Idriz MORINA
Koha për modelin rugovian

Shqiptarët duhet të tunden. Nuk është koha e pritjes dhe vëzhgimit. Këto kohë tashmë kanë kaluar. Kudo ndodhen shqiptarët duhet të lëvizin. Veriu i Kosovës është në rrezik. Ndërkohqë që situata vazhdon të jetë ë rënduar, për shkak aktit terrorist në veri, diplomacia ndërkombëtare vazhdon të ushtrojë trysni që Kosova të pranojë një zgjidhje të re për Veriun. Hyrja në bisedime me Serbinë nënkupton si pikë fillestare të bisedimeve vetë pakon Ahtisari, por rezultati i tyre është i nënkuptueshëm se do të jetë mbi ofertën e pakos Ahtisari edhe ashtu speciale për veriun.
Por, çfarëdo marrëveshje që kapërcen pakon Ahtisari është alternativë e pranueshme për serbët dhe si e tillë e papranueshme për shqiptarët. Pakoja Ahtisarit është aq barrë e rëndë për një shtet, sa pavarësisht historisë që do të kishte, ajo do ta shkërmoqte atë. E si do të mund ta përballojë Kosova, shtet i vogël, i brishtë, i pa zhvilluar, pa ekonomi, pa industri, pa zhvillim shkencor, dhe me një zhvillim arsimor të mesëm? Por, si do të mund ta ruajë sovranitetin në veri të vendit, atje ku shumica është serbe, dhe që pjesa tjetër rrezikon të zbrazet, nëse asaj pjese i jepet status i veçantë, përtej Pakos Ahtisari, përtej asaj zgjidhje që i rri varur si sëpatë integritetit dhe funksionalitetit shtetëror të vendit? Rezultati i pritshëm është që pas disa vjetëve ajo pjesë do të mund të ndahet, dhe sa do që do të zgjatet në kohë, për shqiptarët do të jetë një pjesë thuajse e harruar, për faktin se serbët do të jenë aq dominant, aq do të ketë shprehje nacizmi dhe shovinizmi, sa nuk do të lejohet as rikthimi i shqiptarëve që i takojnë asaj pjese, as shtimi i pasurisë së tyre dhe as pronësimi, mbase si zgjidhje do të synohet, modeli i Tirolit, ku çdo kush tjetër, e veçmas për shqiptarët do të jetë e pamundur marrja e nënshtetësisë, siç quhet tek ne, dhe me këtë edhe pamundësia e të drejtës për pronë të paluajtshme atje nga shqiptarët.

Kosova Lindore

Por, për t’ia lehtësuar situatën Kosovës në këtë fazë në të cilën ndodhet, nevojitet zgjimi i ndërgjegjes shqiptare, kudo ndodhen ata, natyrisht më e mira do të kishte qenë që reagimet të ishin të fuqishme në Kosovë, por pavarësisht fuqisë së këtij reagimi, situatën mund ta ndryshojë reagimi i fuqishëm i shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ata duhet kërkuar, simetrikisht, të njëjtat të drejta që mund të kenë serbët apo rajoni në veri. Shqiptarët atje duhet të reagojnë në të gjithë mënyrat e mundshme, për ta bindur opinionin ndërkombëtar, se ata janë faktor po aq i rëndësishëm në procesin vijues sa edhe janë serbët në veri. Ata thjesht duhet të rebelohen, jo me ndonjë kryengritje apo luftë sikurse në të shkuarën, por duke përdorur të gjitha modelet, dhe mbi të gjitha ata kanë modelin e gatshëm, atë rugovian. Por, jo duke braktisur institucionet apo vendet e punës siç bëri Hajrullah Gorani, por duke bojkotuar administratën shtetërore serbe, duke refuzuar çdo gjë nga autoritetet republikane, dhe e përcjellë kjo edhe me padëgjueshmëri qytetare. Në këtë mënyrë ata ndihmonin më shumë se Kosovën vetveten. Kjo do të ishte edhe një shtegdalje nga politika parazitare dhe e një lloj viktimeje, që nëpërmjet këtij roli pret ta fitojë lirinë e merituar.

Tronditja nga Maqedonia

Situata politike e ditëve të fundit në Maqedoni e bëri të qartë se sa tundues është roli i shqiptarëve atje. Një vrasje e dyfishtë në Gostivar, dhuna ndaj disa nxënësve në Shkup dhe lëndimi i disa shqiptarëve të tjerë nga maqedonasit, tronditi opinionin shqiptarë dhe e vuri në lëvizje. Fatkeqësisht dikush e shfrytëzoi situatën e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila çoi në ekzekutimin e pesë maqedonasve. Por, e tërë dhuna vetëm sa i projektoi shqiptarët si faktorë tronditës në këtë shtet tejet të brishtë, mbase edhe se Kosova.
Edhe këtu shqiptarët kanë model politikën rugoviane, nëse duan sukses pa luftë. Shqiptarët duhet t’i kërcënojnë hapur me braktisje, bojkot dhe me çdo masë tjetër institucionet në Maqedoni, jo më për të përmbushur Marrëveshjen e Ohrit, por për ta tejkaluar atë, duke kërkuar njohjen e të drejtës që kishin si popull shtetformues të barabartë me sllavomaqedonët, të njihet barazia gjuhësore, në çdo hallkë shtetërore, dhe administrata shtetërore çdo akt ta lëshojë në dy gjuhë, pavarësisht se jetojnë apo jo shqiptarët, qoftë edhe në Gjevgjeli, në komuna apo fshatra ku nuk mund të ketë qoftë edhe një shqiptarë të vetëm, ashtu siç ndodh me aktet administrative në viset ku ka vetëm shqiptarë.
Dhe kërkesat e tyre më mirë se tani thuaja asnjëherë tjetër nuk kanë pasur shans t’i realizojnë nëpërmjet shprehjes së pakënaqësisë hapur, në rrugë, në punë, në administratë, dhe në çdo institucion. Kjo për faktin se është momenti që ta ndryshojnë situatën, meqë u provua se Maqedonia, përkatësisht shqiptarët atje mund ta trondisin situatën në Kosovë, përkatësisht pakënaqësia e shqiptarëve në Maqedoni, do të eklipsonte pakënaqësitë e serbëve në veri, dhe gjithë atë përkrahje ndërkombëtare që mund ta kenë serbët atje apo vetë Serbia. Shqiptarët në Maqedoni duke hapur çështjen e të drejtave të tyre e vënë në diskutim ekzistencën e vetë shtetit të Maqedonisë dhe nëpërmjet kësaj edhe të gjithë kufijve në Ballkan.
Por, interesi aktual i shqiptarëve nuk është prishja e kufijve në Ballkan, por përmbyllja e ekspansionit të Serbisë në veri, dhe përmbyllja e ekspansionit sllavomaqedonas në Maqedoni. Ky ekspansion më shumë se kudo tjetër është i qartë në Shkup, ku të gjitha investimet politike – ekonomike të shtetit aktual janë përqendruar në zhvillimin e qytetit përtej vardarit vetëm me sllavomaqedonas, ndërsa duke i izoluar shqiptarët në anën këtej Vardarit. Dhe ky ekspansion po mundohet të shprehet edhe nëpërmjet kulturës, përkatësisht falsifikimit të historisë, nëpërmjet përvetësimit të heronjve tradicional iliro-shqiptar, si kryeheroi i antikitetit Aleksandrit të Madh, ndërsa më parë edhe nëpërmjet enciklopedisë, e cila bazohet thjeshtë në mashtrim dhe falsifikim edhe të historisë, arkeologjisë dhe kulturës materiale e shpirtërore të Maqedonisë. Edhe shqiptarët në Maqedoni, në këtë mënyrë do të ndihmonin më shumë se sa Kosovën dhe shqiptarët këtu, vetveten e tyre dhe fatin tonë të përbashkët!

SHPËRNDAJE