Idriz Morina
Koha për modelin rugovian

Shqiptarët duhet të tunden. Nuk është koha e pritjes dhe vëzhgimit. Këto kohë tashmë kanë kaluar. Kudo ndodhen shqiptarët duhet të lëvizin. Veriu i Kosovës është në rrezik. Ndërkohqë që situata vazhdon të jetë ë rënduar, për shkak aktit terrorist në veri, diplomacia ndërkombëtare vazhdon të ushtrojë trysni që Kosova të pranojë një zgjidhje të re për Veriun. Hyrja në bisedime me Serbinë nënkupton si pikë fillestare të bisedimeve vetë pakon Ahtisari, por rezultati i tyre është i nënkuptueshëm se do të jetë mbi ofertën e pakos Ahtisari edhe ashtu speciale për veriun.
Por, çfarëdo marrëveshje që kapërcen pakon Ahtisari është alternativë e pranueshme për serbët dhe si e tillë e papranueshme për shqiptarët. Pakoja Ahtisarit është aq barrë e rëndë për një shtet, sa pavarësisht historisë që do të kishte, ajo do ta shkërmoqte atë. E si do të mund ta përballojë Kosova, shtet i vogël, i brishtë, i pa zhvilluar, pa ekonomi, pa industri, pa zhvillim shkencor, dhe me një zhvillim arsimor të mesëm? Por, si do të mund ta ruajë sovranitetin në veri të vendit, atje ku shumica është serbe, dhe që pjesa tjetër rrezikon të zbrazet, nëse asaj pjese i jepet status i veçantë, përtej Pakos Ahtisari, përtej asaj zgjidhje që i rri varur si sëpatë integritetit dhe funksionalitetit shtetëror të vendit?

 

Rezultati i pritshëm është që pas disa vjetëve ajo pjesë do të mund të ndahet, dhe sa do që do të zgjatet në kohë, për shqiptarët do të jetë një pjesë thuajse e harruar, për faktin se serbët do të jenë aq dominant, aq do të ketë shprehje nacizmi dhe shovinizmi, sa nuk do të lejohet as rikthimi i shqiptarëve që i takojnë asaj pjese, as shtimi i pasurisë së tyre dhe as pronësimi, mbase si zgjidhje do të synohet, modeli i Tirolit, ku çdo kush tjetër, e veçmas për shqiptarët do të jetë e pamundur marrja e nënshtetësisë, siç quhet tek ne, dhe me këtë edhe pamundësia e të drejtës për pronë të paluajtshme atje nga shqiptarët.

Kosova Lindore

Por, për t’ia lehtësuar situatën Kosovës në këtë fazë në të cilën ndodhet, nevojitet zgjimi i ndërgjegjes shqiptare, kudo ndodhen ata, natyrisht më e mira do të kishte qenë që reagimet të ishin të fuqishme në Kosovë, por pavarësisht fuqisë së këtij reagimi, situatën mund ta ndryshojë reagimi i fuqishëm i shqiptarëve në Kosovën Lindore. Ata duhet kërkuar, simetrikisht, të njëjtat të drejta që mund të kenë serbët apo rajoni në veri. Shqiptarët atje duhet të reagojnë në të gjithë mënyrat e mundshme, për ta bindur opinionin ndërkombëtar, se ata janë faktor po aq i rëndësishëm në procesin vijues sa edhe janë serbët në veri. Ata thjesht duhet të rebelohen, jo me ndonjë kryengritje apo luftë sikurse në të shkuarën, por duke përdorur të gjitha modelet, dhe mbi të gjitha ata kanë modelin e gatshëm, atë rugovian. Por, jo duke braktisur institucionet apo vendet e punës siç bëri Hajrullah Gorani, por duke bojkotuar administratën shtetërore serbe, duke refuzuar çdo gjë nga autoritetet republikane, dhe e përcjellë kjo edhe me padëgjueshmëri qytetare. Në këtë mënyrë ata ndihmonin më shumë se Kosovën vetveten. Kjo do të ishte edhe një shtegdalje nga politika parazitare dhe e një lloj viktimeje, që nëpërmjet këtij roli pret ta fitojë lirinë e merituar (Bota Sot)

SHPËRNDAJE