Shumëfishohet numri i protestuesve në mbrojtje të Republikës

Ashtu siç kemi paralajmëruar, kjo protestë paqësore është në mbrotje të Republikës dhe për prodhimin vendor.  

 

Sot, me 22 janar, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon protestën paqësore për të bllokuar hyrjen e Serbisë në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! po e ushtron të drejtën e vet për protestë paqësore sepse protesta jonë është e arsyeshme, e drejtë dhe e dobishme. Për më tepër, protesta paqësore e demokratizon Republikën e demokracia e mbronë Republikën. Kjo po dëshmohet edhe nga pjesëmarrja më masive e protestuesve në ditën e sotme.

Pavarësisht thirrjeve të shumta që i kemi bërë policisë së Kosovës që të mos na bllokojnë, ata kanë ndaluar dhe kanë kontrolluar shumë qytetarë që kanë marrë rrugën për në Merdare dhe në Dhe të Bardhë.

Po ashtu, janë ndaluar dhe kthyer për në Morinë dy autobusë me aktivistë e mbështetës nga Shqipëria  me pretekstin se vozitësit e autobusëve nuk kanë certifikatë mjekësore. Me këtë rast janë arrestuar tre (3) persona: Elvis Hoxha, Boiken Abazi dhe Ermir Harulla.

Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos na bllokojnë neve dhe protestën tonë paqësore në mbrojtje të Republikës.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni