Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, gjatë vizitës zyrtare në shtetin e Danimarkës, u prit sot në takim nga Kryesuesi i radhës së Presidencës së BE-së, Nicolai Wammen, ministër për Evropën në qeverinë daneze

 

 

Kopenhagë, 26 prill

Temë qendrore e takimit ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Danimarkës si dhe avancimi i agjendës evropiane të shtetit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shprehu falënderimet për gjithë mbështetjen që Danimarka i ka dhënë dhe po i jep Kosovës për forcimin shtetit dhe aspiratave të saja euro-atlantike. Ajo vlerësoi rolin e Danimarkës si kryesuese aktuale e BE-së në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së, duke thënë që në këtë periudhë u hap një kapitull i ri,  përmes hapjes së  procesit të stabilizim asocimit, ndërsa kërkoi përshpejtim të këtij procesi dhe të liberalizimit të vizave.

Afrimi i Kosovës me BE-në është mirëpritur nga qytetarët dhe Qeveria e Kosovës, dhe ne jemi të përkushtuar të çojmë përpara objektivat shtetërore për krijimin e një shteti modern në interes të qytetarëve dhe një shtet partner të bashkësisë euroatlantike, tha Tahiri.

Nga ana e tij, ministri Wammen fillimisht theksoi mbështetjen e fuqishme të Danimarkës për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës duke theksuar se vendi i tij si edhe në të kaluarën do të jetë përkrahës për integrimin e plotë të Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare.

Duke folur në cilësinë e Kryesuesit të BE-së, Wammen tha  se Kosova që është pjesë e agjendës për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor  dhe se Kosova ka gëzuar përkrahjen e dhënë njëzëri nga vendet e BE-së në përparimin e rrugës së saj drejtë Bashkimit Evropian.

“Ne i mbështesim reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, kërkojmë vazhdim e tyre dhe në të njëjtën kohë premtojmë fuqimisht se Kosova e ka të sigurt që një ditë do t’i bashkohet Evropës së lirë dhe demokratike, theksoi po ashtu ai.  BE do të jetë prezent në Kosovë për të ndihmuar institucionet e vendit për plotësimin e standardeve që kërkohen”, tha ministri Wammen.

Një pjesë e bisedës u përqendrua në çështjet rajonale ku  u diskutua gjerësisht për arritjet dhe sfidat e rajonit. Në këtë kontekst, ministri Wammen rikonfirmoi qëndrimin e qartë të BE-së se Serbia nuk mund të mbajë zgjedhje në Kosovë sepse një veprim i tillë është në kundërshtim me parimin e fqinjësisë së mirë dhe vendimet ndërkombëtare, të cilat duhet të respektohen plotësisht.

Po ashtu, nga të dy zyrtarët u vlerësua rëndësia e respektimit të realiteteve dhe kufijve mes shteteve në rajon, si një qasje e cila siguron perspektivën euro-atlantike për gjithë vendet e rajonit dhe mundëson një rajonal stabil.

Në takim mori pjesë edhe ambasadori i Danimarkës në Shqipëri dhe Kosovë, Karsten Ankjaer Jensen.  Lajmonline

SHPËRNDAJE