Njohësit e çështjeve ekonomike shprehen skeptikë sa i përket realizimit të objektivave të Qeverisë për sivjet, siç është zhvillimi ekonomik, përmirësimi i mirëqenies sociale, e sidomos lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, drejtues të agjencisë antikorrupsion, thonë se lufta kundër korrupsionit do të sjellë më shumë rezultate.

Qeveria e Kosovës edhe sivjet do të fokusohet në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rritjen e mirëqenies sociale dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kështu u zotua këtë fillim-vit kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Por, njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, shprehet skeptik sa i përket realizimit të këtyre objektivave.

“Kur bëjmë një krahasim me përcaktimet nga vitet e mëhershme nuk ka ndonjë dallim të madh, do të thotë lufta kundër korrupsionit, integrimet, zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale, janë objektiva të përhershme, të cilat më shumë kanë qenë vullnet sesa që kanë qenë pjesë e punës dhe e përkushtimit të Qeverisë”, thotë Rexhepi.

Rexhepi thekson se orientimet strategjike të Qeverisë nuk janë në përputhje me kornizën afatmesme të shpenzimeve 2012-2014 e as me programin për zhvillim ekonomik. Nga ana tjetër, kryeshefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se është bërë një përparim i vogël sa i përket legjislacionit dhe parandalimit të korrupsionit, ndërkaq, shprehet optimist se sivjet rezultatet do të jenë më të mëdha.

“Gjithmonë në ato pikat ku po vihen prioritetet, ka rezultate, dhe për këtë vit nuk ka prioritete më të mëdha sesa punësimi i të papunëve dhe lufta kundër korrupsionit dhe ndaj atyre që e keqpërdorin paranë publike”, thekson Preteni.

Preteni shfaq bindjen se gjyqësori sivjet do të jetë më efikas në gjykimin e rasteve të korrupsionit:
“Gjyqësori përfundimisht këtë viti qytetarit të vendit duhet t’i ofrojë më shumë shifra se me të vërtetë korrupsioni në Kosovë jo vetëm që debatohet për të dhe po përgatiten ligje, por edhe gjykohet”.

Ndryshe, sipas raporteve të agjencisë anti-korrupsion, korrupsioni ka qenë i pranishëm në ndërmarrjet publike, në pushtetin lokal dhe qendror dhe në gjyqësor. Përderisa gjatë vitit 2010 kjo agjenci ka bërë hetime në 139 raste, në vitin 2011 numri është më i madh, por raportin me të dhënat përfundimtare agjencia e publikon në muajin mars.

SHPËRNDAJE