Delegacioni i Diasporës Shqiptare nga Çikago të SHBA-ve më 27 mars do të mbërrijë për vizitë në Maqedoni, për tu njohur me zhvillimet politike dhe shqiptare në Maqedoni.

Ky delegacion që përbëhet nga të gjitha asociacionet politiko-kombëtare të diasporës shqiptare me seli në Çikago të SHBA-ve do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e të gjitha partive politike për të prezantuar Platformën Politiko-Kombëtare të Diasporës Shqiptare në SHBA.

Në fillim të vizitës delegacioni do të pritet nga ambasada e SHBA-ve në Maqedoni, ndërsa më pas vijon agjenda tjetër.

“Në këtë gjendje të krijuar dhe skandaloze dhe gati-gati pa asnjë shpresë për ardhmërinë, e kemi thënë dhe përsëri po e themi se përgjegjësinë për këtë udhë pa krye e mbanë subjekti politik shqiptar. Orët e rënda të jetës na thërrasin që të ndërgjegjësohemi të gjithë për të ndryshuar gjendjen dhe për të mirën e kombit shqiptar në Maqedoni që ndër vite shpeshherë u bë pre e politikave të kohës”, thuhet ndër të tjera në një komunikatë të këtyre asociacioneve para vizitës së paralajmëruar në Maqedoni, ku ndër të tjera nënvizohet se komuniteti shqiptar angazhohet për një forcë politike qoftë ajo e re apo e vjetër, e cila do të angazhohet maksimalisht rreth realizimit të nismës së tyre.

Për realizimin e këtij objektivi , subjekti politik dhe komuniteti duhet të përpilojnë dinamikën e veprimeve dhe realizimeve me afate të caktuara kohore, garancë për të cilën do të jenë senatorë- udhëheqës të çështjes shqiptare në Senatin Amerikan.

SHPËRNDAJE