Punëtorë të KEK-ut janë sulmuar me armë zjarri në fshatin Letanc të komunës së Podujevës derisa po shkyçnin borxhlinjtë e tyre. Zyrtarë të Policisë dhe ata të KEK-ut kanë njoftuar se nga 7 plumbat që është qëlluar vetura e KEK-ut, nuk është lënduar askush. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka thënë se rreth orës 10:40 në fshatin Letanc të Komunës së Podujevës ka ndodhur një sulm me armë zjarri ndaj punëtorëve të KEK-ut.

“Punëtorët janë sulmuar në veturë në lëvizje. Vetura është goditur me 7 plumba nga ana e sulmuesit të panjohur deri tash, por fatmirësisht punëtorët nuk janë lënduar. Rasti ka ndodhur pas një aksioni të shkyçjeve të organizuar në atë pjesë, pasi konsumatorët kanë borxhe të mëdha ndaj korporatës. Punëtorët menjëherë e kanë lajmëruar rastin tek Policia e Kosovës”, thuhet në këtë njoftim.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e dënon fuqishëm këtë akt vandal dhe të papranueshëm dhe kërkon nga organet e rendit që sa më shpejtë të zbardhin rastin dhe t’i dërgojnë fajtorët para drejtësisë në mënyrë që fajtorët të marrin dënimin e merituar. Vetëm nëse ata që bëjnë sulme të tilla të paprecedan marrin dënimin e merituar vihet drejtësia në vend dhe ndikohet drejtpërdrejtë që raste të tilla të mos përsëriten assesi në të ardhmen”, ka thënë Buzhala.

Sulmimi i punëtorëve të korporatës gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, siç është edhe rasti i sotëm, sipas zëdhënësit të KEK-ut, janë pengesë e madhe për kryerjen e misionit të korporatës.

“KEK-u nuk mund të tolerojë raste të tilla, të cilat nuk janë të rralla dhe do të ndërmarrë të gjitha masat konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi i saj, Brahim Sadriu, ka thënë se të hënën në fshatin Letanc të Podujevës një ekip i KEK-ut ka qenë duke shkyçur borxhlinjtë dhe dikush ka gjuajtur me armë në drejtim të tyre.

SHPËRNDAJE