Tadiq: Serbia nuk do t’i pranojë doganierët e Kosovës në veri

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka thënë sot në Beograd se Serbia nuk do të pranoj doganierët dhe policët e Kosovës në veri. Tadiq ka thënë se do të kërkojë nga bashkësia ndërkombëtare që të ndalohen masat e “njëanshme të Prishtinës” për vënien nën kontroll të pikave kufitare mes veriut të Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për shtyp ai ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-it e “kanë për detyrë neutralitetin për statusin dhe se sjellja e përfaqësuesve të së ashtuquajturës doganë apo polici e Kosovës do të jetë shkelje e këtij neutraliteti”.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në konferencën për media ku ka theksuar se do të kërkoj nga zyrtarët ndërkombëtarë të mos lejohet vendosja e dhunshme e policëve dhe doganierëve në kalimet kufitare. “Tentimet e pushtetit në Prishtinë për të vendosur doganierët në pikëkalimet administrative, Serbia nuk do t’i pranoj”, ka theksuar Tadiq.

Për Serbinë janë të pranueshme vulat, por pa doganier. Tadiq ka sqaruar se në bisedimet me Kosovën tema e doganierëve nuk është diskutuar dhe kjo nuk ka lidhje me vulat doganore. “EULEX-i dhe KFOR-i kanë obligim të jenë neutral ndaj statusit dhe vendosja e përfaqësuesve të së ashtuquajturës dogana kosovare ose policisë do të ishte shkelje e neutralitetit.

“Përfaqësuesit ndërkombëtarë që luajnë me zjarrin nuk mund t’i kuptojë, kjo është papërgjegjësi maksimale, prandaj përmes kanaleve ndërkombëtare do të marrim të gjitha masat që kjo të ndalet”, ka thënë Tadiq, raportojnë mediat serbe.

“Unë tash po ju them se Serbia me çfarëdo presioni nuk do ta pranojë këtë zgjidhje… Fakti se Serbia është njoftuar (për planin për doganat në veri), kjo nuk do të thotë se pranojmë qëllimet e tilla”.

I pyetur se si është e mundur që Beogradi të pranojë vulat doganore të Kosovës e në anën tjetër të mos pranojë doganierët e Prishtinës, Tadiq ka thënë se “vulat i punon UNMIK-u në përputhje me neutralitetin e saj”.

Tadiq ka thënë se KFOR-i nuk mund të jetë “shërbim transportues për të ashtuquajturit doganierë nga Prishtina, por në shërbim të sigurisë të të gjithë banorëve të Kosovës”. Ndërkaq, nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen se çfarë do të bëjë Serbia nëse eskalon situata në veri, me arsyetimin se “nuk mund ta publikojë çdo hap politik që do ta ndërmarrë”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni