STRUKTURA ARKEOLOGJIKE NË PRESHEVË SI KARAKTERISTIKE E FISIT ILIR

Objektet dhe lokalitetet arkeologjike në Preshevë

Shkruan: Xhemaledin SALIHU

Komuna e Preshevës zenë vendin qendror në Luginë të Preshevës, e cila shtrihet përgjatë lumit Moravicë. Ajo në veri kufizohet me Luginën e Vranjës, ndërsa në jug me Luginën  e Shkupit, e cila shtrihet përgjatë lumit Vardar.

Këto dy lugina, e Preshevës dhe e Shkupit  janë më të rëndësishmetë në Siujdhesën Ballkanike dhe zënë vendin qendror në Ballkan. Sipas Jovan Cvijiqit, gjeografit serb, këto dy lugina paraqesin pjesën më gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Poashtu edhe Leopold Mandli, Luginën e Preshevës  e quan “Zemër  e Ballkanit”.

Andaj edhe rëndësia e madhe e tyre për ta zotëruar këtë  Luginë nga pushtues të ndryshëm dhe për ta pasur në mbikqyrje Luginën e Preshevës.

Presheva, në perëndim përfshinë fshatrat e Karadakut, në lindje fshatrat e Rujanit, ndërsa në mes fshatrat e fushës. Nëpër Preshevë kalojnë : Autoudha  Beograd-Nish-Vranjë-Preshevë-Shkup-Selanik, Hekurudha  Beograd-Shkup-Selanik dhe Xhadeja e Vjetër, poashtu Vranjë-Preshevë-Kumanovë.

Pozita e volitshme gjeografike, kushtet e favorshme klimatike, hidrografike,  kushtet e përshtatshme natyrore kanë bërë që Presheva të banohet nga periudha e neolitit, vazhdon të banohet edhe gjatë periudhave të mëvonshme : të bronxit, të hekurit e deri në ditët e sotme.

Lugina e Moravës dhe ajo e Vardarit, kryesisht ishin të banuara nga fisi Ilir- Dardan, pra Presheva shtrihej në pjesën qendrore të Mbretërisë Dardane dhe ishte e banuar nga fisi ilir  Dardan, paraardhësit e shqiptarëve të sotëm. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturo-historike, gjuhësore, etnologjike, e të tjera.

Presheva shtrihet në Mbretërinë Dardane, e cila pati luftëra të ashpra me Maqedonët e Vjetër, pastaj me Bullgarët, me Romën, Bizantin, Serbët, Turqinë dhe prap me Serbët.

Të gjithë këta popuj lanë gjurmë në kulturën iliro-dardane-shqiptare dhe patën ndikim në historinë e këtij populli. Mirëpo, me gjithë sulmet, ndikimet e shumta, kultura vendase autoktone e popullit shqiptar, ka ruajtur identitetin e saj deri më sot. Kjo shihet dhe vërtetohet  me shumë gjeturina arkeologjike në Preshevë.

Pra, në këtë pjesë të Ballkanit, në Luginën e Preshevës, edhepse u gërshetuan shumë lëvizje  dhe kultura, popullata vendase autoktone shqiptare arrti ta ruajë materialin arkeologjik, i cili vërteton autoktoninë e saj shumë shekullore dhe vjetërsinë e saj.

Gjeturinat arkeologjike, objektet dhe vlerat arkeologjike në Preshevë janë të hershme, të kohës parahistorike, të kohës antike, të mesjetës por edhe më vonë. Këto të gjitha dëshmojnë për autoktoninë e shqiptarëve në këto troje stërgjyshore dhe shumë shekullore. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturore, historike, gjuhësore, etnologjike etj.

 

“Gjurmët më të vjetra të kulturës lëndore në territorin e komunës së Preshevës datojnë qysh nga periudha e neolitit të vjetër. Mirëpo, është e mundshme që kjo trevë (për shkak të pozitës gjeografike shumë të rëndësishme dhe kushteve natyrore të përshtatshme) të jetë banuar edhe në periudhën e paleolitit, por ende nuk kemi zbulime lëndore të kësaj periudhe, që do të dëshmonte këtë mundësi”./ shkruan Dr. Jahi Staneci, në librin : Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999, f.15/.

1.Hulumtime arkeologjike në Preshevë

Hulumtime arkeologjike në komunën e Preshevës kanë ndodhur spontanisht nga individë entuziastë, vullnetarë si psh: Dr. Jahi Staneci, Sabedin Hetemi e ndonjë tjetër.

Profesori Sabedin Hetemi nga Presheva me herët, para shumë viteve ka hulumtuar vende arkeologjike, por edhe objekte arkitektonike-ndërtimore, sikur kishat, xhamitë, etj. Madje edhe shkroi për hulumtimet arkeologjike e ndërtimore.

Profesori Dr. Jahi Staneci hulumtoi gjatë në komunën e Preshevës vende dhe objekte arkeologjike. Madje mblodhi eksponata arkeologjike etjerë, të cilat me sa di unë i ka vendosur diku në fshatin Stanec, shumë me vlerë për trashëgiminë tonë dhe ka propozuar që ato të barten në Shtëpi të kulturës apo dikund tjeter, në vend të sigurtë, në mungesë të Muzeut komunal në Preshevë. Për zbulimet e tij arkeologjike dhe vendgjetjet arkeologjike ka shkruar disa herë dhe opinioni, dashamirë i kësaj lëmie është i njoftuar. Mirëpo, vlen të ceket hulumtimi dhe zbulimi i fundit, me rëndësi në mars të vitit 2008. Në realitet u zbulua një Varreze me skelete njerëzish të vjetra nga mijëvjeçari tretë para erës së re, në Kodrën e Sheh-Halilëve, në veri të qytetit.

Hulumtime arkeologjike grupore në Preshevë kanë ndodhur më vitin 1966, 1967,1968 dhe në vitet 1977/78.Të gjitha këto hulumtime kishin të bëjnë me rekognoscim, ndërsa gërmime të vogla të pjesëshme sondazhi kanë ndodhut  në Kështjellën e Bushtranit, më 1977 dhe në Kacipup të Rahovicës, më 1977/78, nga arkeologë serbë të Muzeut Popullor të Vranjës, me ndonjë angazhim të arkeologëve maqedonë nga Shkupi. Pra, kanë munguar kuadrotë shqiptare në këto ekspedita, apo kuadrotë shqiptare nuk janë angazhuar, kurse është më se e domosdoshme, për hir të objektivitetit që në hulumtimet e ardhshme, apo në punët pas rekogniscimit të angazhon kuadro të mirëfillta shqiptare të lëmisë së arkeologjisë dhe lëmivë të tjera.

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë ka hartuar një projekt, me të cilin ka aplikuar në Ministrinë e Kulturës në Beograd. Projekti ka marrë vizën, mirëpo shuma e ndarë e mjeteve nuk garanton realizimin e projektit.

Projekti : “Trashëgimia Jonë, puna e jonë, na e dijmë Trashëgiminë tonë, pasurinë tonë” ka 5 faza të kryerjes :

Faza e Parë : Hulumtime, mbledhje, përpunime dhe formimi i evidencës së trashëgimisë kulturore në komunën e Preshevës,

Faza e Dytë : Përcaktimi, përkufizimi i pozitës gjeografike të objekteve dhe vlerave të trashëgimisë kulturore,

Faza e Tretë: Fotografimi i Trashëgimisë kulturore të patundshme,

Faza e katërtë : Kartografimi, skicimi dhe pasqyrimi grafik i Trashëgimisë kulturore të patundshme dhe

Faza e Pestë: Digitalizimi dhe skenimi i dokumentacionit të terenit dhe të të dhënave për hulumtim të Trashëgimisë kulturore të patundshme.

Projektin do ta fillojmë ta realizojmë sipas dinamikës së mjeteve të ferdhura nga Ministria dhe do të realizojmë fazat e mundëshme që na lejojnë mjete e ndara nga Ministria e kulturës në beograd.

Objektet arkeologjike në Preshevë datojnë nga periudha parahistorike, antike, e mesjetës dhe me vonë. Në këtë punim studiues do të mundohem që nga kjo pasuri e bollshme vendbanimesh dhe lokalitetesh të vjetra në Preshevë të ceku disa më me rëndësi dhe më me vlerë arkeologjike.

2. Objekte parahistorike në Preshevë

2.1.Kacipupi në Rahovicë

Kacipupi, Oppidumi Dardan është lokalitet parahistorik, gjendet në pjesën perëndimore të Rahovicës, duke shkuar për Pendën e Rahovicës, liqenin artificial, gjendet në të djathtë të rrjedhës të lumit të Rahovicës. Pjesa jugore e Kacipupit është e kalueshme dhe është e kalueshme nëpërmjet Tumës, për të cilën ekziston mendimi se është fortifikatë artificiale,  kur është ndërtuar dhe për çfarë misioni, ndërsa pjesa veriore kah lumi dhe ajo lindore dhe perëndimore të Kacipupit janë të thepisura dhe vështirë mund të arrihet në maje. Në pjesën e veriut, kah lumi është vërtetuar ekzistimi i nje muri mbrojtës dhe ekzistimi i një dere për hyrje në paralagjen e fortifikatës.Në pjesën perëndimore, gjatë hulumtimeve arkeologjike janë gjetur material keramik Helen dhe keramik e kohës së hekurtë të mëvonshme, Vendbanimi i fortifikuar dardan, Kacipupi zhvillohet nga shekulli VII deri në shek. II dhe I para erës së re.

Sipërfaqja e Kacipupit është 60 me 120 m. Sigurisht se kemi të bëjmë me vendbanim fortifikatë, të mbrojtur, të kohës së hershme të bronzës, në themelet e të cilit është i mbrojtur më së miri në krejt rrethinën.

2.2.Kalaja e Bushtranit

Duke u mbështetur në gërmimet, që janë bërë në Kalanë dhe Gradishtën Antike / Rrënojë ndërtese/ të Bushtranit, aty ka pasur jetë edhe në kohërat më të hershme, në atë të Neolitit, gjatë viteve 231-200. p.e.s.

Për këto fortesa të restauruara më së miri fletë historiani bizantin Prokopie, ku mes tjerash thotë: “Këto kala ishin: Kalaja e Preshevës, si dhe disa të tjera në Karadak, porse kalaja më impozante ishte ajo e Bushtranit, me qytezën e antikitetit Dardanium në Gradishte

Kalaja e Bushtranit gjendet rreth 1 deri 1,5 km nga shtëpitë e fundit të fshatit, gjegjësisht në jug-lindje të fshatit, menjëherë ngritet një kodër dominante e quajtur Kala. Kjo fortifikatë i takonte kohës parahistorike, me shumë rëndësi strategjike, sepse nga Kalaja kishte pamje shumë të mirë për rrethinën dhe vështirë ishte për të ardhur deri te ajo, terreni i vështirë si dhe mbrojtja e mirë e vendbanimit. Pra, ky lokalitet i përket kohës së hekurit të vonshëm ose mund të thuhet se Kalaja daton nga fund i shek.VIII dhe në fillim të shek.VII.

Ajo ka formën e një rrethi jo të rregulltë, çka së bashku me vendbanimin në Rahovicë të Kacipupit kanë paraqitur një zonë të mundshme kufitare në pjesën lindore të shtrirjes së Dardanisë.

2.3.Gradishta /Rrënojë ndërtese/  në Bushtran 


Vendbanimi Dardan i shek. IV-II. para erës sonë, i quajtur  Gradishta e Bushtranit

Gradishta gjendet në periferi, në pjesën lindore të fshatit, shumë afër të dy lumenjve, atij të Gradishtës dhe Lumit të Madh. Terreni në Gradishtë është me sipërfaqe gjysmë i punuar. Pra, në anën e djathtë, në veri të Lumit të Madh ngritet Gradishta. Në këtë lokalitet, gjatë hulumtimeve u gjet shumë keramikë.

2.4.Gropat te Gerajt


Vendbanimi i quajtur Gropat gjendet afër fshatit, në veri-lindje të Xhamisë dhe ngritet  lartë duke formuar një plato të formës elipsoide, me dimensione 90X40 m. Nga platoa e Gropave shikohet pjesa dërmuese e Luginës së Preshevës. Banorët e fshatit thonë se kanë gjetur në një pjesë të platosë së kësaj kodre, varreza me skelete, për ta të panjohura, mirëpo duke ditur se edhe Gerajt i takonin Dardanisë, konkludojmë se edhe varrezat e gjetura kanë prejardhje iliro-dardane.Varret ishin të bëra nga pllakat, por konstrukcioni dhe orientimi nuk është vërtetuar.

Lokaliteti Gropat është shumë i përshtatshëm për vendosjen e vendbanimit të fortifikuar. Pra, të dhënat e banorëve të fshatit dhe pozita e mirë topografike flasin në mundësinë e ekzistimit të vendbanimit parahistorik të fortifikuat dhe me nekropole, por për kohën e ekzistimit të vendbanimit duhet hulumtime detale të lokalitetit.

2.5. Bostanishtë në Zhunicë


Për lokalitetin Bostanishtë të Zhunicës flitet për një qytet të zhdukur, i cili ishte qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore gjatë shek. VI-IV të para erës sonë. Ai shtrihej në veri-jug të autoudhës Nish-Shkup.

Në Bostanishtë u gjet një banjë termo-publike dhe ujësjellësi. Këtu u gjetën edhe gypa qeramike që sollën ujin për ujësjellës në këtë lokalitet.

2.6.Bunishtë në Zhunicë   

 

Lokaliteti Bunishtë gjendet përskaj lumit Moravicë në Zhunicë dhe në te është gjetur një kasollë nëndhese e neolitit të mesëm. Sipas kasollës edhe lokaliteti ka marrë emrin Bunishtë, vend ku kanë buajtur udhëtarët dhe karavanet e tyre. Sipas fjalorit, fjala bunishtë ka kuptimin vend i plehruar, se ka të bëjë me bagëti, “ku blegtorët pushimin ditor dhe gjumin e bënin në kasollën nëndhese të rrethuar me thupra shelgu” shkruan: Dr.sci Naser Kamberi, Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzharë/dokumentojnë antropogjenezën dardane, Gjimnazisti, Preshevë, 2010, nr.2, f.7/

2.6. Lokaliteti Përzhar


Lokaliteti gjendet në perëndim të Preshevës, në të majtë të udhës Preshevë-Gjilan. Këtu janë gjetur Varreza të Vjetra, që i përkasin shek.I para Krishtit. Pozita e varreve ishte në drejtin lindje-perëndim, që vërteton origjinën dardane të varrezave.

3.Objekte të kohës antike në  Preshevë

3.1. Kalaja e Preshevës


Kalaja e Preshevës daton nga koha iliro romake.

Dr Jahi Staneci shkruan : “ Kështjella legjendare dhe rrënojat e vendbanimit të zhvilluar antik, të cilat gjenden në skajin perëndimor të Preshevës, rrëzë kodrinës së kështjellës janë sinonime të lashtësisë dhe civilizimit antik të këtij qyteti. Ky vendbanim antik tashmë ka zbritur në fushë, është zgjëruar…Supozohet se në këtë vend, Presheva të ketë ekzistuar edhe në fillim të periudhës bizantine. Nga kjo kohë e deri afër mbarimit të mesjetës, periudhë prej afër dhjetë shekuj(1000 vjet) nuk është lënë asnjë gjurmë e ekzistimit të këtij vendbanimi. Mungonte civilizimi…Për shkaqet dhe kohën e zhvendosjes së vendbanimit të Preshevës antike, nuk kemi kurrfarë të dhënash”./dr jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë, 2010, f.42

“Kështjella e Preshevës gjendet afër 1,6 km në perëndim të sheshit të qytetit. Është themeluar në parahistori nga populli vendor-ilirët, përkatësisht fisi ilir-dardanët ose peonët, para më shumë se 2.ooo vjet. Është rindërtuar në antikitet dhe mesjetë. Kjo kështjellë është dëshmitare e historisë së gjatë dhe të vrullshme të vendbanimit të Preshevës” shkruan Dr. Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(Monografi), Prishtinë, 2010, f.51.

Kështjela e Preshevës dhe Rahovicë kishin detyrë mbrojtëse për popullatën e Karadakut dhe të këtyre vendbanimeve.Kalaja është ndërtuar aty kah shek.VI ose VII. Në brendi të saj gjendet Pusi me ujë të pijes për banorë.

Pusi i Kalasë

3.2. Qyteti i Vjetër i Preshevës


Kompleksi i qytetit të Vjetër të Preshevës, rrëzë Kalasë, ku u ndërtua Mëhalla e Kurbalive, në të djathtë janë Varrezat e Qytetit të Vjetër. Dhe krejt poshtë gjendeshin Mullinjtë e Vjetër të Preshevës.

3.3. Varrezat e Vjetra të Preshevës

Përmbi qytetin e Vjetër të Preshevës dhe Varrezave të Vjetra të qytetit të Preshevës, gjenden në të majtë dhe në të djathtë të rrugës Preshevë-Gjilan, te Mullinjtë, ku u ndërtuan shtëpi private të Mëhallës së Kurbalive, me leje apo pa leje të organeve përkatëse. Nuk kemi informatë se a ka reaguar komuna dhe Enti për mbrojtjen e monumenteve kulturore në Nish. Thuajse u rrafshuan 20 mullinjtë e Preshevës, te vendi i quajtur „Mullinjtë“, te Kisha.

3.4. Gradishta në Preshevë

Lokaliteti i quajtur “Gradishta” gjendet në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Preshevës, rreth 500 m në perëndim të Kishës dhe 150-200 m në lindje, në juglindje të lokalitetit antik ndër Kalanë e Preshevës.Në anën e jugut, ajo puthet me kodrat fqinje. Platoa e lokalitetit artificialisht është rrafshuar dhe rëmja kah lumi. Në sipërfaqe të platosë shihen mbeturinat e objektit antik, themele prej gurëve, tjegulla të formatit romak. Poashtu gjejmë edhe qeramikë të kohës antike të mëvonshme. Lokaliteti flitet se është i kohës antike, iliro-romake dhe ka paraqitur vendbanim strategjik.

3.5.Bërcec: Kalaja, Kisha, Lluga

Bërçec: Kalaja, Kisha, Lluga

Në afërsi të periferisë veriore të fshatit,  në luginë të lumit të Mesëm, në anën e djathtë të saj gjendet vendi i quajtur “Lluga”. Atu janë gjetur keramikë e kohës antike të vonshme. Pra, kemi të bëjmë më një vendbanim të kohës antike, iliro romake.

3.6.Bukuroc: Dobrec, Koplenica, Selishta, Gurudani, 

Nga Dr. Vahid Murtezi, banor i Bukurocës mësuam se sipas gojëdhanës në Bukuroc gjenden tri vendbanime te vjetra: Dobreci, Koplenica-Qypat dhe Selishta. Në secilin prej këtyre vendbanimeve, atëherë ishte vendosur nga një mëhallë.

3.6.1 Dobreci në Bukuroc

 

Dobreci me nekropole në Bukuroc

Vendbanimi Dobrec me Varreza gjendej në mes të Hekurudhës Vranjë-Preshevë-Shkup, në anën lindore të saj, në anën veriore të Zhunicës dhe në anën jug-perëndimore të fshatit. Pra, në të dy anët e Hekurudhës, por kryesisht në anën lindore të saj shtrihet Dobreci, ku banorët e këtij fshati gjatë punimit, lavrimit të arave hasin në themele, tulla të formatit romak, keramikë, tjegulla e tjerë. Këtu gjendet edhe Varreza e kohës antike të vonshme e ndërtuar nga tulla dhe e lidhur me pllaka. Mirëpo, sipas fjalëve të Dr.Vahidit, këtu vendasit flasin për Varreza të një vendbanimi të vjetër antik të fushës. Varrezat e Moçme të fshatit ishin sëbashku me ato të Corroticës, diku në Corroticë, ndërsa që nga vitit 1965 varrezat e reja janë në këtë pjesë të Dobrecit dhe ndahen në dy pjesë të rejat dhe ato të vjetrat në Dobrec.

3.6.2.Koplenica në Bukuroc


Lokaliteti Koplenicë apo “Te Qypat” është vend plotë dhe ku janë gjetur shumë qypa të mëdhenj, të cilët një kohë të gjatë i paska ruajtur Haxhi Muharremi i Bukurocës që jetoi në Preshevë. Vendasit këtë vend e quajnë “Te Qypat”. Pos qypave janë gjetur edhe enë, tava, tulla, tjegulla etjerë.

Lokaliteti gjendet nja 2 km në juglindje nga fshatit, në fushë, në jug të lumit të Bushtranit dhe 500 m në lindje të Xhadesë së Vjetër Bilac-Preshevë. Poashtu këtu kanë gjetur tulla antike dhe pitosa. Thuhet se këtu ekzistone një vendbanim bujqësor i fushës.

3.6.3. Selishta

Selishta gjendet në veri të periferisë së fshatit, në një tarracë të ngritur ndërmjet Moravicës dhe Hekurudhës. Këtu vendasit gjetën tulla dhe themele me horasan të gëlqeresë. Pra, kemi të bëjmë me një vendbanim të fushës. Sipas Dr. Vahidit, në Selishtë nuk janë gjetur Qypa, por ky lokalitet është i pasur më ujë dhe Çezma të Vjetra. Është e njohur dhe e vjetër Çezma e Selishtës, e Agës Zeqir, e vjetër mbi 100 vjetë. Selishta përfshin vendin kah Xhamia e fshatit në veri deri në Hekurudhë, kalon ate në drejtim të Shoshajës.

3.6.4.Gurudani

Lokaliteti Gurudan është përplotë me shavar, ka ujë shumë dhe këtu nuk janë gjetur qypa.

3.5.5.Çezma e Agës Zeqir 

Në Bukuroc ka ujë të mjaftueshëm dhe të mirë të pijes, për çka u vërtetuam edhe tek Selishtja, te Cezma e Agës Zeqir. Kjo është një Çezme e Vjetër e vendbanimit.

3.6.6. Varrezat e Krushqëve

Në fshatin Bukuroc, për Varrezat e Krushqëve, të cilat gjenden në mes të fshatit, në mes të vendbanimeve të vjetra Dobrec dhe Selishte ekziston  legjenda, për të cilën flitet ndër Pleqët e fshatit si dhe për te rrëfehet edhe Dr. Vahid Murtezi nga Bukuroca, i cili thotë se këtu u takuan Krushqit e dy dasmave. Njëra dasëm ndodhi në Dobrec dhe tjetra në Selishtë. Krushqit u nisën për të marrë nuse dhe e vetmja rrugë, në mes të fshatit i takoi, asnjëra nga krushqit nuk e lëshoi rrugën, ndodhi një përleshje e përgjithëshme e dasmorëve, ku vdiqën të dy palët e krushqive. Sigurisht se vdiqën edhe nuset, për të cilat flitet se Varri i Nuses në këto Varreza ekzistoi, dallohej dhe shihej  deri vonë.

Në këto Varreza dallohen varret e shumtë dhe gurët e varreve që janë të vendosur jugperëndim dhe verilindje, çka tregon se krushqit dhe varret e tyre ishin myslimane.

Varrezat janë në një lëndinë, në të cilën nuk ndërtohet asgjë, përshkak të paragjykimeve. Mirëpo, Varrezat e Krushqëve duhet të hulumtuhen dhe te mbrohen nga koha dhe dora e njeriut, i takojnë traditës shqiptare.

3.6.7. Mulliri i Ahmet Shabanit


Në Bukuroc hasëm në Mullirin e Agës Metë dhe për te na foli  edhe Dr. Vahidi. Mulliri është i Ahmet Shabanit, Mëhallës së Plakiqëve, i cili i shërbente gjithë fshatit, por edhe më gjërë për bluarje të drithit. Ende shihen lugu dhe Gërmadhat e Mullirit, i cili gjendet në pjesën lindore të fshatit, në pjesën e poshtme të parkut në fshat.

3.7.Zhunicë: Rrënoja ndërtese kishtare /Crkvishta/


Lokaliteti Crkvishta gjendet ndërmjet udhës së fshatit, Moravicës në lindje dhe Lumit të Rahovicës, në veri. Sipërfaqja e lokalitetit është shumë hektarësh me ara dhe me livadhe.Aty u gjetën tulla të formatit romak, qeramikë romake e vonshme, monedha të bronzit dhe një monedhë ari. Janë gjetur edhe themelet e kompleksit ndërtimor, me gurë dhe horasan të bardhë dhe dicka tulla si dhe nga ajo del ujë i ftohtë, burimi i së cilës është në mal. Pra, kemi të bëjmë me një vendbanim të kohës romake më me rëndësi në fushën e Preshevës.

3.8.Rahovicë: Selishta, Kisha, Mirasheci

3.8.1.Selishta

Selishta fillon me Xhaminë, vazhdon në të dy anët kah Corrotica. Lokaliteti Selishtë gjendet në verilindje të fshatit, në të dy anët e udhës Rahovicë-Corroticë. Këtu janë gjetur themele të vjetra të ndërtesës dhe një Varr i ndërtuar prëj 4 tullave të mëdha në gjatësi 1m. Pra kemi të bëjmë më një vendbanim nga koha e perandorisë romake me Varreza.

3.8.2.Kisha

Kisha gjendet në lokalitetin e Selishtes në Rahovicë. Kjo kishë u ndërtua në themelet e një kishe të vjetër krishtere të vendasve.

3.8.3.Mirasheci

Mirasheci është vendbanim i vjetër, i cili gjendet përmbi fshatin dhe pendën e Rahovicës, në anën e djathtë të udhës Rahovicë-Bukoc.

3.9. Raincë: Biganoci, Uji i Ftohtë, Udha e Shtrembët, Kisha Katolike

3.9.1.Biganoci

Këtu diku gjendej Biganoci

Fshati i Vjetër Biganoc, sipas Haxhi Jakup(Bajram) Rexhepit nga Rainca është i hershëm shqiptar dhe ka qenë themeluar mbi Raincën, kah Lumi i Madh.

Biganoci gjendet 2,4 km në perëndim të Xhamisë, në koritën e lumit të Gosponicës, në vendin ku ajo takohet me një degë të tij. Pozita e lokalitetit dhe gjeturinat sipërfaqësore vërtetojnë ekzistimin e një vendbanimi bujqësor.

Biganoci shtrihet dhe përfshinë vendin prej një Shelgje të Gjatë deri te Lisi i Gjatë apo deri te Lisi i Xhemit.

Biganoci ka pasur pozitë të mirë gjeografike dhe ka poseduar kushte të mira për një jetë të mirë.

Biganoci është themeluar rrëzë malit, përskaj Lumit të Madh. Banorët e Biganocit, përshkak të kushteve të mira janë marrë me blegtori dhe zejtari. Se janë marrë me zeje, kanë bërë enë prej dheut, tregojnë edhe barinjtë, të cilët duke hapur pusa kanë hasur në enë të dëmtuara.

Banorët e Biganocit veçanërisht janë marrë me ndreqjen e bigave për qerre, andaj edhe emri i lokalitetit Biganoc.Ata ndreqnin edhe pjesë tjera të qerreve, por edhe qerre, të cilat i shitnin nëpër tregje për rreth. Ndryshe, ky lokalitet është quajtur edhe “Vendi i Bigave të qerreve”. Poashtu banorët e Biganocit janë marrë edhe me aktivitete sportive: vrapim, mundje, kërcim në tre hap, hudhje të gurit, etj. Në shenjë të kësaj ka mbetur edhe tradita e mbajtjes së Garave të hudhjes së Gurit në lëdinën e këtij lokaliteti. Ata që më së largu e kanë hudhur Gurin i kanë quajtur Dragojë. Andaj edhe lumi e mori emrin Lumi i Dragojëve.

3.9.2.Uji i Ftohtë

Vendi i quajtur Uji i Ftohtë është në një ramje pyjore dhe gjendet nja 3 km në veri prej Xhamisë dhe në perëndim të Biganocit. Këtu banorët gjetën një pitos antik dhe ky lokalitet është në lidhje me vendbanimin antik Biganoci.Në këtë lokalitet gjendet

Kroi i Ftohtë apo Uji i Ftohtë, të cilin e kanë hapur barinjtë e fshatit, në skaj të Kurrizit të Osojës së Madhe, në kufi afër Sharanpollit, kah Lumi i Madh, përballë Lisit të Xhemit apo të Gjatë. Uji i Kroit është i ftohtë dhe i shijshëm për pije. Më nuk ekziston Kroi, sepse ujin e tij e mori një familje e lagjes së Ukajve.

3.9.3. Udha e Shtrembët

Lokaliteti i quajtur “Udha e Shtrembët” gjendet  nja 800 m në lindje të periferisë së fshatit.

3.9.4.Kisha Katolike


Në anën lindore të fshatit Raincë, përskaj Autoudhës Nish-Preshevë-Shkup, në anën e djthtë të saj, në anën perëndimore të Samolicës gjenden  Gërmadhat e një Kishe të Vjetër Katolike, të cilës nuk ia mësuam emrin si quhet dhe si e quajnë banorët e këtyre dy vendbanimeve. Kemi të bëjmë me një Kishë të pa hulumtuar dhe kështu përfundojmë se edhe këtu, në këtë vend eksistonte  një vendbanim i vjetër iliro-romak. Per këtë flasin themelet, tullat dhe tjegullat të formatit romak, të gjetura në këtë vend.

Themelet e Kishës Katolike

Tjegulla në vendin Kisha Katolike

 

3.10.Corroticë: Konopishta,

Lokaliteti Konopishta gjendet në juglindje të Xhamisë së fshatit, nja 600-800 m në veri të  Stacionit Hekurudhor të Bukurocit dhe në afërsi të Hekurudhës, me ara. Aty janë gjetur tulla, fragmente romake, qeramikë dhe pitosa, por edhe themele të gurit. Pra, kemi të bëjmë më një vendbanim të vjetër të fushës.

3.11.Leran: Baltina /Blato/


Rreth 1 km në veri të fshatit prej qendrës, në fushë pjellore, të cilën e ndan Lumi i Leranit gjendet vendi i quajtur Baltinë /Blato/. Këtu janë gjetur  themele pa horasan dhe tulla të rralla të formatit antik.

3.12.Golemidoll: Gropat, Çezma,

Lokaliteti Gropat gjendet nja 1,5 deri 2 km në perëndim të fshatit, në perëndim të Xhadesë së Vjetër. Është fjala për një terren të rrafshët pjellor dhe i punueshëm. Në sipërfaqe gjatë lavrimit dalin tulla varreza imberike, por edhe edhe skelete të njerëzve. Pra, kemi të bëjmë me ekzistimin e vendbanimit antik me Varreza.

Lokaliteti Çezma gjendet nja 500 m nga qendra e fshatit, në veri. Këtë lokalitet e pren udha e fshatit, e cila e lidh fshatin me Xhadenë e Vjetër dhe Stacionin Hekurudhor të Preshevës. Këtu ishte i vendosut një vendbanim i vogël antik.

3.13.Norça: Mëhalla e Gerajve,

Lokaliteti Mëhalla e Gerajve gjendet në jug të fshatit, ku janë gjetur themelet e tjegullave të formatit romak. Poashtu janë gjetur edhe pramide romake me vrimë të shpuara horizontalisht. Në këtë lokalitetit janë gjetur edhe disa pjesë të mureve të vjetra antike.

3.14.Tërrnavë: Lluga e Epërme, 

Rreth 2 deri 2,5 km në verilindje të fshatit, në tokën pjellore dhe të punuar kah Lugina e Preshevës gjendet Lluga e Epërme. Është fjala për një vendbanim antik bujqësor të fushës.

4.Objekte-Varreza të Kohës antike në komunën e Preshevës:

4.1.Zhunicë: Vorret e Moçme

Vorret e Moçme në Zhunicë gjenden në lindje të fshatit,  rreth 500 m në jug të vendbanimit Crkvishtë, në arat e punuara. Këtu u gjetën gurë dhe tulla të varrezave të vjetra, të kohës antike të vonshme, por të mbuluar me pllaka të mëdha prej gurit. Pra, kemi të bëjmë me Varreza të vjetra të kohës antike të vonshme.

4.2.Leran: Butini

Në periferi të fshatit, në lindje rreth 400 m në anën e djathtë të Lumit të Leranit gjendet plato e vendit Butin, i cili shtrihet paralel me lumin. Këtu janë gjetur ashte, skelete dhe koka njerëzore. Këtu kemi të bëjmë me Varreza latine-romake.

4.3.Varrezat në Bukoc

“Vorret e Moçme” gjenden në jug të fshatit Bukoc dhe janë varre katolike, sepse guri kryesor i kokës së banorit të varrosur është i kthyer kah Roma, në perëndim. Poashtu biseduesi  thotë se gurët e varrezave janë të vendit.

Kisha në Bukoc është shkatrruar, por ekzistojnë themelet e kishës. Tash aty ekziston Çezma e Bukocit, në hyrje të Bukocit dhe nuk është në vendin si e quajnë serbët “Grobnishte”, por në vendin që banorët e Bukocit e quajnë “Vendi i Varrezave” thotë Xheladin Arifi, i ndjer nga Bukoci i Preshevës, në bisedë me të, më 06.12.1999.

5.Objekte kulti dhe vende të shenjta të kohës antike në komunën e Preshevës:

5.1.Preshevë : Guri i Shpuem

“Lokaliteti “Guri i Shpuem”, emri i të cilit rrjedh nga “kisha”, një skulpturë natyrore e pa studiuar, e futur në pjesë shkëmbore, në mesin e të cilit gjendet zgavra, e cila karakterizon këtë gurë masiv. Në pamje metafore kjo vepër krejtësisht natyrore sikur i ngjason një observatori natyror enigmatik dhe bënë vendin të duket mjaft atraktiv”. Shkruan Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik, Prishtinë, 2009, f.12/

Lokaliteti “Guri i Shpuem gjendet në jug perëndim të qytetit të Preshevës, mbi 20 Mullinjtë e Preshevës, në anën e majtë të rrjedhës së Lumit të Kurbalisë.

Lokaliteti Guri i Shpuem ishte objekt kulti dhe i takonte lokalitetit ilir në Preshevë.

5.2.Bërçec: Rrënoja ndërtese kishtare /Crkvishta/

Vendi i quajtur “Crkvishta” gjendet rreth 800 deri 1.000 m në veri-veriperëndim nga shtëpia e fundit e Mëhallës së Epërme të fshatit Bërçec, e cila ngritet lartë, në  platonë e së cilës gjejmë ndërtimtari të vjetër dhe populli e quan me këtë emër.Në perëndim lidhet me malet fqinje. Në sipërfaqen e lokalitetit shihen themelet e ndërtesës

Katrore, muret e së cilës janë 11 m dhe marrin drejtimin jug-lindje-veri-perëndim. Ndërsa muret e shkurtër janë me gjatësi 7 m. Trashësia e mureve është 90 cm. Në objekt dhe në afërsi të tij gjenden pjekurina fragmentare tulla të formatit romak. Këtu flitet nga banorët se janë gjetur edhe para të bakrit. Kemi të bëjmë me mbeturina të tempullit të antikës së vonshme, iliro-dardane-shqiptare.

5.3.Bushtran: Rrënoja ndërtese kishtare /Crkvishta/

Vendi i quajtur “Crkvishta” në Bushtran gjendet në afërsi të 300 m, ku serbët kanë ngritur varrezat e tyre, te shkurrat e rritura, në veri-perëndim të fshatit. Kemi të bëjmë me varreza të kohës antike, në realitet vendasit flasin se këtu ishte e ngritur një kishë katolike shqiptare.

5.4.Leran: Rrënoja ndërtese kishtare /Crkvishta/

Vendi i quajtur “Crkvishta” në Leran gjendet 2 km në veri-veriperëndim nga qendra e fshatit, në anën verilindore të lumit të fshatit. Vendasit flasin së në këtë vend ka qenë e vendosur, e ngritur kisha katolike shqiptare. Uji i lumit ka mbulua shumë varreza të ndërtuara me pllaka gurore.

5.5.Strezoc: Rrënoja ndërtese kishtare /Crkvishta/

Pamje nga fshati Strezoc

Në afërsi të Xhamisë së Mëhallës së Ashanëve, në anën  lindore-verilindore dhe përskaj  bregut të djathtë të lumit të fshatit, gjendet vendi Crkvishtë, me thmele prej gurëve.Vendasit flasin se aty më parë ishte e ndërtuar kisha shqiptare.

5.6.Tërrnavë: Kisha

Flitet se kjo Kishë ishte e ndërtuar në themelet e një kishe të vjetër krishtere shqiptare. Për rreth saj janë hasur varreza me skelete. Ishte i locuar tempulli i kohës antike me nekropole të vendasëve.

Të përmendin edhe Manastire të vjetra në Preshevë dhe Rahovicë. Manastiri i Preshevës gjendet në jugperëndim të Preshevës, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, mbi kishën dhe ndër Kalanë e Preshevës osë atu te vendi i quajtur Te Mullinjtë e Preshevës.

Manastiri i Rahovicës gjendet në jug perëndim të Rahovicës, në anën e majtë të udhës Rahovicë-Bukoc, te Penda e Rahovicës. Aty të çon udha e malit, ku gjenden dy cezma dhe brenda në mal gjenden gërmadhat e kishës katolike.

6.Gjetje individuale dhe të rastësishme

6.1.Miratoc: Krekëza

Rreth 3 deri 4 km në lindje-verilindje të fshatit, në afërsi të Xhamisë së Re, në anën e djathtë të autoudhës, në potezin i cili quhet Kregëza, banori i fshatit, Destan Destani, para LDB, ka gjetur një Pitos antik, të cilin edhe sot e ruan në shtëpi.

6.2.Preshevë: Hurdha-Rrethi

Rreth 300-400 m në lindje nga Kisha gjendet Rrethi, në të cilin është gjetur një pitos antik. Poashtu, sipas fjalëve të vendasve është gjetur edhe një Varr, por origjina dhe konstrukcioni nuk janë vërtetuar.

7.Vendbanime dhe lokalitete të kohës së mëvonshme apo të kohës së pa caktuar

7.1.Norçë: Selishta

Rrëzë kodrës, në të cilën gjendet edhe një pjesë e ndërtuar e Xhamisë, kompleksi nga shkolla e deri tek Mëhalla e Gerajve gjendet vendi i quajtur Selishta. Këtu, sipas fjalëve të vendasve kishte ekzistuar një vendbanim.

7.2.Strezoc: Furrat

Në mbarim të udhës së fshatit, e cila e lidh fshatin me udhën e vjetër, në potezin Gjeren gjendet lokaliteti Furra. Nëpër këtë lokalitet rrjedh lumi i Bugarinës.

7.3.Miratoc: Banjka e objekte të tjera arkeologjike

Banjka dhe Autoudha Nish-Shkup

 

Në largësi të disa kilometrave nga fshati në fund të autoudhës gjendet potezi Banjka.Këtu janë gjetur varreza të vjetra të një vendbanimi të vjetër.

“Sot në pjesën e fushës “Kalldërma e Fezllahit”, “Kalldërma e Xhelepit”, “Gurishta” dhe më gjerë shtrihet lokaliteti arkeologjik i regjistruar nga entet arkeologjike të Serbisë. Sipas tyre, lokaliteti “Kisha” është Nekropole e periudhës romake.

Rreth e përqark lokalitetit të Kishës në hapsirë prej Kalldërmës së Xhelepit në perëndim deri te Livadhi i Lilës në lindje.

Prej gurishtes në veri e deri te Krekëza në jug në sipërfaqe prej 2-2.5 km2 shtrihet hapsira ku hasëm gjurmë që dëshmojnë për jetesën e njerëzve në këto vise dhe ekzistimin e këtyre dy katundeve.

Në lokalitetin e gurishtes në veri janë varreza krishtere, 500 metra më në jug të lokalitetit Varret e Turqve gjenden varrezat muslimane. Të dy këto grupet të varrezave numerikisht janë më të pakta për dallim prej varrezave të lokalitetit të Kishës ku numerikisht këto varreza janë më të numërta.

Varrezat muslimane janë që nga fundi i shekullit 15 dhe fillimi shekullit 16. Në këtë periudhë, tërë Kazaja e Preshevës numëronte rreth 25 familje të besimit musliman, gjysma e këtij numri të familjeve muslimane jetoni në katundin Banjkë dhe Sakanoc.

Këta besimtarë musliman kishin një xhami të përbashkët. Besohet se kjo ishte xhamia e Tabanocit, ku sot është në rrënim e sipër.

Kujtoj se, Xhamia e Tabanocit është njëra ndër xhamitë më të vjetra në teritorin e ish Jugosllavisë ndosha edhe në Gadishllin Ballkanik.

Mendohet se është ndërtuar nga tregtarët aziatik para ardhjes së turqve.

Varrezat e lartpërmendura të tre grupeve shtrihen nga veriu në drejtim të jugut paralelisht me autostradën. Gjatë realizimit të punimeve në autostradë si në të kaluarën edhe tani dëmtuar relativisht shumë.

Varrezat janë të murosura në të katër anët me gurë. Kanë shtrojë dhe mbulojë prej rrasave të gurëve ose pllakave të qeramikës. Janë në pozitë, këmbët nga lindja ndërsa kokën kah perëndimi, janë varreza katolike.

Të dhënat informative mbi historinë e kësaj nekropole i kemi lexuar edhe në shkrimet e autorëve të ndryshëm të shkollës së Beogradit dhe Shkupit si: Trifunovski, Haxhivasileviqi, Stojanovski etj.

Po përmendim një detaj nga autorët shqiptar. Pjetër Bogdani, kryeipeshku i Shkupi i dërgoi Romës një raport në vitin 1662 në të cilën thotë se “Bërthamën e pjestarëvetë besimit katolik në Serbi e përbëjnë shqiptarët. Nga kjo mund të përfundojmë se popullsia e këtyre katundeve ishte shqiptare e të dy besimeve e jo popullsi serbe e turke si pretendojnë të tjerët”. /Shkruan: prof. Sami Agushi, Çka fshihet nga e kaluara historike në Luginën e Preshevës? presheva.com, 08/09/2011/

8.Bushtrani, vendbanim i Vjetër Dardan


8.1.Kalldërma në Bushtran

Kalldërma, udha e vjetër Bilaç-Kumanovë

Edhe Koplenica e Bushtranit është ngastër e veçantë, në mes Bilaçit dhe Bushtranit.

Në këtë ngastër të Koplenicës, mes livadheve të Asllan Arnautit dhe Dobridubit (Lismirit), gjendet Kalldërma, rreth lumit të sotëm të Bushtranit.

8.2..Koplenica në Bushtran

Koplenica, udha e vjetër Bilac-Bushtran-Preshevë-Kumanovë

8.3..Ara e Vakëfit në Bushtran


Ara e Vakëfit në Bushtran, gjendet në të djathtë të udhës dhe Varrezave të Vjetra të Bushtranit, te vendi i quajtur Zallina, në jug të fshatit.

8.4.Varrezat e Vjetra Myslimane në Bushtran, te vendi Zallina, në jug tq fshatit

8.5.Varreza të vjetra, te vendi Kolibja në Bushtran

8.6. Ballavani /Gurët e Bollës/ në Bushtran

8.7.Plato e Relejit TV në Bushtran

Dr. Jahi Staneci në hulumtimet e tija ka ardhur në përfundim se në komunën e Preshevës, Vendgjetjet nga periudha parahistorike janë: Guri i Gatë në Tërrnavë, Kështjella e Bushtranit, Kacipupi në Rahovicë, Bregu përmbi Geraj, Livadhi i Deleve, Lagja e Dinarëve dhe Lugu  Grykë, në Stanec, Vendgjetja afër shkollës në Buhiç, Bregu i djathtë i lumit të Stanecit në Ilincë, Vale/Valeva/, Peçene, Guri i Norçës, Kështjella e Lagjës Gjinaj në Depcë, Kështjela e Lagjes Isaukë në Caravajkë, 2 kështjella në Sefer, vendgjetja ndërmjet Hekurudhës dhe Banjkës në Miratoc, në Strezoc 2 vendgjetje dhe në Tërrnavë, vendgjetja në veriperëndim të Gurit të gatë.

dhe nga periudha antike janë: Kalaja e Preshevës, Rrëza lindore e Kështjellës së Preshevës, Bregu i majtë i Lumit të Kurbalisë, rrëza jugore e Kështjellë së Preshevë/veëndbanim/,Tarraca në bregun e djathtë të Lumit të Kurbalisë, në juglindje të kështjellës, përmbi dy mullinjtë/vendbanim/, Bregu i majtë i Përroit të Kështjellës së Preshevës, përballë kështjellës së Preshevës/vendbanim dhe varreza/, Vendi tea e Lugut të Brinjës rreth 100 m në veri të Gurit të Gjatë/vendbanim/, Rrëza e Udhës së Brinjës së Preshevës 80-100 m në veri të Gurit të Gjatë/vendbanim dhe varreza/, Përzhar, varreza tumuli/varreza ilire/, Përkulja e Përzharit/varreza/, Bukurocë, tri vendgjetje përreth katundit, Zhunicë, qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore:ujësjellësi, lënda ndërtimore, dy objektetë sakrificës, Kacipupi, Kështjella e Rahovicës /vendbanim dhe varreza/,

Tarraca në bregun e majtë të lumit të Rahovicës, përballë xhamisë, Raincë tri vendgjetje,  Corroticë dy vendgjetje, Bërçec, një vendgjetje, një vendgjetje në Bushtran, një vendgjetje në Golemidoll, në Leran, pesë vendgjetje, në Norçë dy vendgjetje, Rrëza lindore e Gurit të Norçës/vendbanim/, dy vendgjetje në Strezoc,  tri vendgjetje në Tërrnavë, një në Cakanoc, një në Çukarkë, Bregu i lumit Banjkë në Miratoc, Në Kurbali, në lagjen e Nuhallarëve, te Çezma, Stanec, Kështjella dhe dy vendgjetje, Në shtratin e lumit të Stanecit në caravajkë,/vendbanim/, Ilincë, në skajin lindor të katundit/vendbanim/, Livadhi i Shehut, në fund të livadhit, ku ndan udha për Buhiç/vendbanim/ dhe Mali Ostrovicë, në majën e saj/1/168/ kështjellë.

Vlen të përmendim edhe dy objekte arkeologjike në Malësinë e Karadakut : Vala /Valeva/ dhe Vaça /Vaçka/, vendbanime të vjetra dardane, të zhdukura, por të cilat shënohen në pasqyrën tabelare të popullsisë së vendbanimeve fshatare në Kadillukun e Vranjës, në shek XVI. Atëherë Kadilluku i Vranjës përfshinte këto nahi: Vranja, Morava, Moravica, Presheva, Pçinja dhe Inogoshta.

Vala gjendet në juglindje, në anën e majtë të udhës Preshevë-Gjilan, te Livadhi i Shehut, ndërsa Vaça gjendet në veriperëndim, te fshati Buhiç.

Vala në regjistrimin e popullsisë të vitit 1519 kishte 4 familje të krishterë, në regjistrimin e vitit 1528 kishte 4 familje të krishterë dhe në regjistrimin e vitit 1570 kishte 3 familje të krishterë.

Vaça në regjistrimin e popullsisë të vitit 1519 kishte 6 familje të krishterë, në regjistrimin e vitit 1528 kishte 7 familje të krishterë dhe në regjistrimin e vitit 1570 kishte 2 familje të krishterë.

Të themi se atëherë regjistrimi bëhej vetëm në bazë të përkatësisë fetare. Ishte kohë e pushtimit të këtyre trojeve nga Turqia Otomane, e cila Vranjën dhe Preshevën e mori më 1444/45. Andaj edhe ishte fillimi i islamizimit dhe i depërtimit islam në këto troje. Poashtu të themi se Karadaku i Presehvës, sipas shumë studiuesve edhe serbë ishte bastion i katolicizmit, çka do të thotë se kemi të bëjmë me popullsi krishtere katolike, por edhe ortodokse që flasin shumë dokumente dhe studiues.

Poashtu të përmendim, si objekte arkeologjike: Arën e Dervishit në Bërçec,Gurin i Gatë në Tërrnavë, Kodrën e Dautit te Gerajt, Arat e Misinit në Bukuc, etj.

 

REFERENCAT

 

1.Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999

/Punimi i dr. Jahi Stanecit/.

2.Dr Jahi Staneci, Presheva në fotografi dhe fjalë(monografi), Prishtinë,2010

3. Burbuqe A. Agushi, Presheva me rrethinë në zhvillimin arkitektonik urbanistik, Prishtinë, 2009

4. Sami Agushi, Çka fshihet nga e kaluara historike në Luginën e Preshevës? presheva.com, 08/09/2011/

5. Dr.sci Naser Kamberi, Gjetjet arkeologjike në lokalitetin Bostanishtë, Bunishtë të Zhunicës dhe nekropolet e lokalitetit Përshk /Përzharë/dokumentojnë antropogjenezën dardane, Gjimnazisti, Preshevë, 2010, nr.2.

6.Bisedë me Dr. Vahid Murtezin nga Bukuroci, njëkohësisht tregues i objekteve arkeologjike në Bukuroc, Bushtran dhe Zhunicë gjatë fotografimit, më 13 prill 2012

7.Bisedë me Dajën Fazli Fejzullahun nga Bushtrani, njëkohësisht tregues i objekteve arkeologjike në Bushtran, më 11 prill 2012.

8.Aleksandar Stojanovski, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985

9.Milan Jovanovic, Arheoloska istrazivanja u 1966. i 1967. godini, Vranjski glasnik, knj. III, Vranje, 1967

10. I njëjti, Arheoloska istrazivanja u 1968.godini, Vranjski glasnik,knj. IV, Vranje, 1968

11.Mihajlo Kostic, Presevska kotlina, Drustveno-geografska studija, Vranjski glasnik, knj.V, Vranje, 1969

12.Jovan Hadzi-Vasiljevic, Juzna Stara srbija, Presevska oblast, knjiga druga, Beograd, 1913

13.Mirjana Vukmanovic i Petar Popovic, Sondazna istrazivanja gradinskih naselja na podrucju Vranjsko-Presevskae kotline,Godisnjak, knj.XX, Centar za Balkanoloska ispitivanja ANU BiH, Sarajevo, 1992

14.Jovan F. Trifunoski, Kumanovsko-Presevska Crna Gora, Beograd, 1951

15.I njëjti, Moravica, istocno-presevski sela, Godisen zbornik, knj. 1, Filozofski Fakultet na Univerzitetot-Skopje, Skopje, 1948

16. Bisedë me Vehbi Fazliu, historian nga Rainca, më 9 janar 2012 dhe shënimet e Vebiut të bisedës së tij me Haxhi Jakup(Bajram) Rexhepin nga Rainca, të ndjer.

17.Reshat Abdiu, Bushtrani njihet si vendbanim i lashtë Dardan, www.Kosova lindore, më 06.04.2011

18. Xheladin Arifi, i ndjer nga Bukoci i Preshevës, në bisedë me të, më 06.12.1999

19.Në vizitat e përmendura bashkëudhëtar e pata Kadri Dodën nga Presheva

 

 


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni