Përfaqësuesja e Kosovës në bisedimet Prishtinë – Beograd, Edita Tahir deklaron se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash me palën serbe në dialogun teknik, nuk mund të fitet për tema të tjera.

 
Kryeneociatorja Tahiri, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se fillimisht duhet që marrëveshjet e arritura të zbatohen, e më pas të flitet për takime dhe tema tjera me palën serbe.
Nuk mund të ketë bisedime për tema të tjera teknike pa u bërë zbatimi i marrëveshjeve.

“Ashtu siç e ka thënë edhe vetë kryeministri Thaçi, në këtë fazë jemi të fokusuar për zbatimin e marrëveshjeve. Kërkojmë një angazhim të vendosur të Bashkimit Evropian, i cili është edhe ndërmjetësues dhe garantues i këtij dialogu teknik, që t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve. Nuk mund të ketë bisedime për tema të tjera teknike pa u bërë zbatimi i marrëveshjeve”, deklaron kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës ka shprehur disa herë zhgënjimin e saj për moszbatimin e plotë të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Një prej takimeve ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, me ndërmjetësimin e Robert Kuperit.
Edhe analistët e çështjeve politike deklarojnë se bisedimet me palën serbe nuk duhet vazhduar derisa nuk zbatohen marrëveshjet e arritura.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se derisa Beogradi ka një politikë destabilizuese ndaj shtetit kosovar, Prishtina nuk mund të lejojë kurrfarë kompromisi në vonesën e zbatimit të marrëveshjeve.

“Konsideroj se tashmë, pas krijimit të qeverisë së re në Serbi dhe vazhdimit të dialogut, Prishtina duhet të vërë kushte, gjithmonë në koordinim me BE-në dhe zotin Kuper, që së pari të arrihet zbatimi i marrëveshjeve dhe më pas të vazhdojë dialogu për marrëveshje të tjera”.

“Vetëm në këtë mënyrë besoj se Prishtina do të mund të tregohet një partner i barabartë në dialogun me Beogradin. Një kushtëzim i tillë do të bënte që edhe Beogradi t’i zbatojë marrëveshjet”, vlerëson Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Analistët vlerësojnë se bisedimet e deritashme, të cilat janë quajtur teknike, të shumtën e rasteve kanë pasur ngjyrime politike, dhe ato, sipas tyre, do të vazhdojnë nëse pala shqiptare lëshon pe.

Prishtina, si e vetme nuk mund të bëjë presion te Beogradi, për zbatimin e marrëveshjeve, thotë Mushkolaj, por, sipas tij, në këtë rrafsh edhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojë ndikim e vet.
Pikërisht gabimi i palës kosovare në dialog kanë qenë lëshimet shumë të mëdha që i kanë bërë më herët dhe kjo po u hakmerret…

“Pikërisht gabimi i palës kosovare në dialog kanë qenë lëshimet shumë të mëdha që i kanë bërë më herët dhe kjo po u hakmerret për shkak se tashmë kemi parë se Serbia di shumë mirë të luajë politikisht”.

“Pavarësisht arritjes së marrëveshjeve në letër, në praktikë ajo nuk po i zbaton deri në fund, apo nuk po i zbaton ashtu siç do të duhej. Kështu që, unë besoj se Prishtina duhet të vërë kushte dhe konsideroj se mund të arrijë një farë suksesi, mirëpo gjithmonë duke pas parasysh se kjo duhet të bëhet në koordinim me BE-në”, shton Mushkolaj.

Ndryshe, gjatë kësaj jave, me iniciativën e një grupi të deputetëve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një mocion, me të cilin thuhet se institucionet e vendit duhet kushtëzuar bisedimet me Beogradin me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës.

Por, një ditë pas miratimit të këtij mocioni, opozita ka lëshuar sallën pas propozimit të partisë më të madhe në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, që Kuvendi edhe njëherë ta rishqyrtojë mocionin e miratuar.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë prodhuar deri më tani disa marrëveshje të prezantuara edhe si konkluzione.

Por, deri më tani nuk është bërë ndonjë vlerësim zyrtar nga ana e Bashkimit Evropian lidhur me zbatimin e tyre.

SHPËRNDAJE