Tahiri: Të gjitha marrëveshjet të zbatohen deri më 20 tetor

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri nuk ka dhënë një datë se kur do të mbahet raundi i ardhshëm i bisedimeve, duke thënë se diplomacia evropiane po i bën presion palës serbe për t’u rikthyer pa kushtëzime në dialogun teknik.

http://www.botasot.info/img/Edita_Tahiri_16_.jpgAjo ka thënë për Kosovapress se përveç presionit nga diplomacia evropiane, Komisioni Evropian ka dhënë opinionin e vet të qartë se përparimi i Serbisë drejt BE-së është i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe shpërbërjen e strukturave paralele.
Për sa i përket marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Tahiri ka theksuar se me datën 1 nëntor, duhet të hiqen nga përdorimi tabelat ilegale të automjeteve që janë përdorur në vendin tonë nga ana e serbëve që nga paslufta dhe tash ata duhet të pajisen me tabela të Kosovës.
Ndërsa, sa i përket pjesës tjetër të marrëveshjes që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve të dy shteteve nëpërmjet letërnjoftimeve si dhe përdorimi valid i lejeve të vozitjes, sigurimi i automjeteve, Tahiri tha se kjo pjesë e marrëveshjes ka qenë e paraparë të zbatohet shumë shpejt, pasi që u arrit marrëveshja ,faktikisht pas datës 2 korrik,mirëpo pengesat që i bënë Serbia në forma të ndryshme ka qenë e pamundur zbatimi i kësaj marrëveshjeje.
“Ne si Qeveri e Kosovës, kemi kërkuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper që të gjitha marrëveshjet e arritura ,përfshirë edhe marrëveshjen për lëvizjen e lirë në tërësi të zbatohen deri më datë 20 tetor”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është ndërprerë me fajin e palës serbe, e cila ka kërkuar bisedime për pikat 1 dhe 31, gjë e cila është kundërshtuar kategorikisht nga Kosova. Prishtina zyrtare ka qartësuar se nuk do të ketë tema politike, të cilat janë linjë e kuqe e institucioneve të Kosovës.
Dialogu i sponsorizuar nga BE u ndërpre më 27 shtator pas një vale të re të dhunës në veri të Kosovës ku popullata lokale serbe, ka ngritur barrikada të reja në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së kontrollit të Prishtinës zyrtare edhe në këtë pjesë të vendit.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni