Më 17 dhe 18 maj, në Bruksel, do të mbahet raundi i katërt i dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë. Në fokus të këtij raundi të dialogut do të jenë vazhdimi i bisedimeve për temat në agjendë të raundeve të kaluara, regjistrat civile dhe kadastralë, telekomunikacioni, energjia, vulat doganore, liria e lëvizjes dhe diplomat shkollore.

Në këtë raund do të hapen edhe dy tema të reja, ajo e trashëgimisë kulturore dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve, njoftoi Qeveria e Kosovës. Edhe në këtë raund sikurse edhe në tri raundet e kaluara të dialogut teknik, delegacioni i Republikës së Kosovës do ta shpalos dhe mbrojë qëndrimet e veta të cilat janë në harmoni me Kushtetutën, ligjet, rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës mbi dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës i prin zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Në delegacion marrin pjesë edhe Lirim Greiçevci – këshilltar politik i kryeministrit, Dren Zeka – këshilltar i lartë politik i zëvendëskryeministres Tahiri, Arjeta Rexhaj – këshilltare politike e zëvendëskryeministres Tahiri, Edi Shukriu – kryetare e Këshillit për Trashëgimi Kulturore, Vjollca Aliu – drejtoresh e departamentit për trashëgimi kulturore në Ministrinë e Kulturës, Pajazit Nushi – koordinator i Ministrisë së Drejtësisë për të çështjen e të pagjeturve, Gylbehare Llapi – zyrtare nga Ministria e Arsimit, Qemajl Marmullakaj – Zyrtar i lartë për planifikim të politikave.

SHPËRNDAJE