Në një ceremoni solemne, të mbajtur të shtunën në komunën e Tetovës, kryetari i komunës Prof. Dr. Sadi Bexheti ka shpallur “Qytetare Nderi të Tetovës” deputeten e parlamentit europian zonjën Tanja Fajon për angazhimin e saj të përhershëm dhe këmbëngulës për integrimin e popujve të rajonit në familjen e madhe europiane.

 

“Në periudhën kur popujt e Ballkanit e kishin të pamundur të lëvizin lirisht në vendet e BE-së ndjehesha shumë keq, ndërsa tani, kur shoh që shqiptarët dhe popujt tjerë të Ballkanit mund të lëvizin lirisht është një kënaqësi e madhe për mua, është arritje e përbashkët që sot të gëzojmë këtë të drejtë. Liberalizimi i vizave është një nga vlerat kryesore të BE-së, prandaj, presim që në të ardhmen edhe Kosova të fitojë liberalizimin e vizave që dhe qytetarët e këtij shteti të gëzojnë këtë të drejtë si një nga vlerat kryesore të BE-së”, tha Fajon.

“Të gjithë ne kemi ndjekur nga afër angazhimin e përhershëm dhe të përkushtuar të deputetes në parlamentin europian, zonjës Tanja Fajon. Ne i jemi mirënjohës zonjës Fajon për angazhimin e saj në drejtim të promovimit dhe konsolidimit të vlerave më të mira europiane në rajonin e Ballkanit”, tha kryetari Bexheti.

Sipas tij, pikërisht ky angazhim i jashtëzakonshëm në drejtim të qarkullimit të lirë të qytetarëve në hapësirën e përbashkët europiane, si një vlerë themelore e lirisë, pasqyron më së miri rrugën e perspektivës zhvillimore të promovuar nga deputetja e parlamentit europian, Tanja Fajon.

Eurodeputetja Fajon tha se ndjen kënaqësi të veçantë që gjendet në Tetovë mër të pranuar këtë titull të rëndësishëm.

“Rruga ime prej në Shkup deri në Tetovë ishte shumë e vështirë për shkak të mbizotërimit të motit të keq, mirëpo unë kam kënaqësinë dhe nderin e veçantë të jem sot këtu për të pranuar këtë titull të rëndësishëm. Ndjej një dashuri të veçantë për vendet e europës jug-lindore, për shtetet e rajonit, e dua Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe dua të theksoj se këtu ka një rini të talentuar dhe kjo kontribuon për plotësimin e arritjeve për integrim në Bashkimin Europian”, tha Fajon.

Sipas saj, liberalizimi i vizave është puna e parë që është bërë në drejtim të integrimit të plotë të vendeve në BE, tash e tutje mbetët edhe shumë punë për të bërë, angazhim e përkushtim në drejtim të integrimit të plotë të vendeve në familjen e madhe europiane.

“Në periudhën kur popujt e Ballkanit e kishin të pamundur të lëvizin lirisht në vendet e BE-së ndjehesha shumë keq, ndërsa tani, kur shoh që shqiptarët dhe popujt tjerë të Ballkanit mund të lëvizin lirisht është një kënaqësi e madhe për mua, është arritje e përbashkët që sot të gëzojmë këtë të drejtë. Liberalizimi i vizave është një nga vlerat kryesore të BE-së, prandaj, presim që në të ardhmen edhe Kosova të fitojë liberalizimin e vizave që dhe qytetarët e këtij shteti të gëzojnë këtë të drejtë si një nga vlerat kryesore të BE-së”, tha Fajon.

Duke shprehur konsideratën e lartë për dhënien e titullit “Qytetare Nderi e Tetovës”, eurodeputetja Fajon tha se do të vizitojë përsëri Tetovën, do të bashkëpunojë me të gjitha autoritetet për të përmbushur ëndrrën e përbashkët për integrim të plotë në strukturat e BE-së.

SHPËRNDAJE