Tiranë, 20 dhjetor – Shqipëria nuk rrezikon bllokimin e procesit të lëvizjes së lirë në zonën “Shengen” prej rritjes së numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Europian. Ky fakt është pohuar dje nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku saktësoi se nuk do të këtë asnjë ndëshkim kolektiv për vendet e rajonit. “Problematika e shfaqur kohët e fundit në kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë drejt vendeve të BE-së nuk ka ndikim te procesi i liberalizimit të vizave dhe konsiderohet nga vendet anëtare si një çështje e ndarë nga ky proces”, pohoi ministri Nishani. Ai i ka siguruar deputetët se vendi ynë ka numrin më të ulët të azilkërkuesve në rajon dhe se rritja e kërkesave në muajin tetor është një rast kriminal që po hetohet nga Prokuroria. ”Në informacionet zyrtare të përcjella nga autoritetet belge rezulton se për muajin nëntor janë regjistruar 96 kërkesa për azil, ndërsa për muajin tetor ishin regjistruar 342 kërkesa të tilla, pra ka një rënie me më shumë se 3.6 herë krahasuar me muajin tetor 2011. Në 11-ditëshin e parë të dhjetorit janë regjistruar vetëm 18 kërkesa për azil”, deklaroi Nishani.

SHPËRNDAJE