Berisha vizitë zyrtare më 9 dhe 10 shkurt në Azerbajxhan, diskutime mbi gazsjellësin

Në kuadër të lobimit për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe realizon 1 miliard euro investime, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një vizitë zyrtare më 9-10 shkurt në Azerbajxhan. Duke folur për rëndësinë e këtij projekti, shefi i qeverisë u shpreh se kalimi nëpër territorin e Shqipërisë, i kursen projektit Trans Adriatik disa miliardë euro, pasi është projekti më i shkurtër dhe më i shpejtë për t’u realizuar. Kryeministri Berisha tha se Konferenca e Sigurisë në Mynih diskutoi gjerësisht për korridoret e energjisë, ku dominoi tërësisht mendimi, se Korridori i rrymës së Jugut është i një rëndësie shumë të madhe për furnizimin dhe sigurinë energjetike të Europës.

“Korridori i quajtur ‘The Southern Corridor’, ‘Korridori i Jugut’, siç dihet ka disa variante, por varianti më fizibël, më i besueshëm, është varianti i gazsjellësit Trans Adriatik, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe realizon ndër të tjera, 1 miliard euro investime. Kalimi nëpër territorin e Shqipërisë, i kursen këtij projekti disa miliardë euro dhe e bën këtë projektin më të shkurtër dhe më të shpejtë për t’u realizuar. Kjo është një periudhë përcaktuese, sepse gjatë këtyre dy-tre muajve, merret vendimi përfundimtar nga konsorciumi i Detit Kaspik i përbërë nga një grup kompanish, ku natyrisht ndër më kryesoret është fjala e kompanisë kombëtare të Azerbajxhanit, vend që ka fushën e Shah Denizit, fushë me sasi kolosale gazi. Ka shumë tregues që duke e krahasuar këtë projekt me të gjitha projektet e tjera nga Nabuco dhe tre-katër projekte të tjera, Trans Adriatik është më i mundshmi”, tha kreu i ekzekutivit, ndërsa theksoi se për këtë projekt bisedoi përzemërsisht me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Heydar Oglu Aliev. Duke u ndalur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri Berisha u shpreh se për herë të parë konferenca dëgjoi ekspozenë e Sekretares së Departamentit të Shtetit, Hillari Clinton dhe të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Leon Panetta.

Kjo ishte hera e parë që dy qeveritarët ndër më të lartët të SHBA-së, iu drejtuan Konferencës së Mynihut dhe paraqitën strategjinë e re të sigurisë të qeverisë së SHBA-së, e cila do të ketë në vitet në vazhdim arenë kryesore Azinë dhe Pacifikun, duke dhënë të gjitha garancitë e plota se, Europa dhe Aleanca, mbeten tërësisht të pacenuara, theksoi Berisha, duke shtuar se bota është zhvendosur veçanërisht gjatë këtij 10-vjeçari me një shpejtësi të paparashikuar drejt Azisë dhe Pacifikut. Duke u ndalur në rrafshin ekonomik, shefi i qeverisë u shpreh se, “ekonomia e parë në botë është ekonomia e Bashkimit Evropian, kurse si shtet është e SHBA, kjo është e vërteta, por ritmet e ngjitjes së Azisë janë shumë të mëdha. Kështu që ka një realitet, që disa studiues duan ta quajnë bota postperëndimore. Ky realitet vjen si një produkt i globalizmit dhe efekteve të tij, të zhvillimit të fuqishëm të vendeve të kontinentit aziatik dhe të Pacifikut. Konferenca ishte për sigurinë, por pikërisht në kuadrin e sigurisë, dy çështje morën trajtimin më të gjerë, energjia dhe siguria. Kriza ekonomike dhe siguria ishin edhe dy çështje, të cilat u debatuan nga panelistë të elitës botërore, të kësaj fushe dhe për të cilat sigurisht Shqipëria, ka interesat e veta të mëdha”. Kryeministri Berisha tha se seanca më e rëndësishme ishte ajo që trajtoi krizën ekonomie, e cila kishte panelistë të një reputacioni botëror si Mario Monti dhe që u adresua me një fjalë, George Soros, Presidenti i Deutsche Bank, Ackermann dhe Schaublug ish-ministri i Financave të koalicionit të gjerë të Gjermanisë. Pati një analizë shumë të rëndësishme mbi krizën dhe rrugët e daljes prej saj. Në ekspozenë e tij, Kryeministri Monti, informoi dhe njohu audiencën me gjithë përpjekjet e qeverisë italiane për reformat e ndërmarra dhe rritjen e konkurrueshmërisë, si rruga e vetme për të dalë nga kriza, sigurisht dhe shkurtimin e shpenzimeve, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se masat e ashpërsisë nuk nxorën nga kriza, përkundrazi përgjegjësinë e tyre, në një recesion të pashmangshëm që troket.

Modeli ekonomik, do ketë si bazë standardet liberale

Kryeministri Berisha mbylli ditën e dielë vizitën e tij në Mynih, në Gjermani, ku mori pjesë në Konferencën e 48-të të Sigurisë, pas së cilës konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e mazhorancës për të nxitur rritjen ekonomike nëpërmjet lirisë ndaj biznesit privat. Gjatë një prononcimi për mediat, Kryeministri Berisha siguroi se modeli i ekonomisë në Shqipëri do të vazhdojë të bazohet në nxitjen e rritjes ekonomike, për rrjedhojë nxitjen e punësimit dhe rritjen e të ardhurave. Ai vlerësoi faktin që gjatë katër viteve të fundit, Shqipëria ka një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. “Faktikisht, Shqipëria në katër vitet e fundit, të marra së bashku, ka pasur një rritje ekonomike prej 18 përqind, rritje në distancë më të lartën në Evropë. Ky model ka nevojë të përsoset më tej. Natyrisht, jo me masa që godasin në palcë rritjen dhe biznesin, jo me masa të cilat nëpërmjet rritjes së taksave shkatërrojnë qindra dhe mijëra vende pune, por me standarde të tjera liberale, të cilat zgjerojnë hapësirën e iniciativës së lirë dhe nxisin bizneset. Në këtë kontekst, analizohen dy modele: një model i bazuar në një faturë shumë të madhe sociale dhe taksa të larta, i cili përjeton vështirësi serioze dhe një model tjetër i bazuar në nxitjen e rritjes ekonomike, i cili i qëndroi krizës dhe nuk njohu recesionin. Vizioni apo mësimi që nxirret është që të bëjmë gjithçka për të nxitur rritjen ekonomike, për të shfrytëzuar të gjitha potencialet që kemi në vend për ta nxitur atë, për të zgjeruar hapësirën, për të vazhduar përpjekjet për një zhvillim jeshil të vazhdueshëm të Shqipërisë”, theksoi Berisha. Dita e fundit e Konferencës së 48 pati si temë kryesore krizën ekonomike, krizën e borxheve dhe krizën e euros. Në këtë seancë, Kryeministri i Italisë, Mario Monti, njohu audiencën me të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë së tij për të nxjerrë Italinë nga kriza. Kryeministri edhe pse u shpreh pesimist për një zgjidhje të shpejtë të daljes nga kjo krizë, shprehu bindjen se të dhënat që vijnë nga Irlanda, njëlloj stabiliteti apo moskeqësimi i Spanjës, masat që po merr Italia, janë lajme pozitive, të cilat premtojnë për një mundësi kthese gjatë kohërave që vijnë.

Masa të ashpra për parandalimin e krizës

Kryeministri Berisha informoi se gjatë kësaj konference u debatua gjerësisht mbi kalimin e krizës së euros, ndërsa vlerësoi si të i rëndësishëm mendimin e Presidentit të Bankës Botërore, Robert Zoellick, por se masat e deritanishme, të ashtuquajtura masa të ashpërsisë, me rritje taksash, kanë qenë tërësisht të paefektshme. “Robert Zoellick, Mario Monti, George Soros, së bashku me Presidentin e Deutsche Bank, zotin Ackermann, siguruan si një rrugë të re domosdoshmërinë e përqendrimit, para së gjithash dhe mbi të gjitha, te rritja ekonomike, e cila përbën shtyllën kryesore të shanseve të qytetarëve të këtyre vendeve. Natyrisht, parashikimet për daljen e Eurozonës nga kriza nuk ishin dhe aq optimiste. Besohet se kjo do të jetë një krizë nga e cila do të duhen jo pak vite për të dalë, por e rëndësishme është se për herë të parë në këtë konferencë ndërkombëtare që u diskutua për krizën, u kërkua që të ndryshohen qëndrimet e deritanishme për daljen prej saj. Masat e ashpërsisë dhe paketa e tyre duhet, detyrimisht, të mos cenojnë rritjen ekonomike. U diskutua për borxhin dhe krizën greke”, theksoi Berisha.

SHPËRNDAJE