Sot në Prishtinë, me disa aktivitete, do të përkujtohet në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta ish-Presidenti i Kosovës dhe themeluesi e lideri shumëvjeçar i LDK-së, Ibrahim Rugova – vizionari dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

Në orët e paradites, (në orën 10:30), në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë një Akademi Përkujtimore, në të cilën pritet të flasë kryetar i saj, Isa Mustafa.

Ndërkaq një akademi tjetër, në nderim të Ibrahim Rugovës, pritet të mbahet në orën 12:00, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku pritet të flasë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërsa, në orën 13:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, do të mbahet një aktivitet letrar, me temë: “Vepra kulturore e letrare e Dr.Ibrahim Rugovës”, në të cilën do të flasin studiues nga Kosova dhe Shqipëria. Gjatë ditës te varri i Presidentit Rugova do të mbahen homazhe nga Kryesia e LDK-së (ora 09:30), si nga një delegacion i lartë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (në orën 14:00), nga LDD etj, si dhe do të bëhen vizita në familjen Rugova.

Ibrahim Rugova (1944- 2006) ishte intelektual, shkencëtar, studiues i letrave dhe i kulturës, me një fjalë personalitet i shquar i botës shqiptare, bartës i shumë çmimeve ndërkombëtare për paqe, doktor Honoris Causa të universiteteve të Parisit VIII dhe të Tiranës, i Çmimit Saharov dhe shumë dekoratave ndërkombëtare për paqe, prijës i lëvizjes për emancipimin dhe çlirimin, për pavarësimin e Kosovës dhe për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Mbylli sytë në Prishtinë në vitin 2006, nga një sëmundje e rëndë.

SHPËRNDAJE