Ndonëse trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka ruajtur një heshtje pothuajse të plotë gjatë zhvillimit të procesit në skandalin e ri të basteve në Itali, duket se avokatët e tij po negociojnë në prapaskenë një dënim më të ulët.

Përballë fakteve gjithmonë e më të qarta për njohjen e fiksimit të ndeshjeve Novara-Siena dhe Albinoleffe-Siena në Serinë B, kur Conte drejtonte klubin sienez, duket se trajneri i bardhezinjve nuk ka më shanse për të fituar pafajësinë në lidhje me akuzën e moskallëzimit të krimit.

Në këto kushte, duket se trajneri i kampionëve të Italisë ka nisur të kërkojë një ulje të dënimit të mundshëm 1-vjeçar, në tre muaj, periudhë gjatë së cilës mund të zëvendësohet lehtësisht nga ndihmësi i tij në klub, pa qenë nevoja që të japë dorëheqjen.

Pas këtyre negociatave duket se është përfshirë vetë Juventusi, që nuk dëshiron të humbasë trajnerin për një kohë të gjatë dhe as të marrë përsipër këtë rrezik.

Për torinezët, është më mirë që Conte të pranojë fajin dhe të bëjë pakt për një dënim më të ulët, ndërsa gjykohet se do të ketë kohë më vonë për të qartësuar përfshirjen e vërtetë të trajnerit në skandal.

Ndërkohë, situata duket më e vështirë për mbrojtësin Bonucci, i cili duket se ka qenë vetë i përfshirë në fiksim ndeshjesh, kur vishte fanelën e Barit.

Qendërmbrojtësi i Juventusit rrezikon tre vjet pezullim, ndërsa sipas shtypit italian, nga pakti mund të arrihet të ulet ndëshkimi i tij deri në 14 muaj.

SHPËRNDAJE