Jose Mourinho konfirmoi mbrëmjen e kaluar se do të kthehet në Angli për të vazhduar karrierën e tij.

“Më mungon Anglia dhe puna ime e ardhshme do të jetë në kampionatin anglez. Besoj se edhe Anglia më do mua, apo jo? Periudha që kam kaluar në Premiership ka qenë më e bukura në karrierën time”, u shpreh trajneri i Real Madridit dje në Londër ku ndodhej i ftuar në seminarin Football Extravaganza.

Chelsea, ekipi që la për Interin në vitin 2008, është destinacioni më i mundshmë i The Special One, por nuk përjashtohet opsioni i Tottenham apo Manchester United dhe City.

“Periudha tek Chelsea ka qenë shumë e bukur si për mua ashtu edhe për familjen time. Por, kam edhe tre vite kontratë me Real Madrid. Është ekipi më i madh në botë dhe më i vështiri për tu drejtuar”, shtoi portugezi.

Mourinho përfundoi duke thënë se “Anglia është speciale dhe unë nuk e shpjegoj dot se pse e dua kaq shumë këtë vend.”

SHPËRNDAJE