(AIK-Presheva Jone)

 

 

Norma e Bellinit, Luisa Miller e Verdit, Anna Bolena e Donizetit, forca dramatike e këtyre heroinave i është përcjellë publikut rus përmes zërit të Ermonela Jahos.

Vetëm pak ditë më parë, sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, provoi suksesin në skenën ruse. Një koncert recital me orkestrën e Bolshoi Teatër në sallën “Tchaikowski” në Moskë, me një repertor që dikur e këndonte Maria Callas. Norma e Bellinit, Semiramide e Rosinit, Luisa Miller e Verdit, Anna Bolena e Donizetit, forca dramatike e këtyre heroinave i është përcjellë publikut rus përmes zërit të Ermonela Jahos. Sopranoja shqiptare shprehet se gjithçka origjinale që dha në atë skenë i takon pasionit dhe temperamentit që ka trashëguar nga vendi i saj. Ky vit që sapo ka nisur shënon një kalendar të ngjeshur artistik për të. Nga Moska në Kaliforni për “Turandot” e më tej në Gjermani, Spanjë, Itali, Suedi, për një sërë rolesh të rëndësishme. “ Kërkesa ime personale që në firmosjen e kontratës për këtë koncert. Kërkova që të shkruanin sopranoja shqiptare, sepse është një identitet të cilin e mbart me vete secili prej nesh dhe sidomos ne artistët që jemi ambasadorët e vërtetë të vendit”, ka thënë sopranoja. Sipas Ermonla Jahos, e veçanta që ajo i jep publikut nëpër botë është ai pasion, ai sinqeritet, ai bagazh shpirtëror që i ka rrënjët në vendin e saj. “Zëra të bukur e të mëdhenj ka kudo nëpër botë, por personaliteti artistik është diçka më shumë se aq. Për mua muzika është një terapi e vërtetë ku kanalizoj të gjitha emocionet e mia pa barriera dhe çdo eksperiencë jete e përbërë nga një ylber që mbart të gjitha ngjyrat, bëhet frymëzim i asaj që jap në skenë. Pastaj, të jesh pjesë e një vendi mesdhetar, i Ballkanit, çdo emocion ka atë zjarrin e ndezur gjithmonë që është thesar dhe pishtar në art”, ka thënë sopranoja shqiptare që mrekulloi teatrin “Balshoi”.

SHPËRNDAJE