Kombëtarja e Zvicrës U-21 është e vetëdijshme për sfidën shumë të vështirë me spanjollët, por me bindje se do të shënojnë fitore. Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi e Granit Xhaka pritet të startojnë titullarë kundër Spanjës.

 

Finalja e Kampionatit Evropian për U-21 në futboll ndërmjet kombëtares së Zvicrës U-21 dhe Spanjës U-21 pritet me kureshtje të jashtëzakonshme, jo vetëm nga tifozët e këtyre dy vendeve, por edhe nga shtetet e ndryshme të Kontinentit të Evropës. Zvicra në përbërjen e saj ka pesë shqiptarë: Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi, Amir Abrashi e Pajtim Kasami, të cilët janë më se të bindur se të shtunën mbrëma (sot), në orën 20.45, do të shkruajnë historinë e futbollit zviceran. Në taborin zviceran mbretëron atmosferë e jashtëzakonshme, sikurse edhe te spanjollët. Zviceranët deri më tash asnjëherë nuk ishin pjesë e finales së madhe dhe është hera e parë që do të luftojnë për të fituar këtë trofe të çmueshëm. Ata do të kenë përballë një Spanjë e cila nga shumë ekspertë hiqet favorite në letër, por edhe Zvicra ka ambiciet e veta. Padyshim se kualifikimi i zviceranëve në finale është edhe kontribut i madh i shqiptarëve sidomos i Admir Mehmedit, i cili deri më tash ka shënuar tri gola, Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, që ka qenë ndër më luftarakët së bashku me Amir Abrashin. Xhaka në gjysmëfinale nuk ishte paraqitur për shkak të dy kartonëve të verdhë, por i cili do të kthehet në finale. Zvicra ka besim të madh te futbollistët e saj për shkak se disa prej tyre kanë luajtur me sukses të madh kundër Anglisë në “Wembley”, si bie fjala: Shaqiri, Xhaka e Mehmedi. Spanjollët megjithëse hiqen favoritë sigurisht se do ta kenë shumë vështirë, duke e ditur se rivali ka potencial të hatashëm të futbollistëve që në çdo ndeshje po lënë gjurmë. Fundja, pritet të jetë finale me rivalitet të madh ndërmjet këtyre kombëtarëve. Si Zvicra po ashtu edhe Spanja kanë siguruar pjesëmarrjen në lojërat Olimpike 2012 në Londër.

Zvicra pritet të paraqitet me këtë përbërje: Sommer; Koch, Rossini, Klose, Berardi; Lustenberger, Frei, Shaqiri, Xhaka; Emeghara, Mehmedi. Ndërkaq, spanjollët sipas të gjitha gjasave do të kanë këtë përbërje të mundshme: De Gea; Montoya, Botia, Dominguez, Didac; Javi Martinez, Ander Herrera, Thiago; Mata, Adrian, Jeffren. Në fakt, Shaqiri konsiderohet futbollisti më i mirë zviceran, për të cilin, sipas medieve zvicerane, bashkë me Javi Martinezin e Spanjës, më së shumti është folur në këtë Kampionat Evropian. Duhet shtuar se Spanja ishte dy herë kampione e Kampionatit Evropian për këtë grup-moshë – në vitin 1986 dhe në vitin 1998.

SHPËRNDAJE