Kreu i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, njëherësh kryetar i Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc (PVD), ka reaguar ndaj ndërhyrjes së autoriteteve lokale të Kosovës në fushatën zgjedhore në Bujanoc.

Sipas një reagimi të Kamberit, në vazhdën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 6 majit në Bujanoc, të shtunën me 28 prill 2012 ka ndodhur një skandal i vërtetë politik.

“Fjala është për ndërhyrje flagrante dhe skandaloze të kryetarit të Kamenicës, Shaip Surdulli, i cili me pjesëmarrjen e vet në tubimin parazgjedhorë të Partisë Demokratike në Muhoc dhe Breznicë, jo vetëm që haptas ka favorizuar këtë subjekt politik, por edhe ka fyer rëndë udhëheqësinë e PVD-së dhe atë të komunës së Bujanocit duke i akuzuar haptas për mosbrengë për popullatën e Malësisë së Buajnocit dhe shpërdorim të mandatit”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Kamberit.

Sipas tij, është hera e pare që një autoritet i lartë nga Kosova, në këtë formë, skandaloze tenton të ndërhyjë në rrjedhën e fushatës zgjedhore dhe rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare.

“Për këtë incident kryesia e PVD-së do ta njoftojë edhe udhëheqësinë e LDK-së në Prishtinë me të cilën, tradicionalisht ka patur dhe ka raporte miqësore”, shton më tej Kamberi.

Sipas kryetarit të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, “një incident i këtillë skandaloz mund të ndikojë në raportet e këtyre subjekteve politike, por, njëkohësisht edhe paraqet një ndërhyrje të vrazhdë dhe qëllimkeqe të kryetarit të Kamenicës, Shaip Surdulli në rrjedhat politike në Komunën e Buajnocit”. /Zëri/

SHPËRNDAJE