Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, e gjithë Shqipëria është duke u përballur me vatra zjarri, të cilat po shkrumbojnë hektarë të tërë në zonat pyjore të vendit.

Në një komunikatë zyrtare të Ministrisë së Brendshme, pasditen e së shtunës u njoftua se në të gjithë vendin, mbeten ende edhe 40 vatra aktive zjarri, të shpërndarë në disa rrethe të ndryshme.

Problematike paraqitet gjendja në Berat, ku e përfshirë nga flakët është kodra e Sulmit, në të cilën rrezikohen edhe disa banesa.

Zjarret janë afruar edhe në zonën turistike të Lurës, në Dibër, ku janë lokalizuar dy vatra, ndërsa në të gjithë rrethin ndodhen edhe gjashtë zjarre të tjera.

Ndërhyrja nga ajri gjatë pasdites ka ndihmuar në përmirësimin e situatës dhe shuarjen e disa vatrave, por situata problematike ende nuk është kaluar.

Në Qarkun e Kukësit po digjen pesë zjarre të ndryshme, midis të cilëve më problematikët janë në Qafë Kom dhe në pyjet e Surrojit.

Në Korçë, është vendosur nën kontroll zjarri në pyjet e Voskopojës, por vazhdojnë të digjen hektarë të tëra pyje në Malin e Bardhë.

Në Qarkun e Lezhës, janë katër vatra aktive zjarri, ndërsa situata më problematike paraqitet në pyllin e Fanit.

Në Qarkun e Shkodrës, janë aktive nëntë vatra zjarri, tetë prej tyre në zonat pyjore rreth Pukës.

Sidomos alarmuese është situata e flakëve në Orosh dhe në Qafën e Malit, ndërsa një vatër e re është shfaqur tashmë në fshatin Flet.

Në Qarkun e Elbasanit, aktualisht janë aktive gjashtë vatra, ndër të cilat dy në Gramsh dhe tre në Librazhd.

Një ditë më parë, për shkak të një zjarrvënie të qëllimshme në Krrabë u rrezikua rruga kombëtare dhe banesat e fshatit, ndërsa disa hektarë pyje u dogjën.

Në lidhje me këtë ngjarje, dy persona u arrestuan mëngjesin e së shtunës, ndersa zjarri ende vazhdon te jete aktiv. Ne Tirane, ne flake jane edhe pyjet prane fshatit Baldushk.

Në Vlorë mbeten aktive vatrat e zjarrit pranë fshatit Dukat dhe disa zona të tjera malore.

Më parë, gjatë një gushti të mbushur me zjarre të shumtë, si pasojë e temperaturave të larta dhe zjarrëvënieve të qëllimshme, problematike është paraqitur situata në Malin e Dajtit, pranë Dhërmit, pranë qytetit të Beratit, në Gjirokastër, Tepelenë dhe rajone të tjera të vendit.

Ende nuk ka një bilanc të qartë ekonomik të dëmeve të zjarreve, të cilët besohen se kanë një faturë prej të paktën disa milionë eurosh.

SHPËRNDAJE