Pesë parti, që mbledhin shqiptarët në Luginën e Preshevës, do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, njofton agjencia serbe e lajmeve FoNet.

Deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i ka deklaruar kësaj agjencie se kjo parti u ka dërguar thirrje në fillim të vitit  të gjitha partive që tubojnë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegje që të dalin me listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, Rrahim Zylfiu,  konfirmoi pjesëmarrjen, sikundër edhe lideri i Unionit Demokratik të Luginës, Skender Destani.

Kryetari i Lëvizjes për Orogres Demokratik, Januz Musliu po ashtu i tha FoNet-it se bashkë me partitë e tjera shqiptare do të merr pjesë në zgjedhje, ndërkaq Nagip Arifi i Partisë së porsaformuar Demokratike deklaroi se ende nuk kishte marrë vendim.

Vetëm lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, dhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se partia e tij nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve dhe si shkak ka përmendur pohimet e Beogradit se do të organizojë zgjedhje në Kosovë.

SHPËRNDAJE