Skyfter Kadriu PRESHEVA poet

EJONA PRESHEVA

 / Poezi-kushtuar vendlindjes sime /

Ejona ime e dashur,

Në sytë tu të trishtuar,

Shoh harenë e gjymtuar,

Hoxhën në Kishë, e

Priftin në Xhami.

Preshevën në LIRI !

(Marre nga libri me poezi KU TA DI UNË, kushtuar vendlindjes)

……………………………………………………………………………………

 

 

NJË MONOLOG I SË SHKUARËS PËR ARDHMËRINË

 

Është një dhuratë shpirtërore, tejet e ndjerë, tejet e kuptimshme, ju siguroj, mbresëlënëse dhe trazuese, që autori Skyfter Kadriu Presheva ua jep të vetëve që mos të “ecim, pa pyetur për rrugën. E jep këtë dhuratë-përvojë, pikërisht në këto ditë e çaste kur lypet shumë mençuri, përtëritje kujtese dhe memorjeje historike, për të mos gabuar më, për të mos patur brenda vetes “Komunitete Mëkati”, “Mëhalla Turpi”, “Ishuj Ndëshkimi”.

 

 

 

Shkruan: Prof. Dr. Adriatik KALLULLI

 

Kur miku im, Skyfter Kadriu, më telefonoi e më tha se do të më jepte të lexoja, diçka të shkurtër, të titulluar: “Eeec!…(parakalo mendjen), m’u kujtua në çast vëllimi i tij poetik “Ku ta di unë!” ku çdo vjershë e varg është thellësisht i kuptimshëm, ekstrat jete, përvoje, përjetimi dhe befasie poetike. E lexova me një frymë dorëshkrimin e ri, e rilexova me një ritm ku logjika e mendimi i rrok më mirë vlerat dhe e lashë mënjanë që të bindesha nëse vërtet ai kishte lënë diçka tek unë, apo dashamirësia do të më sajonte ca buqeta fjalësh që shpejt do të vyshkeshin.

 

Një prozë e shkurtër, e ngjeshur, në mish të vet, siç shprehet populli, një prozë me imazhe fluturuese, apokaliptike, parakaluese të jetës, një film-imazh i së mëpërparshmes dhe i jetës ku jemi, se uji i ri që rrjedh, vështirë të ndahet nga i vjetri. Një prozë tejet ritmike, siç është e ecura e shpejtë nëpër të përpjetat dhe teposhtat e shumta e të papritura të jetës sonë, një rrëfim telegrafik, ku dihet se fjalët kushtojnë një për një dhe mbahen gjatë. Mbahen mend se s’janë fjalë të rëndomta e të rraskapitura nga përsëritja dhe konsumimi, por kumte, të vërteta të ashpra, mesazhe që duhen mbajtur mend. Njëherazi, edhe një sintezë abstraguese artistike, morale-filozofike, siç t’i jep ashtu së toku vetë jeta dhe si ç’ke edhe ti dëshirë si autor, t’i ngjeshësh derisa brumi i ardhur të kthehet në unitet artistik.

 

Një prozë e ngjeshur si me tokmak e havana të rëndë, ashtu siç e godasin edhe vetë jetën tonë dhuna të tilla, se na lodhën e përlodhën shumë përshkrime kilometrike, natyraliste që në kohën tonë mund t’i zhgarravisë shumëkush, boll që të dijë të shtypë shpejt në kompiuter. Këtu, rrëfimi e përshkrimi është i nxituar, intensiv, kapërthyes i thelbeve të jetës, simbolik, metaforik, piktoresk dhe më së shumti apokaliptik. Se e tillë është edhe jeta që përfshihet në të, por edhe dëshira e vetëdishme e autorit. Një autor që distancohet nga rutina rrëfimtare e të shumtëve. Le të luajnë më mirë tavëll e karambol, por jo të shkruajnë rëndomtësisht, duke kujtuar se lexuesi i mënçur, as ecën dhe as e parakalon jetën dhe mendjen. E shkruara si identitet, nënkupton mvehtësi përfytyrimi dhe interpretimi, identitet, jo te emri në kopertinë, por te çdo radhë e shkruar. Kjo është prirja e kahershme e këtij autori. E dëshmuar edhe te: “Diçka po lëviz!” (   2000          ), edhe te vëllimi me peshë “Ku ta di unë!” (2002 ) dhe tash së fundmi te proza që keni në dorë. Prozë lakonike që përfytyron një realitet burg, me mokra të shumta që bluajnë e thërmojnë, i mbushur me krimba që bëjnë orgji, me degradime e metamorfoza gjithfarësh, me rrathë modernë të ferrit dantesk, me laboratorë të sofistikuar të pastrimit të truve, me lumenj lotësh të nënave, motrave, bijave, me mizëri merimangash, gjarpërinjsh, dhelprash, krimbash që bëhen miza neveritëse, kështjella të kthyera në burg, burgje-çmendina, hetuesish me dhunime mesjetare. Njëri realitet ky. Tjetri, ai i qëndresës shkëmbore që lind luftëtarë, mendimtarë, oaza përsosjesh për një ardhmëri më të mirë dhe për të cilën, edhe ti: “mundohu të bëhesh mburojë ndaj ofertave të pjellave djallëzore”, mos e lejo “bashkëdyzimin e viruseve”, mos i lejo më “vetëdijet e fjetura”, vraje mendjen ta kuptosh rrugën që do të vijë, kthesat shpartalluese që mund të ndodhin, mbroje veten tënde nga epidemitë e shpërndara lart e poshtë, por mbro edhe tëndin, se me të do ta bësh rrugën. Parakaloje mendjen e pjekur por edhe esëll në gjithçka që kundron. Përpiqu fort ta kuptosh edhe atë ciklin e pikturave të artistit-viktimë se: “….pikturat nuk i zbërthejnë ata që i krijojnë, por secili e merr atë që e sheh dhe e ndjen”.

 

Është një dhuratë shpirtërore, tejet e ndjerë, tejet e kuptimshme, ju siguroj, mbresëlënëse dhe trazuese, që autori ua jep të vetëve që mos të “ecim, pa pyetur për rrugën. E jep këtë dhuratë-përvojë, pikërisht në këto ditë e çaste kur lypet shumë mençuri, përtëritje kujtese dhe memorjeje historike, për të mos gabuar më, për të mos patur brenda vetes “Komunitete Mëkati”, “Mëhalla Turpi”, “Ishuj Ndëshkimi”.


1 Komente

  1. Gimi1702, August 11, 2012:

    ne trojet etnike shqipetare,aty ku bukes i thojn buke e ujit uje,ku ka respekt e dashamiresi ndaj atdheut dhe familjes aty lindi ky trim i njohur me emrin skyfter kadriu,nuk eshte e rastit qe thojn se femija e trashigon familjen ky trim jo qe e trashigoi familjen e tij patriotike dhe atdhetare po ky shkoi edhe me larg me veprat e tij patriotike e kombetare,eshte nder i madh per luginen e presheves e me sakte per kosoven lindore qe e ka nji ksi burri,patrioti e atdhetari,te jetosh sa malet e shqipetarise dhe veprat e tua le te jetoje me shekuj.

Komentoni