Tadiq kërkon nga OSBE-ja të mbetet neutrale ndaj Kosovës

(AIK/Presheva Jonë)


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë në Astana të Kazakistanit se shpreson që dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të nisë së shpejti, dhe ka kërkuar që misioni i OSBE së në Kosovë të mbetet tërësisht neutral ndaj statusit të Kosovës. “Presim, po ashtu, që mos të ketë përpjekje për ndryshim të realiteteve në terren, derisa bisedimet të jenë duke u zhvilluar.

Çdo përpjekje që ai realitet të ndryshohet, me përdorimin e forcës, do të sjellë ndërprerje urgjente të dialogut”, ka thënë Tadiq, duke folur në samitin e OSBE-së që mbahet në Kazakistan. Tadiq po ashtu ka thënë se pret që të ndalen përpjekjet e vazhdueshme për të njohur Kosovën, duke shtuar se se disa prej anëtareve të OSBE së, sikur edhe të BE së, janë përmbajtur nga njohja e pavarësisë së Kosovës. Tadiq ka thënë se përkundër faktit që bashkëpunimi rajonal nuk ka qenë kurrë më i mirë se tani, situata është ndërlikuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Qëndrimi parimor i Serbisë mbetet i pandryshueshëm. Nuk do ta njohim pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, as në mënyrë eksplicite as në mënyrë implicite”, ka thënë Tadiq.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni