Policia e Tepelenës ka bërë të mundur arrestimin e një 63-vjeçari pasi akuzohet për zjarrëvënie të qëllimshme. Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Servet Sina, lindur dhe banues në fshatin Dhëmblan të rrethit Tepelenë.

Sipas policisë 63-vjeçari më datën 26.08.2012, rreth orës 17.00 , në vendin e quajtur Ormëne”, në malin e Shtëpëzit, mbi Shkallën e zezë, i ka vënë zjarrin kodrave me qëllim rigjenerimin e kullotës dhe hapjen e kullotave të reja pasi ky shtetas mban bagëtitë e tij në këtë pyll.

Si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur në një sipërfaqje shumë të madhe kullote , dhe gjatë orëve të para të mëngjesit zjarri ka përfshirë edhe pyllin me lisa në malin e Shtëpëzit.

Në vendngjarje kanë mbritur forcat e policisë, policia pyjore dhe punonjësit e komunës Qëndër Tepelenë si dhe banorë të fshatit Shtëpëz pasi zjarrfikësja nuk shkonte për mungesë rruge.

Si pasojë e zjarrit duke u favorizuar nga era e fortë brenda pak orësh janë djegur 65 hektarë kullotë midis fshatit Shtëpëz dhe pyllit të Ujit të Ftohtë Tepelenë.

Gjithashtu po si pasojë e zjarrit favorizuar nga era, janë përfshirë nga flakët 10 hektarë pyll me lisa e shkozë ku janë djegur plotësisht, pronë e Drejtorisë Pyjore.

Nga ekspertiza e bërë në vendngjarje nga Ekspertë të policisë pyjore ka rezultuar se është shkaktuar një dëm prej rreth 135 miljonë lekë të vjetra.

Ndërkohë në qarkun Gjirokastër këtë verë janë evidentuar 11 raste zjarresh të qëllimshme dhe të gjitha rastet janë me autorë të arrestuar, ku për këto raste janë arrestuar 14 autorë si zjarrvënës të qëllimshëm.

SHPËRNDAJE