TË MBROSH PEJGAMBERIT A.S. DMTH TË MBROSH NJERËZIMIN, CIVILIZIMIN

Shkruan: Bahri CURRI

 

Në rrjedhat e ngjarjeve nëpër botë, kohëve të fundit, vërejmë aktivitete nga më të ndryshmet. Sa fisnike e humane në dobi të njerëzimit, por edhe të tjera sa çnjerëzore e të ulta në dëm të njerëzimit.

Në këtë shkrim do të ndalem vetëm në një aspekt të tërë kësaj. Në fushën e ngacmimit të ndjenjave dhe të provokimit të bërë ndaj muslimanëve, komunitetit më të madh fetar në tërë rruzullin tokësor. Thuaja nuk po mjaftojnë vatrat e krizave, luftërat dhe masakrat që po bëhen nëpër vendet e populluara me muslimanë, ku rasti më i freskët është Siria ku pushteti aktual ‘kriminel’ ushtron të gjitha format e dhunës ndaj popullatës së pafajshme, por kësaj ia shtojnë edhe fushatën e ekzgjaruar për njollosjen e imazhit të Pejgamberit të Islamit, Muhamedit a.s. dhe ofendimin e rëndë ndaj tij. Kjo trazoi muslimanët anembanë botës, të cilët duke qenë të zemëruar reaguan në forma të ndryshme në mbrojtje të Pejgamberit të tyre.

Ne do ta shtjellojmë këtë duke kaluar nëpër disa pika:

Kur’ani e Suneti janë të shenjta për muslimanët

Kur’ani e Suneti janë të shenjta për muslimanët dhe janë burimet themelore të besimit të tyre, në bazë të të cilave ata e ndërtojnë edhe jetën e tyre. Andaj prekja në to është e dënueshme dhe reflekton me reagimin e vendosur të muslimanëve për mbrojtjen e tyre me çdo kusht. Kjo është dëshmuar sa herë gjatë historisë, andaj njerëzit nuk bën ta harrojnë këtë fakt dhe duhet të kenë kujdes në respektimin e tyre.

Muhamedi a.s., Pejgamber i Zotit

Muhamedi a.s. nuk pasqyron vetëm një individ të thjesht nga shoqëria islame, gjegjësisht nga Umeti, por është Pejgamberi i këtij Umeti, njeriu më i zgjedhur nga njerëzimi në të gjitha kohërat. Është shembulli ideal i muslimanëve dhe pasqyron vullnetin e Allahut, i cili me Shpalljen nga Zoti kumton programin e Allahut për tërë njerëzimin. Që do të thotë se ai nuk është “I Dërguar” vetëm i muslimanëve, por i tërë njerëzimit, pa marrë parasysh vendin, kohën, ngjyrën, racën apo gjuhën. Ai është ndërmjetësi mes Allahut e njerëzimit. Ai përcjell nga Zoti tek njerëzimi Mesazhin Hyjnor, për këtë dhe ai vlerësohet e respektohet lart nga ana e muslimanëve, madje është edhe kusht i besimit që ta duam atë më shumë se vetveten, familjen, pasurinë dhe pozitën.

Ofendimi i Allahut dhe i Muhamedit a.s., Kur’anit dhe Sunetit

Dihet qartë se ofendimi i këtyre dënohet rëndë dhe luftohet me vendosmëri. Ata ofendues të tillë janë të mallkuar. Allahu xh.sh. në Kur’an thotë:

“E s’ka dyshim se ata janë të cilët e fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar Allahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm. E ata që fyejnë besimtarët dhe besimtaret, për çka ata nuk janë fajtorë, ata kanë ngarkuar veten me një mëkat shumë të madh.” (Ahzabë, 57-58).

Të tillët do të përjetojnë dënime të rënda në dynja e në ahiret në forma të ndryshme. Për këtë arsye dhe është shumë e natyrshme që muslimanët kudo në botë nuk tolerojnë asfare lloji të talljes dhe ofendimit të Pejgamberit të tyre, gjë e cila është edhe obligim fetar në Islam.

Tentimi për zhdukjen e Kur’anit e Sunetit dhe sulmet ndaj Islamit

Armiqtë e Islamit me kohë e kanë kuptuar që Kur’ani dhe Suneti kanë ndikim themelor në jetën e muslimanëve, andaj dhe janë përpjekur për zhdukjen tërësishme të tyre. Por kanë rezultuar me pasukses, këtë e dëshmon edhe  historia sa e sa herë. Atëherë janë përpjekur që të paktën të bëjnë ndarjen e Sunetit nga Kur’ani, por edhe kjo iu dështoi. Më pas u angazhuan në një aspekt tjetër, u mobilizuan në fusha të ndryshme që së paku këta muslimanë t’i largojnë nga lidhja e tyre me Kur’anin e Sunetin, përkatësisht të formojnë muslimanë pa Islam. Me këtë hap ata synojnë që gradualisht ta zbehin këtë Islam deri në zhdukjen totale të tij. Por edhe pse deri diku ata ndoshta vjelin disa “suksese” në teren, por megjithatë edhe kjo u dështon. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata përpiqen me gojët e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, e Allahu nuk do tjetër, pos ta përsosë dritën e Tij, ndonëse jobesimtarët e urrejnë. Ai (Allahu) është që e dërgoi të Dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët.” (Tevbe, 32-33)

Edhe pse ata e bëjnë tërë këtë punë për njollosjen e Islamit me sulmet e llojllojta, jo vetëm që po dështojnë, por edhe po nxitin njerëzit anembanë botës që t’i kthehen mësimit të Islamit që më pas rezulton me hyrjen e tyre në Islam. Kjo për faktin se ata po shohin një realitet tjetër nga ajo që po u imponohet në medie, dhe është mu ajo që ata po e kërkonin qe sa kohë.

Sulmet e 11 shtatorit të 2001 rezultuan me pranimin e Islamit të 20.000 njerëzve anembanë botës. Edhe ky filmi i fundit që doli kohëve të fundit “Innocence of muslims” (Pafajësia e muslimanëve) për ofendimin e Pejgamberit a.s. nxiti kureshtjen e shumë njerëzve për të lexuar për Muhamedin a.s. të paktën për të parë se a është e vërtetë ajo që po proklamohet në këtë film amatoresk. Ata jo vetëm që u bindën se ajo ishte e pavërtetë por edhe me vendosmëri e bindje të thellë, vetëm 4-5 ditë pas publikimit të atij filmi, së paku 360 amerikanë pranuan Islamin. Po ashtu vetëm në Ramazanin e këtij viti (2012) kanë ardhur në Arabinë Saudite mbi 600 persona jomuslimanë, të cilët kanë pranuar Islamin. Edhe rasti i pastorit amerikan që dogji Kur’anin me urrejtje të madhe, ai vetëm se shtyri shumë jomuslimanë që ta blejnë Kur’anin për të parë se çfarë qenka ky libër, por po ashtu rezultoi me kthimin e shumë njerëzve në Islam.

Sulmi ndaj Pejgamberit a.s.

Sulmet ndaj Pejgamberit a.s. nuk kanë të ndalur. Ato datojnë që nga koha e vet Pejgamberit a.s. sa ishte gjallë, ku bashkëkohësit e tij e sulmonin duke e etiketuar me gjithçka të ultë e të shpifur. Andaj ne muslimanëve nuk na çudit fakti i sulmeve të tilla nga jomuslimanët. Por lidhur me këtë dua të theksoj se ne si muslimanë duhet të kemi kujdes nga shprushja e këtyre sulmeve dhe mediatizimi i tyre i qëllimshëm në kohë e vende të caktuara. Pse e themi këtë? E themi këtë për arsye të shumta.

Nuk është hera e parë që janë bërë filma duke sulmuar e ofenduar Muhamedin a.s. Në vitin 1911 në Itali një aktor italian e luan rolin e Muhamedit a.s. duke denigruar personalitetin e Pejgamberit, por nuk u publikua dhe askush nuk e mori vesh, madje vdiq duke u vra dhe askush nuk e kuptoi. Pastaj më 4 qershor 2001 u bë seria e filmave vizatimorë duke ofenduar Pejgamberin, por nuk iu dha shumë hapësirë publicistike dhe nuk u mor vesh. Po ashtu u bë edhe një lojë kompjuterike e quajtur “Lufta e Shenjtë” ku shkelej personaliteti i Muhamedit a.s. Edhe kjo nuk u njoh shumë, e as nuk u mediatizua.

Fillimi i trazirave

Në shtator të vitit 2005 filluan trazirat. Pse? A thua më herët s’pati ofendime ndaj Pejgamberit që duhej të reagohej. Nuk ka qenë çështja që edhe atëherë se kanë ditur muslimanët se po bëhet ofendim ndaj Pejgamberit, por kanë reaguar me mençuri duke i anashkaluar ngacmimet dhe provokimet nga qarqe të caktuara me qëllime të caktuara.

Por kësaj here dikujt i konvenonte që ta merrnin vesh krejt muslimanët e botës për këtë ofendim dhe të manipulonin me ndjenjat e tyre.

Një nga organizatat islamofobe, me projektin e tyre për karikaturat përqeshëse ndaj Pejgamberit Muhamed, kërkuan bashkëpunim në këtë aspekt me gazetat prestigjioze në Evropë, të cilat nuk pranuan një bashkëpunim të tillë. Andaj ata u orientuan tek një gazetë e vogël daneze, e cila thuajse ishte para falimentimit dhe i ofruan shuma të majme, dhe e bënë publikimin atyre karikaturave ofenduese. E më pas publikuan lajmin në tërë mediet se filan gazeta e tillë publikon karikatura përqeshëse ndaj Muhamedit dhe muslimanëve. Dhe kështu pastaj filluan trazirat në tërë botën.

Po ky elan përçmues e sulmues ndaj Pejgamberit nuk u ndal aspak, por kësaj here provuan tashmë, jo vetëm nga Evropa me gazetat e ndryshme, por edhe nga Amerika tanimë duke bërë një film amatoresk të metrazhit të shkurtër i quajtur “Innocence of Muslims” (Pafajësia e muslimanëve) të bërë nga Nokaula Basseley i njohur edhe si Sam Bacile. Duke mos harruar të cekim edhe botimin në vitin 1988 të librit “Vargjet Satanike” të autorit anglez me origjinë indiane Salman Rushdi, i cili me këtë libër ofendon rëndë të Dërguarin tonë.

Reagimi i muslimanëve

Duke u nisur edhe nga praktika e sahabëve, të cilët garonin për praktikimin e Sunetit të Pejgamberit a.s. dhe për ta mbrojtur atë me çdo kusht, ne përkrahim protestat dhe reagimin e muslimanëve kundër këtyre sulmeve e ofendimeve. Dhe madje thërrasim me ngulm në mbrojtjen e Pejgamberit a.s. dhe të Sunetit të tij. Edhe pse ata nuk mund ta njollosin aspak personalitetin e tij, sepse edhe Allahu i thotë Pejgamberit a.s. në Kur’an:

“S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen.” (Hixhr, 95)

Si dhe:

“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd! E s’ka dyshim se urrejtësi yt është farësosur.” (Kevther, 1-3)

Si dhe:

“Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë! Ti, me dhuratën (pejgamber) e Zotit tënd, nuk je i çmendur! Dhe se ti, pa dyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit! Më vonë ti do të shohish, e edhe ata do të shohin.” (Kalem, 1-5)

Ata assesi s’mund ta njollosin personalitetin e Pejgamberit tonë të dashur, dhe ne duhet të reagojmë lidhur me ofendimet e tilla që bëhen. Por duhet të kemi kujdes dhe parasysh faktet si në vijim:

1.    Është shumë e vërtetë që ne nuk lejojmë që të ofendohet e sulmohet Pejgamberi ynë i dashur. Ne duhet të reagojmë me mendje, kulturë e urtësi, e nëse është nevoja edhe me forcë. Por duhet të koordinohemi si muslimanë në reagim. Masa e gjerë nuk duhet të reagojë vetvetiu, por duhet dëgjuar dijetarët dhe udhëheqësit e tyre. Së pari, si në rastin konkret, duhet të reagojnë elita e dijetarëve, dhe nëse e shohin të udhës, atëherë duhet të veprohet edhe me operime të koordinuara. Pra të mos veprohet vetmas, e me fetva të dijetarëve të ndryshëm ndaras dhe ndonjëherë edhe kundërthënëse.

2.    Të mos biem viktimë e manipulimeve të grupeve të ndryshme antiislamiste, të cilat qëllimisht bëjnë provokime të tilla në këto kohë për të mbuluar edhe gjurmët e veprimeve të tyre ekstremiste e radikale kundër njerëzimit në përgjithësi, e kundër muslimanëve në veçanti. Ne duhet të reagojmë ashtu si na konvenon neve dhe kur na konvenon neve, e jo kur e si u konvenon atyre. Madje reagimet e dhunshme, si ajo në Libi që rezultoi me vdekjen e ambasadorit amerikan dhe zyrtarëve tjerë, paraqiten me pompozitet nëpër medie për të shfaqur gjoja “egërsinë” e muslimanëve. Ndërsa protestat e qeta, të matura, madje thirrjet e dijetarëve muslimanë për vetëpërmbajtje dhe respektim të feve, ata as që i publikojnë, por vetëm i fshehin.

3.    Reagimi më i mirë ndonjëherë, e ndoshta edhe në këtë rast, është anashkalimi i këtyre gjërave dhe mos angazhimi më to duke i nënvlerësuar vetvetiu. Këtë bindje na e forcon edhe më shumë thënia e Umerit r.a., i cili thotë: “Mbyteni (vriteni) të kotën me heshtje, e mos e shprushni atë, e të kthehen e të merren me të njerëzit nuhatës (hulumtues) të të këqijave”.

4.    Të respektohen fetë. Ne u bëjmë thirrje atyre që ta respektojnë fenë tonë, edhe nëse nuk e besojnë, së paku ta respektojnë sikur që e respektojmë edhe ne fenë e tyre. Fundja edhe Allahu thotë:

“Ju keni fenë tuaj (që i përmbaheni), e unë kam fenë time (që i përmbahem)!” (Kafirunë, 6)

Edhe pse ky Muhamed, të cilin ju po e ofendoni, është Pejgamber edhe i juaji, sepse ai është dërguar për tërë njerëzimin. Por meqë s’po i besoni, së paku respektojeni dhe mos e ofendoni. Ata bëjnë gabim pas gabim, lëre që se besojnë, por madje edhe e ofendojnë e tallen me të.

5.    Ne fajësojmë vetëm personat dhe grupet e involvuara në ofendim e jo tërë popullin, apo njerëzit e pafajshëm. Ne nuk fajësojmë tërë popullin amerikanë, e as tërë të krishterët, por vetëm ata që kanë marrë pjesë në tërë këtë ofensivë dhe meritojnë të dënohen.

6.    Nga kjo duhet të shikohet se kush përfiton nga tërë këto trazira. Dihet se muslimanët nuk përfitojnë aspak, madje dëmtimet materiale të bëra në vendet e tyre ata vetë duhet t’i paguajnë. Ose edhe me trazirat e ndryshme nëpër botë rrihen, maltretohen e burgosen e ndoshta edhe vriten. Nuk përfitojnë as lëvizjet islamike përbrenda muslimanëve, ngase po zbulohen me veprimet e tyre përballë armikut. Përfiton Irani për të theksuar antiamerikanizmin nëpër botë dhe për të përfituar përkrahës të rinj. Përfiton Izraeli për të destabilizuar shtetet muslimane përreth, sidomos ato që nuk janë qetësuar akoma pas ‘Pranverës Arabe’. Përfitojnë qeveritë e ndryshme perëndimore, të cilat duke kërkuar falje lidhin kontrata fitimprurëse për naftën etj.

7.    Provokuesit e tillë janë duke manipuluar me ndjenjat e muslimanëve dhe po matin impulsin e tyre, për të parë se si po reagojnë dhe çka po ndërmarrin. Për të parë se sa janë unik, sa janë të lidhur, dhe sa janë të vetëdijshëm dhe efikas për veprimet e tyre etj.

8.    Ne thërrasim për revolucion e protestë për të mbrojtur Pejgamberin tonë të dashur. Por jo duke dalë në rrugë e me trazira, zaten këtë edhe po e dëshirojnë provokuesit e tillë. Por duke iu përmbajtur Sunetit të tij, duke garuar mes nesh që sa më shumë ta praktikojmë programin e jetës së tillë. Në fakt ata provokues kanë frikë nga praktikuesit e mirëfilltë të Sunetit e jo nga njerëzit e rrugëve. Është e vërtetë se jomuslimanët nuk kursejnë dot për ta ofenduar Pejgamberin tonë, por mos harroni se edhe ne muslimanët mund ta ofendojmë të Dërguarin tonë me moszbatimin e Sunetit të tij. Pejgamberi a.s. na dëfton se atij i janë dhënë pesë veçori që s’i janë dhënë asnjë Pejgamberi më parë, e njëra prej tyre është ku thotë: “Jam ndihmuar me frikë, sa ec njeriu një muaj larg distancë!” që do të thotë se qafirat frikësohen nga muslimanët e devotshëm, që mirëfilli i përmbahen Sunetit, edhe po të jenë në distancë një muaj larg udhëtim.

Pra me dije, me mësim, lexim, e me urtësi e mençuri e me zbatim të mirëfilltë të Islamit e mbrojmë edhe Pejgamberin, edhe Kur’anin, edhe Islamin në tërësi.

Allahu thotë:

“O besimtarë, nëse ju ndihmoni (fenë) Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe u forcon këmbët tuaja.” (Muhammed, 7)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni