegjia, në dokumentin e tij kërkon me çdo kusht dëbimin e muslimanëve nga Europa si dhe zaptimin e territoreve të shteteve islamike për t’i shndërruar më pas në zona jetese për të krishterët. Duke qenë se Shqipëria është një shtet me pjesën më të madhe të popullsisë muslimane, ai propozon veprime ekstremiste për t’i shfarosur të gjithë muslimanët e Shqipërisë dhe sjelljen në këto territore të serbëve dhe grekëve. Në këtë dokument, Breivik përmend Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun, si luftëtarin e zellshëm kundër islamit dhe propozon shpalljen edhe prej shteteve të tjera si Hero të Krishterimit. Në fund të dokumentit, një vëmendje të veçantë i kushton dhe dy partive jo-muslimane në Shqipëri, përkatësisht Partia Demokristiane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, si parti që luftojnë për të drejtat e të krishterëve.

SHPËRNDAJE