(AIK-Presheva Jone)/Bota Sot

Ekspozita Ndërkombëtare, “Net/Rrjet -2010”

“Teknologjia sociale”, është koncepti i ekspozitës tashmë ndërkombëtare, “Net/Rrejt-2010”, që u hap mbrëmë në Galerinë, “Expoart. 40”.

 

Në Galerinë, “Expoart.40”, për herë të dytë mbahet ekspozita, “Net/Rrjet -2010”. Mbrëmë në hapjen e kësaj ekspozite ishin edhe pjesëmarrësit, ata që i shtuan edhe më shumë ngjyrë atmosferës. Ndërsa ishte piktorja Majlinda Kelmendi, co-koordinatore e kësaj ekspozite dhe njëkohësisht drejtoreshë e “Expoart.40”, që shpalosi për gazetën tonë ecurinë e organizimit të ekspozitës. Ajo ndër të tjera vuri theksin tek dy risitë e këtij edicioni. “Është statusi ndërkombëtar dhe kahja tërësisht teknologjike e prurjeve, që do të karakterizojnë edicionin e dytë të ekspozitës ‘Net /Rrjet’, e që organizohet çdo vit me kuratorë dhe koncept të ndryshëm. Për këtë vit, kurator është zgjedhur Zeni Ballazhi, i cili ka përzgjedhur ‘Teknologjia sociale’, si koncept kuratorial ”,- ka nënvizuar Kelmendi. Ndërkaq muratori, Zeni Ballazhi, falënderoi drejtoreshën e galerisë, znj. Kelmendi, për mundësinë e bashkëpunimit në këtë projekt. “Për të organizuar një ekspozitë është një betejë, një përkushtim, një lodhje deri në ezaurimin fizik. Koncepti i edicionit te dytë është një përpjekje për t’u përcaktuar kuptimin ambivalent mediave të reja ose teknologjive të reja drejtuar nga artistët, që punojnë me këto media apo teknologji për të mbajtur pushtetin. Sa këto media janë duke u përdorur për të kondicionuar socialen, a janë të kufizuara në shprehje, mbikëqyrje dhe kontrollim të qasjes”,- tha kuratori. Ai shpjegoi se si kjo ekspozitë shqyrton supozimin se në një shoqëri gjithnjë e më shumë të ndikuar nga mediat e më pak nga arti si dhe ndryshimin e përmbajtjes së medias nga arti. “Struktura e medias mund të kontribuojë dukshëm në demokratizimin e shoqërisë, duke ndryshuar përmbajtjen dhe ristrukturimin e mediave. “Veprat e ekspozuara janë metafora të fuqishme të këtij realiteti, që e jetojmë me intensitet, artisti në të njëjtën kohë formulon konceptin e vet në vendin ku jeton. Mendoj se çdo teknologji audio-vizuale dhe multimediale ngre pyetje të reja estetike. Është një rrugë e gjatë, e cila na premton origjinalitet dhe novacion pa mbarim”,- ka shtuar ai. Nga ana tjetër bashkëkoordinatorja dhe një nga pjesëmarrëset në këtë ekspozitë, Fitore Isufi-Koja, ka zbuluar edhe idenë e krijimit të një ekspozite të përvitshme në “Expoart.40” si dhe qëllimin, që ka të bëjë me mbajtjen aktive, të jetës artistike të kryeqytetit, por edhe trajtimin e temave preokupuese globale përmes koncepteve kuratoriale dhe atyre artistike. “Këtë vit, që është edicioni i dytë, kjo ekspozitë vjen më e përgatitur, duke e marrë tashmë statusin ndërkombëtar. Kjo tregon se kjo ekspozitë tashmë është e specifikuar dhe orientuese për artistët, mediat dhe gjithë të tjerët, që shfaqin interesim në këtë art. Koha kur organizohet kjo ekspozitë është koha kur organizohen ekspozitat e mëdha të artit bashkëkohor në dy galeritë shtetërore shqiptare, në atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, respektivisht, “Çmimi Muslim Mulliqi” dhe “Onufri”. Në këtë formë Galeria “Expoart.40”, është një alternativë mjaftë e mirë për artistët shqiptar, duke e prezantuar punën e tyre krahas atyre ndërkombëtarë”,- ka bërë të ditur Koja.

SHPËRNDAJE