Portali Telegrafi.com sot mbush pesë vjet të ekzistimit të tij. Gjatë këtyre viteve, Telegrafi ka vazhduar të përmbushë misionin e vet. Përveç se ka ofruar një dritare për informim të shpejtë dhe të pavarur në gjuhën shqipe, ka vendosur standarde për zhvillimin e portaleve dhe faqeve të tjera të internetit. Telegrafi ka ndikuar në azhurnimin e faqeve ekzistuese shqiptare, ndërkaq suksesi i tij ka nxitur kompani e individë që të fillojnë projekte të ngjashme.

Telegrafi – pesë vite së bashku

Portali Telegrafi me xhelozi e ruan pavarësinë e tij dhe emrin e besueshëm që ka krijuar në mesin e lexuesve. Kjo pavarësi redaktuese ka ndikuar që portali ynë të jetë burimi më i besueshëm i lajmeve.

Telegrafi mbetet portali më i vizituar në gjuhën shqipe – me rreth 6.300.000 vizita në muaj dhe me rreth 33.000.000 faqe të shfletuara, ndërsa vazhdon të zhvillohet me një rritje rekorde. Është portal dominues në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, dhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët. Prapa suksesit të Telegrafit qëndron stafi profesional, i cili përmes përmbajtjes origjinale e të paanshme bën që këto shifra të lëvizin çdo ditë pozitivisht.

Padyshim se të gjitha këto të arritura janë bërë të mundura falë përkrahjes së vazhduar që kemi pasur nga lexuesit, ndërsa përmirësimi ynë varet edhe nga këshillat, sugjerimet, kritikat, idetë dhe gjërat tjera që vijnë nga Ju.

Nga përvjetori i kaluar e deri më tani kemi arritur që me sukses të implementojmë trendët e fundit të teknologjisë informative dhe të ofrojmë produkte dhe shërbime inovative në treg për vizitorët dhe klientët tanë. Përmes platformës së re të reklamimit, klientët tanë arrijnë që me kohë dhe me sukses t’i plotësojnë objektivat e kampanjës së tyre. Duke filluar nga një buxhet minimal, ne ofrojmë pozicionet kryesore dhe menaxhimin e tyre, varësisht nga qëllimi juaj. Ndërsa, të gjithë banerët e kanë mundësinë e menaxhimit – sipas qëllimit dhe objektivave të klientëve.

SHPËRNDAJE