Kur u takuan në Samitin e Selanikut në 2003-shin, liderët e vendeve të BE-së bënë një premtim të qartë: Ballkani Perëndimor ndihet i braktisur pa BE-në dhe BE-ja është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor. Por edhe pse ky premtim nuk është përmbushur ende, kjo nuk do të thotë se shqiptarët, në të gjitha trojet ku ndodhen, nuk e kanë më ëndrrën për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane, raporton shqip,

Arlinda Balla

 

Kur u takuan në Samitin e Selanikut në 2003-shin, liderët e vendeve të BE-së bënë një premtim të qartë: Ballkani Perëndimor ndihet i braktisur pa BE-në dhe BE-ja është e paplotë pa Ballkanin Perëndimor. Por edhe pse ky premtim nuk është përmbushur ende, kjo nuk do të thotë se shqiptarët, në të gjitha trojet ku ndodhen, nuk e kanë më ëndrrën për t’iu bashkuar familjes së madhe europiane. Përkundrazi!

“Integrimi europian dhe roli i diasporës” ishte pikërisht kjo tema në qendër të shkollës verore për integrimin europian të organizuar nga Instituti i Studimeve Europiane (ISE) në UT-në, Akademia Diplomatike Shqiptare e Maqedonisë, Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Çairit. Rreth 50 të rinj, diplomantë, doktorantë dhe studentë nga trojet shqiptare ndanë për 5 ditë rresht në Durrës përvojën dhe idetë e tyre mbi integrimin.

Konferenca e tregoi qartë se si shqiptarët e diasporës e shikojnë integrimin në vitin 2012, jo vetëm si integrim ekonomik, por edhe si integrim kulturor e shpirtëror. “Rëndësia e BE-së është e madhe për çastin historik që po përjeton jo vetëm Shqipëria politike, por edhe më gjerë: Kosova e trojet shqiptare në shtetet e tjera. Për Kosovën, rëndësia e BE-së lidhet me konsolidimin e shtetit të ri demokratik, si dhe për formësimin e një qasje europiane në trajtimin e problematikave që vërehen në një shtet me prani pakicash etnike brenda vetes. Dua të përmend edhe rëndësinë që BE-ja ka për popullin shqiptar të ish-RJ të Maqedonisë, sidomos në këto periudhat e fundit, kur maqedonasit, e kërkojnë identitetin e tyre duke denigruar shqiptarët. Për shqiptarët e ish-RJM, Europa nuk shërben vetëm si fanar orientues në detin e trazuar të nacionalizmit arkaik maqedonas, por edhe si avokati më i mirë i së drejtës së tyre natyrore dhe politike për të qenë palë konstitutive e një shteti në të cilin zotërojnë shifra që e justifikojnë këtë gjë”, tha drejtoresha e ISE-së, Eva Hyskaj.

“Procesi i integrimit për shqiptarët është i rëndësishëm, se i hap rrugë integrimit kombëtar. Shkolla verore për studime europiane, e cila mblodhi për një javë studentë nga të gjitha trojet shqiptare kishte këtë synim. Dëshira ime më e madhe ishte të shihja shqiptarët bashkë në një tryezë duke diskutuar si një popull me vlera të larta e qytetërim europian”, theksoi Arsim Sinani, drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare të Maqedonisë. Në konferencë, ndër figura të shquara akademike, personalitete të njohura mbarëshqiptare, ishte Ministri i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli. Përfaqësimi i pjesëmarrësve në këtë shkollë nga të gjitha trojet shqiptare u dha mundësi atyre të shkëmbenin përvoja dhe ide për integrimin. Në konferencë u vu theksi edhe tek nevoja e kthimit të trurit, për të ndihmuar zhvillimin e vendeve amë. “Diaspora nuk duhet që të jap vetëm remitanca, por edhe të bëjë kthimin e trurit. Qeveritë e vendeve përkatëse duhet të ndihmojnë në këtë drejtim. Diaspora ka pasur më shumë suksese si individ, pro jo si komb. Natyra e kësaj shkolle dhe pjesëmarrja e larmishme nga të tre shtetet, krijon mundësi që të hapen tema që kanë të bëjnë më integrimet shqiptare”, tha profesoresha Mirela Bogdani.

Shkolla kishte për qëllim t’i nxiste të gjithë studiuesit nga fusha e eurointegrimeve që, nëpërmjet debateve, tribunave të ndryshme, apo analizave, të kontribuojë në zhvillimin e proceseve integruese në rajon. Në fund artistët, nga të tre vendet, shprehën në punimet e tyre vlerat e vërteta europiane.

SHPËRNDAJE