TIRANË- Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka ndryshuar deklaratën në lidhje me pjesëmarrjen në Sami-tin që do të mbahet në Ohër, ku do të merrnin pjesë vendet e Ballkanit. Dje zëdhënësja e Presidentit Nishani, ka konfirmuar për gazetën “Tribuna” në Kosovë se,  “Presidenti Nishani do të marrë pjesë në Samit-in e SEECP-it që do të zhvillohet në Ohër më datë 1-2 qershor 2013”.

Sot nën presionin që i kanë bërë mediat e Kosovës, presidenti ndryshoi deklaratën. Ai nuk do të shkojë të marrë pjesë në Samit.

“Lënia e Kosovës jashtë Samitit është bërë nën presionin e Serbisë, në kundërshtim të hapur me marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe më konkretisht në shkelje te nenit 14 të Marrëveshjes Thaçi-Daçiç të nënshkruar në Bruksel, më 19 prill, 2013.”- theksohet në deklaratën e presidencës sot.

Krerët e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës dje i kanë bërë të ditur kreut të Maqedonisë se nuk marrin pjesë në Samit nëse aty është edhe presidentja e Kosovës.

/Shekulli Online/Përgatiti: E.Sh/

SHPËRNDAJE