Shëndeti 

Shkencëtarët janë duke grumbulluar fakte që tregojnë se periudha të shkurtra agjërimi, nëse mbahen nën një kontroll mjekësor, mund të sjellin përfitime për shëndetin tonë. Një prej tyre është edhe ndihma që mund t’i japim peronave mbi peshë, për t’u çliruar nga kilogramët e tepërt.

Por zakonisht, në legjendën urbane, agjërimi ka një konotacion jo pozitiv, shihet si diçka e pakëndshme, që nuk sjell përfitime afatgjata. Megjithatë, bëhet fjalë për një legjendë, sepse shkencëtarët, që merren ndikimin e ushqimit në shëndetin tonë, kanë nisur të grumbullojnë fakte që të provojnë të kundërtën e kësaj përshtypjeje. Këto fakte thonë se periudha të shkurtra dhe të mirëkontolluara çojnë në një përmirësim të trupit. Këta shkencëtarë janë të rrymës që mbështesin faktin se të hash pak, do të thotë të ndikosh për mirë në jetëgjatësinë tënde. Dhe është e mundur që të merret një përfitim i tillë pa dhembje. Në lidhje me plakjen, zakonisht gjithçka që ka të bëjë me të, për sa i përket trupit dhe mendjes, kryesisht shkruhet në gjenet tona, por nga ana tjetër, edhe ne vetë mund të përmirësojmë situatat gjenetike përmes mënyrës së duhur jo vetëm të të lëvizurit, pra, stërvitjeve fizike, por edhe të të ngrënit. Reduktimi i kalorive, ngrënia mirë, por jo shumë, është një nga pak gjërat që tregojnë se si ushqimi ndikon në jetëgjatësinë tonë. Deri tani një gjë e tillë është verifikuar tek kafshët. Kështu që nga viti 1930 dimë se minjtë, që vendosen në një dietë me pak kalori, jetojnë më gjatë se ata që hanë me shumicë dhe që marrin një sasi të madhe kalorish. Ka fakte gjithnjë e më të shumta se një gjë e tillë është e vërtetë edhe tek majmunët.

 

Hormoni i rritjes

Rekordin botëror të zgjatjes së jetës tek një gjitar e mban një lloj i ri miu, që jeton 40% më shumë nga sa e ka në racë. Nëse do ta krahasonim me jetën e njeriut, bëhet fjalë për një jetëgjatësi deri në 120 vjet. Ky mi është përpunuar gjenetikisht në mënyrë që trupi i tij të prodhojë një sasi shumë të vogël të hormonit të rritjes, me emrin IGF-1. Niveli i lartë i këtij hormoni duket se çon në përshpejtimin e procesit të plakjes, si tek njerëzit, ashtu edhe tek kafshët dhe është i lidhur me shfaqjen e shumë sëmundjeve që e kapin njeriun, për shembull, në moshë të madhe. Ndërkohë niveli i ulët i këtij hormoni është më mbrojtës dhe ngadalëson plakjen e trupit. Një mutacion i tillë gjenetik, jo artificial, por natyral gjendet tek njerëzit që kanë sindromën “Laron”, një kondicion i rrallë, që prek në të gjithë botën rreth 300 vetë. Niveli shumë i ulët i hormonit të rritjes, që vihet re tek këta persona, duket se i mbron ata nga shumë sëmundje të rënda, jo vetëm nga tumoret, por edhe nga sëmundje që lidhen me moshën. Ky hormon, që i ngjan insulinës, është një nga autorët që e mban trupin tonë në gjendje të riprodhimit të qelizave. Prej tij riprodhohen qelizat. Ky hormon është shumë i mirë, ndërsa jemi në fazën e rritjes, por nuk është i tillë me kalimin e viteve.

 

Por tani del se niveli i këtij hormoni mund të zvogëlohet pikërisht përmes agjërimit. Duket se për këtë arsye, trupat tanë nuk kanë më akses tek ushqimi i përditshëm dhe “shkëputen” nga “rritja”, ose “riprodhimi i shpeshtë i qelizave” dhe shkojnë në një gjendje më shumë “ruajtjeje” se sa aktiviteti. Ndërsa nivelet e këtij hormoni bien, ngadalësohet edhe procesi i “rritjes” dhe disa gjene “pushojnë përkohësisht” së funksionari.

 

Ndërprerja e agjërimit

 

Një nga pikat e kërkimeve shkencore në lidhje me dietat është edhe ajo që quhet Dieta e agjërimit alternativ, që ka të bëjë me ngrënien e asaj që pëlqejmë më shumë gjatë një dite dhe më pas ndërmarrjen e një diete shtrëngimi dhe reduktimi ushqimor në ditën pasuese. Pra, me pak fjalë, konsumimin jo më shumë se të 600 kalorive. Është vënë re që gjatë këtyre ditëve të reduktimit të të ngrënit, që janë ndërmjet ditëve kur ushqehemi si zakonisht, sistemi kardiovaskual duket se punon më mirë dhe është më i lehtë. Gjithsesi, ende nuk ka rregulla fikse në lidhje me mënyrën se si duhet alternuar dita kur ushqehemi bollshëm me ditën kur e reduktojmë në maksimum ushqyerjen. Ajo që dihet është se ditë të tilla “jo” për ushqimin shërbejnë për një pastrim dhe lehtësim të organizmit nga ngarkesat e përditshme, me të cilat e rëndojmë organizmin.

Gjithsesi, duhet thënë se teoria për agjërimet e herëpashershme ende mbetet një teori e pakonfirmuar, të paktën tek njerëzit. Studime kryhen dhe eksperimente janë bërë tek kafshët, por për një verifikim do të duheshin më shumë eksperimente edhe tek njerëzit, që të përbënte një rregull. Por në këto kushte, rregulli është se, nëse dikush dëshiron ta provojë agjërimin, duhet ta bëjë nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e mjekut. Bëhet fjalë për mjekun dietolog. Kjo sepse ka shumë njerëz, si për shembull gratë shtatzëna apo diabetikët që marrin ilaçe, për të cilët një mënyrë e tillë do të ishte me të vërtetë e rrezikshme. (marre nga SHQIP)

SHPËRNDAJE