Tiranë, 21 tetor – Një argjendari është tentuar të grabitet pasditen e sotme mes rrugës “Siri Kodra” e “Ferid Xhajko”. Ngjarja është shënuar rreth orës 17 e 35 minuta, raporton TV News24, duke shtuar se brenda argjendarisë ka pasur të shtëna dhe se një person është vrarë. Vetëm pak minuta më vonë policia konfirmoi se viktima është pronari i argjendarisë, Rrapo Sinanaj, 62 vjeç.

Sipas dëshmive të para, grabitësi ka hyrë në argjendari i maskuar dhe i ka kërkuar pronarit pazarin ditor, unazat dhe bizhutë e florinjta në banak.

Autori i ka qenë i maskuar dhe është konfliktuar me pronarin prapa banakut. Në momentin kur pronari ka arritur t’i heqë maskën, grabitësi e ka qëlluar me plumb në kokë, deklaroi reporteri i “Gazetës shqiptare” nga vendi i ngjarjes .

Ekspertë të kriminalistikës ndodhen brenda në argjendari dhe po kryejnë veprimet hetimore. Policia ka ngritur postblloqe për arrestimin e grabitësit dhe personat e tjerë që mund të kenë bashkëpunuar.

Policia ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Ndërkohë që ekzistenca e një kamere sigurie brenda në argjendari (nëse ajo ka qenë e ndezur) mund të jetë prova kyçe për të zbardhur identitetin e autorit të grabitjes.

SHPËRNDAJE