Skulpturat e Nuhiut nga Karadaku i Presheves ne Prishtine

Skulptori preshevar Hevzi Nuhiu ka hapur ekspozitën e tij të skulpturave nga guri dhe druri në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë

Prishitne, 24 tetor/ AIK/Presheva Jone

Një prej vlerësimeve më të mira për skulpturat e Hevzi Nuhiut e ka dhënë poeti i njohur shqiptar Visar Zhiti. “Ai bën një art të pakohë dhe të pamoshë, që i ngjan punëve të njeriut të parë nëpër shpella dhe atij më modernit. I bashkon këto dy vizione dhe jep atë që do të bënte natyra”, kështu ka shkruar poeti Zhiti për skulptorin shqiptar nga Presheva Hevzi Nuhiu, i cili, të premten mbrëma, e hapi ekspozitën me skulptura ‘Udhëtimi në Ballkan’ në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, tha se është kënaqësi e veçantë që sot e kemi skulptorin Hevzi Nuhiu këtu në mesin tonë, i cili është një emër i njohur i artit shqiptar në përgjithësi. Ndërkaq, Michael Giffoni, ambasador i Italisë në Prishtinë, tha se i vjen keq që nuk mund të fliste në gjuhën tonë të përbashkët sepse, sipas tij, është e vështirë të flitet për artin dhe të shprehen koncepte artistike në një gjuhë tjetër. “Mjeshtri Nuhiu artin e tij e ka perfeksionuar në Itali gjë që më ka bërë të ndihem edhe më krenar sepse e njoh shumë mirë ambientin kulturor të arbëreshëve të Italisë, në të cilin është krijuar edhe artisti ynë Nuhiu”, tha ambasadori italian. “Në skulpturat e tij gjithçka është e bazuar në një kundërpozicion në mes të asaj që është bosh dhe asaj që është plot”, tha ambasadori Giffoni. Për skulpturat e Nuhiut foli edhe Don Lush Gjergji, i cili theksoi se këtë ide për ekspozitë me Hevziun e ka pasur qysh para tri-katër vitesh kur ai për herë të parë e ka ndarë një përvojë të bukur artistike, gdhendjen e Nënës Terezë në gurin që është në hyrje të Preshevës. “Aty Hevziu nuk e pa vetëm një shkëmb apo një kodrinë por e pa edhe fytyrën e nënës universale që është Nëna Terezë. Vet ideja dukej gjeniale. Sipas tij, Hevziu është një njeri që nuk shikon vetëm sipërfaqen e asaj çka ka toka dhe mbitoka. Por shtoi se gjërave të bukura iu jep një bukuri shtesë sepse botën e tij që e ka në brendi e projekton dhe e derdh në lëndën e parë që është druri, guri dhe metalet e ndryshme. Është një ekologjist i mrekullueshëm sepse atij i duket se është dhunë të marrësh diçka nga nëna tokë e ta fusësh në një studio ose në ndonjë vend të vetmuar. Prandaj veprat e tij artistike janë një muze, janë një ekspozitë e vazhdueshme në natyrë sepse ato komunikojnë vazhdimisht me njerëzit që kalojnë andejpari”, tha Don Lush Gjergji.

Me një fjalë rasti, të
pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa. Në fund, të pranishmit i përshëndeti edhe autori i ekspozitës, skulptori Hevzi Nuhiu, i cili që tridhjetë vite jeton në Shën Mitër Koronë pranë arbëreshëve të Italisë. “Unë mendoj se natyrën tonë, tokën tonë, planetin tonë çdo ditë po e helmojmë me qindra mijëra tonelata helm, i kemi futur kancerin tokës dhe ajo po na paguan me të njëjtën monedhë”, tha skulptori Nuhiu. Ai shtoi se skulptura e tij është e vështirë për t’u kuptuar nga masa sepse, siç u shpreh ai, ka pasur fatin të jetë 15 vjet mik i ngushtë i mjeshtrit Ibrahim Kodra. Duke cituar një thënie të Aristotelit, të cilën ia kishte thënë piktori i njohur shqiptar Ibrahim Kodra, Nuhiu tha: “Aristoteli thoshte se natyra është përfekte. Ne nuk mund ta kopjojmë dhe ta imitojmë. Duhet ta interpretojmë”. Duke e falënderuar drejtorin e bibliotekës për mundësinë e hapjes së ekspozitës, Nuhiu ia dhuroi atij një skulpturë të tij në formë libri të hapur, në të cilën ishte gdhendur emri i Gjon Buzukut. Hapjen e kësaj ekspozite e kanë përshëndetur edhe deputeti I Partisë Demokratike të Kosovës me prejardhje nga malësia jonë, Nijazi Idrizi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dhjet ditë në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë. Në shkollën fillore “9 Maji” në fshatin Leran, sot është mbajtur orë letrare, e organizuar nga klubi letrar “Feniks”. Kjo orë letrare, edhe zyrtarishtë hap turin e klubit letrar në organizimin e orëve letrare në të gjitha shkollat e Luginës së Preshevës, të titulluar “Karvani poetik i Luginës”. Kryetari i këtij klubi që tubon të gjithë krijuesit e Luginës së Preshevës, u shpreh mjaftë i kënaqur me praninë e nxënësve dhe interesin e tyre në këtë tubim. Ndërsa, edhe nxënësit e shkollës fillore “9 Maji”, para krijuesve letrar recituan disa poezi, të poetëve të ndryshëm. “Karvani poetik i Luginës”, I filluar sot në shkollën fillore “9Maji” në Leran, do të vazhdoj në të gjitha shkollat e Luginës së Preshevës, kurse do të përfundojë në mesin e muajit maj.(TvP)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni