Tahiri: Serbia ka pranuar kufirin me Kosovën

Me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, e njohur si IBM, Serbia ka pranuar kufirin me Kosovën dhe se kjo marrëveshje rikonfirmon veprimin e 25 korrikut dhe vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, për të shtrirë sovranitetin, sundimin e ligjit në pjesën veriore të munguar për një kohë të gjatë.

Kështu deklaroi shefja e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri në një konferencë për media, me ç’rast informoi për rrjedhat dhe rezultatet e raundit të tetë të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë për tri ditë radhazi në Bruksel.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se delegacioni i Kosovës në këto bisedime ka mbrojtur interesat e shtetit, Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj si dhe parimet evropiane për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal.

Duke dhënë sqarime se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve është koncept evropian, që duhet të aplikohet midis shtetesh, që aspirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian, Tahiri vlerëson se më këtë akt Serbia e ka pranuar kufirin me Kosovën.

“Me këtë marrëveshje Serbia ka pranuar kufirin me Kosovën. Gjithashtu me marrëveshje, thuhet qartë në pikën 6, se në pikë kalimet kufitare me Serbinë, do të zbatohet legjislacioni i njërës dhe palës tjetër. Në anën serbe do të vlejnë ligjet e Serbisë, ndërsa në anën tonë, do të vlejnë ligjet e Republikës së Kosovës dhe bashkë me këtë në objektet e përbashkëta do të jenë Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe agjencionet tjera, me një anë dhe në anën tjetër do të jenë ato të Serbisë dhe do të jetë edhe EULEX- i, i cili së bashku me BE-në është një lloj garantuesi i zbatimit të plotë të marrëveshjes”, është shprehur ajo.

Rëndësi e veçantë gjatë tri ditë diskutime në Bruksel sipas Tahirit i është dhënë edhe implementimit të plotë të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe janë vënë në pah dështimet e Serbisë për moszbatimin e marrëveshjeve të deritanishme.

Po ashtu, ajo tha se është kërkuar nga BE-ja të vlerësojë drejtë përformancat e të dy palëve gjatë këtij dialogu dhe të shpërblejë Kosovën për marrëdhënie kontraktuale, hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve tregtare.

Zëvendëskryeministrja Tahiri hodhi poshtë edhe manipulimet e Serbisë se gjoja EULEX-i do të ketë një mandat ekzekutiv për marrëveshjen, ndërsa sqaroi edhe vendimet që ajnë marrë lidhur me vendosjen e simboleve shtetërore nëpër pikë kalimet kufitare.

“Ne do të vendosim flamurin dhe të gjitha simbolet e shtetit, një centimetër pasi që të përfundoj objekti edhe ashtu kjo zonë e përbashkët është zonë neutrale dhe në zonën neutrale nuk vendosen as tash simbolet. Simbolet shtetërorë do të jenë aty ku janë edhe sot”, ka thënë ajo.

Në marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit, siç tha Tahiri përfshihen 6 pika ekzistuese kufitare dhe jo vetëm dy, për të cilat ka insistuar Serbia.

Në çdo pikë kufitare të IBM, sipas saj, do të jenë policët dhe doganieret dhe agjencionet tjera përkatëse të Kosovës dhe se me këtë marrëveshje merren nën kontroll pikat 1 dhe 31, si dhe do të hiqen barrikadat.

“Me këtë marrëveshje është vulosur rezultati i aksionit të Qeverisë i datës 25 korrik për marrjen nën kontrolle të pikës 1 dhe 31 si dhe është rikonfirmuar zbatimi i planit operativ i datës 16 shtator i koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in. I tërë qëllimi i barrikadave ka qenë të mos lejohen policët dhe doganierët e Kosovës të jenë në veri. Tash Serbia e ka pranuar zyrtarisht këtë prani dhe si rrjedhojë edhe barrikadat do të hiqen. Nëse nuk hiqen ato, barra është mbi Serbinë dhe serbët”, ka theksuar ajo.

Marrëveshja për lëvizje të lirë, parashihet të fillojë të implementohet me 26 dhjetor, ndërkaq marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit do të implementohet sa më shpejtë që të jetë e mundur operacionalisht. Raundi i tetë i dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE dhe me pjesëmarrjen e SHBA, është zhvilluar nga data 30 nëntor deri me 2 dhjetor. Marrëveshjen e arritur e kanë kundërshtuar ashpër të gjitha partitë opozitare, kurse Vetëvendosje ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni