Realiteti shqiptar, i njohur apo i rrëfyer, të dhënat historike, turistike, sociologjike dhe zakonore mbi Shqipërinë, janë misteri për të cilin është munduar të thellohet një shkrimtare italiane.

“Shqipëria nën vështrimin e një reportereje”, është libri më i ri me të cilin prezantohet para publikut italian gazetarja dhe shkrimtarja torineze Rosita Ferrato. Shkrimtarja italiane rrëfen se pavarësisht afërsisë gjeografike, shkëmbimeve të vazhdueshme dhe lidhjeve të forta kulturore e historike, Shqipëria, shqiptarët dhe marrëdhëniet e tyre me Italinë mbeten ‘një rebus mbështjellë me mister’, për pjesën dërrmuese të qytetarëve italianë.

“Mosnjohja e realitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në Itali ka ecur ndërkaq paralelisht me identifikimin masiv të tyre me disa klishe të pajustifikuara dhe nganjëherë poshtëruese, produkte dytësore të fushatave të gjera mediatike që kanë pasqyruar ngjarjet më të bujshme, dhe kryesisht më të errëta të historisë sonë të vonë, nga eksodet e fillim viteve ’90 e deri tek ngjarja “Roshi” (edhe kjo e pasqyruar gjerësisht në mediet italiane, fatkeqësisht në versionin e saj të parë, atë më tronditësin!”, shkruhet më tej në parathënien e librit të Ferratos.

Gazetarja dhe shkrimtarja torineze Rosita Ferrato është angazhuar prej kohësh për përcjelljen e një informacioni sa më të saktë dhe korrekt mbi bashkësitë e huaja.

Ajo vendosi të shkruajë për Shqipërinë, duke e argumentuar se “Ideja që kisha për Shqipërinë ose më mirë, që nuk kisha, pasi ishte një vend, të cilin nuk arrija dot ta përkufizoja, ishte ajo e një vendi të afërt, por pak të frikshëm, kaq i madh ishte për mua misteri që e rrethonte”, shprehet Ferrato.

Ferrato i përcjell publikut italian një larmi vëzhgimesh dhe të dhënash historike, turistike, sociologjike dhe zakonore mbi Shqipërinë, të hedhura me stil të këndshëm dhe lehtësisht të lexueshëm.

Libri është një rrugë e ndërmjetme mes shënimeve të udhëtimit dhe reportazhit të mirëfilltë, dhe grish lexuesit të udhëtojnë drejt Shqipërisë, këtij vendi ekstravagant e mikpritës, që është ende i gjithi për t’u zbuluar.

“Shqipëria nën vështrimin e një reportereje” është botuar në Torino në muajin prill të këtij viti, dhe është fryt i punës së kujdesshme kërkimore dhe i disa udhëtimeve të autores në vendin tonë gjatë vitit 2010.

Libri do të prezantohet të enjten në Torino nga gazetarët Stefanella Campana dhe Benko Gjata, në një takim të organizuar nga Qendra e Kulturës Shqiptare në bashkëpunim me Shoqatat Vatra, Illyricum dhe Vatra Arbëreshe, me patronazhin e Ambasadës Shqiptare në Itali dhe të Zyrës së Përfaqësimit të DHTI së Tiranës në Torino.

Takimi do të shoqërohet me pjesë të muzikës së lehtë të ekzekutuara nga artistet Lindita Kopliku në piano dhe Diana Subashi në violinë.

Rosita Ferrato gjatë karrierës së saj si gazetare profesioniste ka punuar për RAI-n, fillimisht pranë Orkestrës Sinfonike Kombëtare dhe më pas në programet televizive ‘Il Pianeta delle Meraviglie’, ‘Ambiente Italia’ dhe në edicionin e lajmeve shkencore TG Leonardo.

Aktualisht ajo bashkëpunon me disa media të shkruara dhe elektronike.

Ndër botimet e saj më të suksesshme përmendim librat “Le Piere”, “Madame” e “Signorine di Torino” (Seneca Edizioni), dhe “Le Divine. Manuale per amanti, seduttrici, cortigiane e avventuriere”(Hyjnoret, manual për dashnorët, kurtizanet e aventurieret).

SHPËRNDAJE